1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshim historik pushteti në Pakistan

Eliana Xhani (dpa)13 Maj 2013

Për herë të parë që prej pavarësisë së Pakistanit në 1947 një qeveri civile i dorëzon pushtetin pasueses me zgjedhje demokratike. SHBA përshëndet kalimin historik paqësor dhe transparent të pushtetit civil.

https://p.dw.com/p/18WjP
Nawaz Sharif mban fjalim në Lahore
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Ish-kryeministri pakistanez Navaz Sharif e ka shpallur veten fitues të zgjedhjeve parlamentare në Pakistan. Sipas stadit aktual të numërimit të votave, Lidhja Myslimane e Sharifit PML-N, ka fituar të paktën 125 nga 272 vendet në Asamblenë Kombëtare. Kështu megjithë fitoren partia e Sharif-it nuk ka shumicën absolute në parlament. Partia PTI e ish-yllit të kriketit Imran Khan, me 34 mandate rezultoi forca e dytë politike. Partia Popullore deri tani në pushtet e presidentit Asif Ali Zardari, pësoi një disfatë të thellë dhe do të përfaqësohet vetëm me 32 mandate në parlament.

Pjesëmarrja në zgjedhje me gati 60 për qind ishte më e larta që prej vitit 1977. Kjo është hera e parë që prej pavarësisë së Pakistanit në 1947, që një qeveri civile i dorëzon pushtetin pasueses me zgjedhje demokratike. Gati gjysmën e kohës fuqia bërthamore është sunduar nga ushtarakët. Të shtunën, ditën e zgjedhjeve, të paktën 29 vetë humbën jetën në atentate dhe sulme.

Presidenti amerikan Barack Obama e përgëzoi Pakistanin për mbylljen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare. SHBA përshëndet kalimin historik paqësor dhe transparent të pushtetit civil, që shënon një moment të rëndësishëm historik në zhvillimet demokratike në Pakistan, deklaroi Obama. Uashingtoni pret me gëzim bashkëpunimin me qeverinë e ardhshme pakistaneze, tha presidenti amerikan. Fituesin e zgjedhjeve Navaz Sharif nga Vëllazëria Myslimane konservatore, Obama nuk e përmendi me emër.