1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Padrejtësitë masive sociale dikur shpërthejnë në kryengritje

AUD15 Prill 2008

Tema e ngritjes së çmimeve të ushqimeve në botë komentohet në gazetat gjermane të së martës.

https://p.dw.com/p/DhqA
Trazira në Haiti për shkak të çmimeve të ushqimeve
Trazira në Haiti për shkak të çmimeve të ushqimeveFotografi: AP

PFORZHEIMER ZEITUNG kujton:

"Konflikte të tilla (si të ngritjes drastike të çmimeve të ushqimeve) mund t'i zgjidhin ose të paktën t'i zbusin vetëm ato kombe, të cilat janë në gjendje më të mirë se të tjerat. Ndihma për zhvillimin nuk duhet kuptuar si lëmoshë, shumë më tepër ajo është një investim në aftësinë për të përballuar të ardhmen të vendeve donatore. Nëse kombeve në nevojë nuk u tregohet me shpejtësi rruga në mëvetësim, atëherë hendeku midis të pasurve dhe të varfërve rritet. Dhe kjo pa pasur në dispozicion më shumë ushqime për t'i shpërndarë."

E të njëjtit mendim është edhe LÜBECKER NACHRICHTEN:

" Ajo që nevojitet nuk janë lëmoshat, por një rend më i drejtë i tregtisë botërore, i cili nuk duhet të vazhdojë të bashkëdiktohet prej një dyzine koncernesh transnacionale ushqimore. Të pasurit dhe të gjithë ne në veri duhet të shohim veç kësaj mirë atë që po përvijohet të ndodhë në jug: padrejtësitë masive sociale dikur shpërthejnë në kryengritje. Ai që vuan nga uria nuk ka shumë ç'të humbasë dhe nga dëshpërimi dikur nuk ka më frikë as nga një aparat represioni i pajisur më së miri. Në këtë rast vlen shprehja e vjetër: kur ata sipër nuk janë më në gjendje, dhe ata poshtë nuk duan më, atëherë puna bëhet serioze."

Ja së fundi edhe ABENDZEITUNG e Mynihut:

" Me habi mosbesuese bota regjistron se një pjesë që po bëhet më e madhe e njerëzimit nuk ka më paratë më të domosdoshme për të paguar ushqimin. Merr hak një rend ekonomik, në të cilin spekullohet gjithnjë e më shumë, në të cilin nevojat e pjesëve të tëra të njerëzimit nuk merren parasysh. Të jesh humbës i globalizimit, për këto viktima ka kuptimin e të mos jetuarit më."