1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përqendrimi në rindërtimin civil

27 Janar 2010

Qeveria gjermane prezantoi konceptin për Afganistanin

https://p.dw.com/p/LheZ
Kancelarja Merkel gjatë një vizite tek ushtarët gjermanë në Afganistan në nëntor 2007.Fotografi: picture alliance/dpa

Qeveria gjermane e përbërë nga konservatorët dhe liberalët prezantoi strategjinë e saj për Afganistanin, dy ditë para fillimit të konferencës ndërkombëtare në Londër. Në qendër të saj ndodhet rritja e kontingjentit ushtarak deri me 850 ushtarë.Akcente të reja marrin detyrat civile, përfshirë specializimin e forcave afgane të sigurisë. Datë konkrete për tërheqjen e trupave nuk përmendet.

Sipas kancelares gjermane Angela Merkel, Gjermania shkon e "përgatitur mirë" në konferencën ndërkombëtare për Afganistanin. Koncepti ka marrë aprovimin ndërkombëtar, kryesisht të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës, tha Angela Merkel. Numri i ushtarëve të stacionuar me afat të gjatë në Afganistan do të rritet nga 4500 deri në 5000. Forcat e reja do t`i shtohen batalionit që merret me specializimin e ushtarëve dhe policëve afganë dhe me mbrojtjen.

Përveç kësaj, qeveria gjermane do të krijojë një trupë rezervë, e cila mund të përdoret për misione aftashkurtra në rast nevoje. Për shembull një mision për sigurimin e zgjedhjeve që parashikohet të mbahen në vjeshtë, shpjegoi kancelarja Merkel. Misionin gjerman ajo e cilësoi si "defensiv", të bazuar në bindjen se "pa siguri nuk mund të ketë rindërtim të vendit dhe pa rindërtim nuk mund të ketë siguri". „Ne do të vëmë në dispozicion sërish forca të ushtrisë, të cilat do të kujdesen për punët. Kjo nuk ka qenë e mundur deri tani për shkak të rregullave të forta të sigurisë. Ne do të kemi ushtarë që do i kushtohen punëve me të cilat janë ngarkuar, punëve për rindërtimin e vendit."

Dyfishohet kontributi financiar gjerman në Afganistan

Paketa gjermane për konferencën e Afganistanit në Londër, ka një vëllim prej 430 milionë eurosh në vit, një shumë që përbën gati dyfishin e asaj të deritanishme prej 220 milionë eurosh. Përveç kësaj, Gjermania do të marrë pjesë me 50 milionë euro në një fond ndërkombëtar, me të cilin do të financohet riintegrimi i ish-luftëtarëve talibanë në shoqërinë civile afgane, bëri të ditur kryetarja e qeverisë: „Sepse kush nuk ka të ardhura, mund të joshet lehtë nga talibanët, për të shkuar në anën e gabuar. Po të ketë një perspektivë profesioni, atëherë çështja shihet krejt ndryshe."

Generalinspekteur Wolfgang Schneiderhan Bundesverteidigungsminister Karl-Theodor zu Guttenberg ISAF-Kommandeur Stanley McChrystal
Ministri i mbrojtjes zu Guttenberg me inspektorin e përgjithshëm të ushtrisë Schneiderhan dhe me komandantin e ISAF-it McChrystal në Kabul.Fotografi: AP

Ministri gjerman i mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg e quajti këtë koncept si "ndryshim strategjie", edhe sa i përket pikave ushtarake: Mbrojtje të popullsisë; rritje të përpjekjeve për shkollimin e forcave policore dhe ushtarake afgane për të arritur suksese të dukshme edhe në këtë fushë; sigurim të rindërtimit dhe rindërtim të suksesshëm; dhe mundësinë për të marrë përgjegjësi drejtuese edhe në veri të vendit, sepse partnerët e aleancës kërkojnë më shumë forca në veri. Qëllimi është të mund të krijohet "një perspektivë e besueshme", tha zu Guttenberg.

Ministri për çështjet e zhvillimit, Dirk Niebel bëri të ditur se ushtarët gjermanë do të dërgohen në të adhmen më shumë nëpër fshatra. Në zonat veriore, ku është stacionuar ushtria gjermane janë arritur disa gjëra: „25 për qind e nxënësve në veri të Afganistanit shkojnë në shkolla, 900 mijë vetë kanë qasje në burimet ujore dhe rrymën elektrike. Këto janë suksese të mira, por ato duhet të shtohen, sepse shumica e popullsisë jeton në rajonet rurale. Prandaj ne duhet të përforcojmë edhe strukturat fshatare.“

Opozita e rezervuar, pret konferencën për Afganistanin

Pa përgjigje mbetet pyetja sa kohë do të zgjasë angazhimi në Afganistan. Kancelarja Merkel nuk përmendi datë konkrete për tërheqjen e trupave gjermane. Ajo përkrah objektivat e qeverisë afgane dhe të presidentit Karsai, që deri në vitin 2014 të mund të garantohet siguria në vend. Njësoj shprehet edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle: „Qeveria gjermane nuk është për vendosjen e një afati, në të cilin të jetë arritur gjithçka dhe duhet bërë menjëherë tërheqja. Unë flas për një proces, për procesin e dorëzimit të përgjegjësive, hap pas hapi, distrikt për distrikt, duke filluar që këtë vit.“

Në mënyrë që të marrë sa më shumë përkrahje nga publiku dhe parlamenti për konceptin e saj për Afganistanin, kancelarja Merkel informoi më parë kryetarët e fraksioneve të të gjitha partive. Socialdemokratët opozitarë duan të japin votën, vetëm nëse tërheqja e trupave gjermane fillon vitin tjetër dhe nëse dërgimi i trupave bëhet në bazë të një afati të caktuar, bëri të ditur kryetari i partisë, Sigmar Gabriel. Ekologjistët duan të presin një herë zhvillimin e konferencës për Afganistanin, para se të marrin vendime, tha kryetarja e partisë Renate Künast. Tërheqja e menjëhershme e trupave kërkohet nga partia E Majta. Mosbesim ndaj strategjisë së deritanishme për Afganistanin ka shprehur Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Kështu, gjithnjë e më shumë civilë bien viktima të koflikteve të armatosura ose spitale goditen direkt, bëri të ditur KKN.

Autor: Marcel Fürstenau / Aida Cama

Redaktoi: Elert Ajazaj