1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Pajtimi, përvojat, teknikat dhe mundësitë për Evropën"

29 Tetor 2010

Konferenca për dialogun dhe pajtimin në mes vendeve zhvilloi punimet në Dubrovnik

https://p.dw.com/p/Ptpl
Filip Vujanovic, president i Malit të Zi dhe Bakir Izetbegovic, përfaqësuesi musliman në kryesinë shtetërore të Bosnjë-HercegovinësFotografi: Ferdi Limani

"Edhe pse është mjaft e vështirë dhe e papëlqyeshme për politikanët që të angazhohen për tolerancën dhe pajtimin, kjo në të vërtetë është dashur të jetë puna kryesore e tyre. Por për këtë nevojiten personalitete të fuqishme", tha ish presidenti polak, Aleksander Kvasnievski, në hapje të konferencës.

Konferenz Dubrovnik Möglichkeiten für Europa
Ish presidenti polak, Aleksander Kvasnievski dhe Ivo Josipovic, presidenti i KroacisëFotografi: Ferdi Limani

Pranimi i historisë nga secili, fillimi i procesit të pajtimit

Por për këtë çështje nuk nevojiten vetëm politikanët e fuqishëm. Për pajtimin është shumë me rëndësi edhe e vërteta. Duhet të sqarohet saktë se çka ka ndodhur në vitet e 90-ta. Ish presidenti i Qipros, George Vassiliou, thotë se, edhe pse të gjithë e përsërisin pandërprerë se duan të jetojnë vetëm në paqe, atë mund ta bëjnë vetëm, nëse janë të vetëdijshëm për historinë e tyre dhe ta kane pranuar atë: "Natyrisht që ne jemi më krenarë për disa periudha kohore, se për disa të tjera. Por ato të gjtha janë pjesë e historisë sonë. Vetëm nëse ne e pranojmë historinë tonë ashtu siç është, mund të fillojmë me procesin e pajtimit. Bashkimi Evropian është shembulli më i mirë për këtë."

A është e mundur, që të kuptohet krejtësisht e vërteta në Ballkan?

George Vassiliou
Ish presidenti i Qipros, George VassiliouFotografi: DW

Por si të kapërcehet mbi hijen e vet në Ballkan dhe të bihet dakord për një histori të përbashkët të kohës së luftërave të fundit? Në secilin vend balllkanik kjo histori interpretohet ndryshe. Cila është e vërteta pas një lufte e cila nuk njeh fitues por vetëm humbje nga të gjitha palët? A është e mundur që të kuptohet krejt e vërteta dhe a mund të ndihmojnë përvojat e të tjerëve në këtë drejtim?

Për pjesëmarrësit në konferencë bëhet gjithnjë e më e qartë se historia e vendeve të Ballkanit, luftërat e poashtu marëdhëniet e deritanishme dhe aktuale përbëjnë një rast të veçantë. Para së gjithash kur bëhet fjalë për Bosnjë-Hercegovinën. Atje në të vërtetë jetojnë tri etnitete (kroatët, serbët dhe boshnjakët) edhe pse zyrtarisht duhet të jenë vetëm dy (federata kroato-myslimane dhe Republika Srpska). Atje ka shkolla, në të cilat nxënësitë e nacionaliteteve të ndryshme mësojnë të ndarë. Vendi është i ndarë. Tabuizimi dhe segregacioni është futur thellë në poret e shoqërisë. Politikanët, të cilët propagandojnë dialogun, nuk pëlqehen nga popullata.

Bakir Izetbegoviq për dialog dhe pajtim në Bosnjë-Hercegovinë

Konferenz Dubrovnik Möglichkeiten für Europa
Filip Vujanovic, President i Malit të Zi në konferencëFotografi: Ferdi Limani

Megjithatë lideri i ri i myslimanëve boshnjakë, Bakir Izetbegoviq kërkon dialog dhe pajtim. Ai e përsërit se faji është tek serbët por është i gatshëm të pranojë se edhe bashkëatdhetarët e tij kanë kryer krime gjatë kohës së luftës. "Natyrisht që nuk është njëjtë të jesh përlyer me një njollë apo me një mijë. Trupat legale boshnjake gjatë katër viteve të luftës kanë kryer më pak krime se sa trupat ilegale serbe për një orë", thotë Bakir Izetbegoviq duke shtuar se përkundër të kaluarës mizore të gjitha palët duhet të shohin përpara.

A do të thotë kjo se pavarësisht gjithë asaj çka ka ndodhur duhet të provohet të harrohet e kaluara? Jo, mendon presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq. Mendimet tona duhet të orientohen nga e ardhmja, por fillimisht duhet të jetë përpunuar e kaluara. Rasti më i mirë është ai i vendit të tij, kur kryeministri aktual Milo Gjukanoviq, (ish president i Malit të Zi), para dhjetë vitesh në Dubrovnik kërkoi publikisht falje për të gjitha krimet e kryera në emër të vendit të tij.

Autor: Sanja Blagojevic/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica