1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110209 Europa Klima

Christopher Plass12 Shkurt 2009

Kryetarë bashkie nga më shumë se 400 qytete dhe komuna vendosën në Bruksel një pakt për klimën. Ata duan që deri në vitin 2020 t´i tejkalojnë objektivat e BE-së për mbrojtjen e klimës.

https://p.dw.com/p/GsKF
Për një të ardhme të gjelbër - qytetet evropiane duan të rrisin angazhiminFotografi: AP

Ndër qytetet që vendosën paktin për klimën janë Bremeni, Hamburgu, Frankfurti, Hajdelbergu, Frajburgu etj. Qytetet duan që edhe të mësojnë prej njëri-tjetrit.

Vizionet për të ardhmen e qyteteve janë: qarkullimi i makinave elektrike, këto makina furnizohen me energji të mbledhur nga era. Nëpër uzinat metalurgjike riciklohen gazrat e emetuara gjatë prodhimit e si rrjedhojë pakësohet emetimi i dioksidit të karbonit, CO2. Në vend të termocentraleve, energjia për ngrohje transportohet nëpër shtëpi përmes impianteve modulare të instaluara enkas në zonat e banimit.

KfW Bankengruppe Windenergie
Energjia e erës bën pjesë tek energjitë e rigjenerueshme. Qytetet duan ta marrin në konsideratë përftimin e një energjie të tillë.Fotografi: KfW-Bildarchiv / Fotograf G.J. Lopata

Këto impiante përftojnë energji për ngrohjen nga toka, era dhe uji. Përdorimi i tyre presupozon edhe ndërtimin e shtëpive me izolim optimal sipas standardeve të fundit. Qytetet marrin përsipër të zbatojnë të gjitha këto norma të reja për të kontribuar në mbrojtjen e klimës.

Sensibilizim i opinionit qytetar për klimën dhe verifikim i vazhdueshëm

Gati 400 përfaqësues të qyteteve dhe komunave, shumica nga vendet e BE-së, e miratuan paktin për mbrojtjen e klimës. Ky pakt parashikon një normë më të lartë të pakësimit deri në vitin 2020 të emisioneve të dioksdit të karbonit në atmosferë nga ajo që ka përcaktuar BE-ja. Janë një sërë qytetesh evropiane dhe gjermane që i bashkangjiten kësaj nisme.

Deutschland Stadt Bremen Marktplatz mit Roland
Do të kthehet Bremeni në një qytet ekologjisht të pastër?Fotografi: picture-alliance / Helga Lade

Senatori i Bremenit për mjedisin, ekologjisti, Reinhard Loske vuri në dukje se përveç kësaj këto qytete e komuna duan edhe të mësojnë nga njëri-tjetri, për të pastruar sa më shumë ajrin: „Unë e konsideroj këtë edhe si një nxitje që ne të sensibilizojmë më shumë opinionin në qytetet tona lidhur me këtë temë. Unë e konsideroj të dobishme që të ketë edhe një evaluim të jashtëm. Çdo dy vjet duhet të raportohet, se çfarë duhet bërë më shumë në mbrojtje të klimës. “

Pra vetëm me nënshkrimin nuk mbaron puna. Çdo dy vjet do të verifikohet, nëse qytetet ndjekin rrugën e duhur. Kompetencën për verifikimin e ka Komisioni i BE-së. Komisioni i BE-së mbështet edhe zgjerimin e sektorit të energjive të rigjenerueshme. Brukseli do të kujdeset, që edhe qytetet e angazhuara të mund të përfitojnë për nismat e tyre nga kreditë e favorshme të Bankës Evropiane të Investimeve.