1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pajisje e pamjaftueshme - Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë kritikën ndaj misionit në Afganistan

Nina Werkhäuser / DW-Berlin24 Prill 2008

Ministria gjermane e Mbrojtjes reagoi ndaj akuzave publike të kryetarit të shoqatës së ushtrisë: shumë pak ushtarë dhe pajisje të mangëta.

https://p.dw.com/p/DnrP
Kancelarja Angela Merkel duke u interesuar personalisht për armatimin e ushtrisë gjermane
Kancelarja Angela Merkel duke u interesuar personalisht për armatimin e ushtrisë gjermaneFotografi: picture-alliance/ dpa

Kryetari i shoqatës së ushtrisë është i njohur për mënyrën e tij të kritikuarit pa rezerva. Këtë herë kritika e Bernhard Gertz-it u drejtua mbi kushtet e misionit në Afganistan dhe ishte veçanërisht e ashpër: pajisja e Bundesverit është pjesërisht e mangët, mungojnë helikopterë, automjete të blinduara dhe artileri e rëndë. Me 3.500 ushtarë detyrat që ka përpara misioni nuk mund të realizohen.

"Meqenëse pritet një përkeqësim i mtejshëm i situatës së sigurisë edhe në veri të Afganistanit, do të ishte me mënd të lihej hapësirë për një rezervë. Për këtë arsye unë nuk mjaftohem me 330 ushtarë por kërkoj shtimin e numrit me 550 ushtarë."

Diskutimet ndizen sa herë kryhet një atentat i ri

Në verë ushtria gjermane do të ngrejë edhe një trupë të ndërhyrjes së shpejtë me 250 ushtarë. Por ministria e mbrojtjes nuk sheh arsye për të shtuar që tani kontigjentin në Afganistan.

Zëdhënësi Thomas Rabbe reagoi i zemëruar ndaj kritikës së Bernarhd Gertz-it. "Ngadalë po n'a krijohet përshtypja se po kthehet një drejtues operativ i gjithë misionit në Afganistan dhe kjo nuk është detyra thelbësore e shoqatës së ushtrisë."

Thomas Raabe rikujtoi se mandati aktual dhënë nga parlamanti gjerman vazhdon deri në vjeshtë dhe nuk mund të ndryshohet kaq thjesht. Veç kësaj Ministri gjerman i Mbrojtjes dëshëron të presë konferencën ndërkombëtare për Afganistanin që mbahet në muajin qershor në Paris. Atje do të marrin pjesë edhe përfaqësues të vendeve që ndryshe nga Gjermania kanë ushtarë të stacionuar në jug Afganistanit.

Kërkesa larg realitetit

Luftën në jug Bernhard Gertz e konsideron një operacion ushtarak problematik në të cilin ushtarët gjermanë nuk duhet të marrin pjesë në asnjë mënyrë. "Unë kam frikë se mendimi për të fituar ushtarakisht në jug ose formuluar ndryshe për të pasur sukses në luftën ushtarake kundër terrorit është shumë larg realitetit, ose aq realiste sa të kërkosh të kalërosh një kalë të ngordhur."

Edhe ky vlerësim nuk mbështetet aspak nga ministria gjermane e mbrojtjes.

Debati aktual mbi misionin në Afganistan është nga njëra anë polemikë mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe shoqatës së ushtrisë që mbron interesat e ushtarëve gjermanë. Nga ana tjetër ajo tregon edhe dallimet e thella në mendime mbi mundësitë për sukses të misionit të Nato-s, në të cilin Gjermania merr pjesë me një nga kontigjentet më të mëdha. Ky diskutim merr zjarr sa herë që në Afganistan kryhet një atentatet i ri.