1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pa publicitet

25 Korrik 2009

Programi i praktikave të fondacionit Zoran Xhinxhiç për herë të parë përfshin një shtetas nga Kosova

https://p.dw.com/p/IxJ9
Flamur Gogolli në vendin e tij të punës në QuelleFotografi: Anila Shuka

Çdo vit, një grup të rinjsh nga rajoni i Ballkanit, vijnë në Gjermani për të bërë një praktikë tre- deri në gjashtëmujore në sipërmarrje gjermane. Programi që financohet pjesërisht nga industria gjermane e pjesërisht nga Ministria për Bashkëpunim dhe Zhvillim Teknik në Bon, mban emrin e ish-kryeministrit serb, të vrarë në vitin 2003, Zoran Xhinxhiç, dhe koordinohet nga Fondacioni me të njëjtin emër në Beograd. Për herë të parë në këtë program është përfshirë edhe një shtetas i Kosovës. Një orvatje e parë për afrim, të cilën organizatorët enkas nuk e trumbetuan me të madhe.

Ishte rastësi që Flamur Gogolli arriti të kandidonte për programin Zoran Xhinxhiç. Sepse organizatorët nuk i bënë shumë reklamë faktit, që këtë radhë donin të përfshinin në programin e praktikantëve edhe shtetas nga Kosova. "Ata patën nxjerrë një shpallje në gazetën Koha Ditore në gjuhën gjermane, të cilën unë nuk e kuptoja ende në atë kohë. Por një shok e kishte parë dhe ai më tregoi", thotë Gogolli. Tani ai ka disa javë që ka filluar punën në një filial të firmës Quelle në Fuerth, në jug të Gjermanisë, në departamentin e biznesit elektronik, E-commerce.

25-vjeçari i lindur në Vushtrri ka mbledhur një përvojë të madhe pune si programues në Prishtinë, ku aktualisht studion inxhinieri kompjuterike. Përvoja e tij e mëparshme ishte shkaku përse firma Quelle e mori, me gjithë mungesën e njohurive të gjuhës: "Problem i vogël ishte mungesa e gjuhës, sepse këtu flitet kryesisht gjermanisht, por pastaj e pranuan, sepse bashkëpunëtorët në këtë sektor janë shumë ndërkombëtarë dhe flasin shumë mirë anglisht", thotë Kristine Kraus përgjegjëse për praktikantët në këtë firmë.

Alina Gumpert
Alina Gumpert e Shoqatës së Industrisë Gjermane në BerlinFotografi: DW

25 praktikantët e ardhur nga rajoni i Ballkanit Perëndimor janë studentë të ekonomisë ose inxhinierive dhe nën moshën 30 vjeç. Këto janë kushtet që vë Shoqata e Industrisë Gjermane (BDI) për pjesëmarrjen e tyre në praktikat tre- deri gjashtëmujore nëpër firma të ndryshme. Rrogën e bursistëve e paguan Ministria gjermane për Zhvillim dhe Bashkëpunim Teknik (BMZ), ndërsa fjetjen dhe sigurimin e mbulojnë firmat ku praktikantët qëndrojnë për praktikat tre- deri gjashtëmujore.

Deri në vitin 2006 në program merrnin pjesë vetëm shtetas serbë. "Në vitin 2007 me katër vende të tjera. Asokohe Mali i Zi sapo ishte bërë i pavarur, ndërsa Kosova ende. Por ne menduam se do të ishte mirë që ta zgjeronim programin edhe për vende të tjera. Ishte një nga kërkesat e BMZ-së, e cila vuri si kusht bashkëpunimin rajonal, të njëjtën gjë kërkuan edhe sipërmarrjet gjermane, interesat ekonomike të të cilave i tejkalojnë kufijtë e Serbisë", sqaron Alina Gumpert nga Shoqata e Industrisë Gjermane në Berlin.

Zoran Djindjic mit Frau
Ish-kryeministri serb Zoran Xhinxhiç me të shoqen, RuxhicënFotografi: AP

Fakti që tani në këtë program ishte i pranishëm një shtetas i Kosovës, nuk shqetësoi as fondacionin e drejtuar nga vejusha e ish-kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç, e as ambasadën serbe në Berlin, e cila organizoi një pritje përshëndetëse për praktikantët. "Besoj se shoqëritë në Ballkan janë shumë më tolerante nga aspekti i nacionalitetit sesa e paraqet politika", mendon Flamur Gogolli. Ai është i bindur, se me një publicitet më të mirë, do të ketë shumë më tepër të rinj kosovarë që do të konkurrojnë në këtë program vitin e ardhshëm: "Unë mund të them se e konsideroj veten të privilegjuar për faktin që jam këtu, mirëpo shpresoj që kjo do ta tejkalojë nivelin e privilegjit dhe do të bëhet diçka e zakonshme për të rinjtë atje që të vijnë dhe të marrin një lloj të tillë eksperience", thotë ai.

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: Elert Ajazaj