1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika: mbrojtje e pamjaftueshme e fëmijëve azilkërkues

Marcel Fürstenau14 Shkurt 2016

CDU/CSU dhe SPD i dhanë fund grindjes për fëmijët e refugjatëve. Por janë shtuar kritikat prej të Ngarkuarit të qeverisë për Keqtrajtimin e fëmijëve dhe nga Këshilli Qendror i Myslimanëve në Gjermani.

https://p.dw.com/p/1Huba
Fotografi: picture-alliance/F. May

Ministri i Brendshëm Gjerman, Thomas de Maiziere (CDU) dhe Ministri i Drejtësisë, Heiko Maas (SPD) gjetën një zgjidhje në mosmarrrëveshjen për bashkimin familjar të refugjatëve. Vendimet e diskutueshme të koalicionit nuk do të ndryshojnë, bënë të ditur ata të enjten. Por ekziston mundësia, që në raste ekstreme, tek refugjatët e mitur me mbrojtje të kufizuar (subsidiare) të lejohet tërheqja e prindërve. Se kur kemi të bëjmë me një rast ekstrem, këtë e vendos Ministria e Jashtme në marrëveshje me dikasterin e Punëve të Brendshme.

Krerët e koalicionit patën rënë dakord në fund të janarit, pas grindjes disamujore për elementë të së ashtuquajturës Paketë për Azilin II. Para një jave i pati vendosur kabineti qeveritar këto plane. Në to është parashikuar ndër të tjera që për grupe të caktuara refugjatësh të ndërpritet për dy vjet bashkimi i familjeve. Kjo do të vlejë për njerëz me "mbështetje subsidiare" - një grup i vogël aktualisht. Këta janë njerëz, të cilët nuk mund të përfitojnë nga e drejta bazë për azil dhe që nuk kanë status mbrojtës në bazë të Konventës së Refugjatëve të Gjenevës, por të cilët për shkak të rrezikut për jetën e tyre lejohet të qendrojnë përkohësisht në Gjermani.

Mazyek: "Qemë të sigurtë se nuk do të kishte ashpërsim të masave"

Kur de Maiziere dhe Maas e bënë të ditur kompromisin e tyre, dy të tjerë prezantuan marrëvëshjen e bashkëpunimit për një mbrojtje më të mirë të fëmijëve të refugjatëve nga dhuna seksuale: i Ngarkuari me rastet e Keqpërdorimit të Fëmijëve i Qeverisë Gjermane, Johannes-Wilhelm Rörig dhe kryetari i Këshillit Qendror të Myslimanëve në Gjermani (ZMD), Aiman Mazyek. Të dy e shfrytëzuan rastin për të kërkuar përmirësime në Paketën e Azilit II.

Rörig e akuzoi qeverinë se nuk dëshiron t'i zbatojë standardet e mbrojtjes së strehimeve të refugjatëve, që i kërkon Bashkimi Evropian. Në projektin për Paketën e Azilit II këto standarde janë hequr, tha ai. "Megjithëse qeveria federale mori dje një Letër Blu nga Brukseli për shkak të mosvënies në jetë të kësaj direktive të pranimit të BE", u shpreh i shqetësuar Rörig. Mazyek u bashkua me këtë kritikë. "Ne qemë të sigurtë se nuk do të kishte ashpërsime të masave". Para së gjithash rreth 60.000 refugjatëve të pashoqëruar duhet t'u bëhet e mundur që "prindërit e tyre të mund të vijnë tek ata".

Rörig: Këshilli Qendror i Myslimanëve në Gjermani "për t'u marrë shembull"

Në një projekt të mëparshëm të projektligjit, personat e mitur qenë përjashtuar nga kufizimi për bashkimin familjar, në mënyrë që të kishin mundësi t'i tërhiqnin prindërit e tyre në Gjermani. Në variantin e vendosur përfundimisht nga kabineti, kjo klauzolë nuk shfaqet më. Rörig-ut, Mazyekut dhe të gjithë kritikëve të tjerë të Paketës së Azilit II u mbetet vetëm shpresa e vogël që në procedurën ligjvënëse parlamentare të bëhen ndryshime siç i përfytyrojnë ata.

Pavarësisht nga kjo, I ngarkuari me rastet e Keqtrajtimit të Fëmijëve dhe Këshilli Qendror i Myslimanëve tërhoqën vemendjen për bashkëpunimin e tyre për mbrojtje nga dhuna seksuale. Nga 13 milionë fëmijët në Gjermani, rreth një milion janë myslimanë, midis tyre shumë janë fëmijë refugjatë, tha Rörig. Këshilli Qendror i Myslimanëve vepron "shkëlqyeshëm" dhe merr përsipër përgjegjësi. Ai shpreson që shoqata të tjera myslimane të ndjekin "sa më shpejt" të njëjtin shembull.