1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa bën thirrje për paqe në gadishullin e ndarë të Koresë

Angjelina Verbica (kna, dpa)14 Gusht 2014

Gjatë vizitës së Papës në Korenë e Jugut fqinji verior Korea e Veriut ka testuar përsëri disa raketa me rreze të shkurtër. Papa Françesku i bëri thirrje udhëheqjes politike në Seul për dialog.

https://p.dw.com/p/1CugZ
Papst Françesku në Korenë e Jugut, 14.08.2014
Fotografi: Reuters

Raketat me rreze të shkurtër veprimi ranë në Detin e Japonisë, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut. Tri raketat e para u hodhën pak para ardhjes së Papa Françeskut, dy goditje të tjera pasuan disa orë më vonë.

Në muajt e fundit Koreja e Veriut ka provokuar fqinjin e saj jugor me disa testime raketash. Këshilli i Sigurimit i OKB-së e dënoi hedhjen e raketave dhe akuzoi në mes të korrikut udhëheqjen komuniste të vendit për shkelje të rezolutave të OKB.

Ndalohet pjesëmarrja e besimtarëve nga veriu në meshë

Papa Françesku do të qëndrojë pesë ditë në Korenë e Jugut. Një nga meshat e tij në Seul do t'i kushtohet pajtimit në mes Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut. Por ardhja e katolikëve nga Veriu komunist u ndalua nga qeveria në Phenian.

Si arsye u përmend planifikimi i një stërvitjeje ushtarake e Koresë së Jugut me SHBA. Manovrat e përbashkëta do të fillojnë të hënën dhe do të simulohen kryesisht në kompjuter. Megjithatë dhjetëra mijëra ushtarë nga të dy vendet janë të përfshirë në to.

U dënua demonstrimi i forcës

Në një fjalim në pallatin presidencial në Seul Papa Françesku u bëri thirrje anëtarëve të qeverisë dhe diplomatëve, që të angazhohen për dialog me Veriun. Paqja nuk mund të arrihet me "fajësime reciproke, kritika të padobishme dhe demonstrim të pushtetit," tha Papa. Paqja e qëndrueshme në Kore kontribuon për stabilitetin në rajon, si dhe në të "gjithë botën e lodhur nga lufta".

Mesazhet e mirëseradhjes mbushin rrugët e Seulit.
Mesazhet e mirëseradhjes mbushin rrugët e Seulit.Fotografi: Jung Yeon-Je/AFP/Getty Images

Për shkak të rritjes shumë të shpejtë të komunitetit katolik, Korea e Jugut është zgjedhur si destinacioni i parë i vizitës së Papës në Azi. Edhe pse jo më shumë se një ndër dhjetë nga 50 milionë koreanojugorët është katolik, për shkak të vizitës së Papës vendi është prej disa ditësh në gjendje të jashtëzakonshme. Mesazhet e mirëseradhjes për Papën mbushin rrugët e Seulit, gjithashtu lulëzon tregtia me suvenire me figurën e Papës, me medalje dhe relike të tjera.