1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pamje e trishtueshme

3 Mars 2013

Meqenëse Kongresi amerikan nuk arriti kompromis për një reformë buxhetore, hyjnë tani në fuqi shkurtime automatike. Një dëshmi paaftësie për qeverinë dhe opozitën në SHBA, mendon Christina Bergmann.

https://p.dw.com/p/17pGX

Është e pabuesueshme: Presidenti i SHBA-së në vizitat e tij kryq e tërthor vendit shpjegoi për të disatën herë se shkurtimet automatike të buxhetit "do të dobësonin aftësinë ushtarake, do të shkatërronin investimet që krijojnë vende pune në sektorët e arsimit dhe energjisë si dhe në kërkimet në fushën e mjekësisë", se kështu kufijtë dhe rrugët ajrore do të bëheshin të pasigurta. Kriminelët do të gëzoheshin pasi punonjësit eFBI-së do të ishin të detyruar të merrnin leje në vend që të viheshin në ndjekje të tyre. Thënë shkurt: një katastrofë kombëtare.

Dhe pastaj erdhi dita vendimtare: 1 mars 2013. Presidenti doli edhe një herë para shtypit për të paralajmaruar ndaj pasojave të shkurtimeve buxhetore. Por çuditërish shfaqet i qetë dhe madje në fund bën një hap prapa: "Nuk është apokalipsi ... është vetëm marrëzi." Pra nuk është fundi i botës? Fakt është që shkurtimet buxhetore prej 85 miliardë dollarësh në këtë vit buxhetor do të fillojnë të ndjehen vetëm me kalimin e kohës dhe mund të zmbrapsen në çdo kohë nëse do të arrihej marrëveshje në Kongres. Mundësia tjetër është që deputetët të vazhdojnë me metodën drastike të shkurtimit linear të të gjitha subvencioneve dhe t'i shpërndajnë në mënyrë logjike në dhjetë vitet e ardhshme 1,5 bilionë dollarët që duhen kursyer.

Paralajmërimet pasojnë njëri- tjetrin

Pasi është vërtet marrëzi të shkurtosh me të njëjtën masë të gjitha shpenzimet kombëtare pa vendosur prioritete. Në të vërtetë një masë e tillë nuk duhej të hynte kurrë në fuqi. Ajo ishte parashikuar si mjet trysnie për t'i detyruar demokratët dhe republikanët të arrinin një kompromis në zënkën për buxhetin, kur partitë nuk hiqnin dorë nga pozicionet e tyre në polemikën për kufirin e sipërm të borxhit në 2011.

Që atëherë një gjë u bë e qartë: ultimatumet në këtë Kongres nuk çojnë në zgjidhjen e problemeve por në shtyrjen e tyre. Debati për ngritjen e kufirit të sipërm të borxhit bëhet sërish aktual në mes të majit të ardhshëm. Dhe në 27 mars qeveria amerikane do të jetë sërish e paaftë të shlyejë detyrimet nëse Kongresi nuk vendos që buxheti i 2012 të aplikohet edhe për 2013-n. Në SHBA prej vitesh nuk është miratuar më një buxhet dhe atë për vitin fiskal 2013 Presidenti as që e ka paraqitur. Afati për këtë skadoi të martën 26.02.2013. Si arsye u dha debati për murin buxhetor në fund të 2012. Një qeverisje e aftë ka tjetër pamje!

Kokëfortësia e republikanëve

Dhe kështu vendi shkon nga një afat në tjetrin nga një pseudo-krizë në tjetrën. Problemi i vërtetë nuk janë megjithatë kufijtë e borxhit të vendosur në mënyrë arbitrare apo shkurtimet automatike të buxhetit, por paaftësia e deputetëve për të gjetur zgjidhje konstruktive. Problemi është mali i borxheve prej më shumë se 16 bilionë dollarësh, i cili vazhdon të rritet pa ndërprerje dhe programet e sigurimit social, të cilat nuk mund të financohen më pa kryerjen e reformave.

E megjithëse demokratët dhe Presidenti i tyre nuk kanë fituar lavdi me përhapjen e panikut, problemi kryesor mbeten republikanët. Ata humbën zgjedhjet e fundit presidenciale por ngulin edhe më tej këmbë në linjën e tyre "jo taksa të reja", pasi patën bërë lëshim në fund të vitit 2012. Për ta duket se nuk është problem ta zhysin vendin në krizë për të shënuar pikë në politikë. Fjala "kompromis" është kthyer në një sharje. John Boehner, kryetari i shumicës republikane në Dhomën e Pëfaqësuesve, nuk ka autoritet në partinë e vet dhe republikanët kanë në Senat një minoritet bllokues, të cilin e përdorin me shumë kënaqësi, pa e vrarë mendjen për pasojat.

Populli distancohet

Bota e financave ende nuk ka reaguar ndaj teatrit të fundit në politikën amerikane. Por populli beson se shkurtimet do të kenë pasoja të forta në ekonominë e SHBA-së. 45 për qind e të anketuarve në një sondazh të Institutit Pew, bëjnë përgjegjës për hyrjen në fuqi të masave republikanët në Kongres, dhe 32 për qind Presidentin Obama. 13 për qind besojnë se të dyja palët janë fajtore. Por gjithnjë e më shumë amerikanë të frustruar nuk e ndjekin më fare debatin.

Christina Bergmann
Christina BergmannFotografi: DW

Ndoshta është kjo rruga e vetme për t'i detyruar deputetët dhe qeverinë të bëjnë punën e tyre dhe të rimëkëmbin buxhetin me një kompromis për rritje të taksave dhe shkurtime të subvencioneve: Kur aktorët të dallojnë se nuk kanë më spektatorë, se gjestet e tyre teatrale nuk kanë më asnjë efekt dhe se ultimatumet nuk kanë më vlerë. Por aktualisht Kongresi i ngjan një kopështi fëmijësh në të cilin fëmijë kryeneçë zihen për lodrat ndërkohë që edukatorja kërcënon vazhdimisht me dënim por në fund ngre supet e pafuqishme. Një pamje e trishtueshme kjo që ofron aktualisht demokracia më e vjetër dhe superfuqia e fundit e globit.

Autor: Christina Bergmann

Redaktoi: Eliana Xhani