1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa Benedikti i XVI për vizitë në Shtëpinë e Bardhë

16 Prill 2008

Papa Benedikti i XVI-të do të pritet sot nga presidenti i SHBA Xhorxh Bush në Shtëpinë e Bardhë. Bush dhe bashkëshortja e tij Laura e pritën Kreun e Kishës Katolike romane në bazën ajrore Andrews pranë Uashingtonit.

https://p.dw.com/p/Dj3w
Papa Benedikti i XVI viziton USA-në
Papa Benedikti i XVI viziton USA-nëFotografi: AP
Ishte hera e parë që presidenti i SHBA priste personalisht një vizitor të huaj në aeroport. Sot Papa do të takohet edhe me ipeshkvë në SHBA. Në takime pritet të flitet edhe mbi keqtrajtimin seksual të fëmijëve nga priftërinj amerikanë. Gjatë fluturimit në SHBA Papa Benedikt deklaroi se pedofilia nuk duhet pranuar në shërbimin kishtar.


"Jemi shumë të brengosur për kishën në SHBA dhe për kishën në përgjithësi. Dhe unë personalisht jam shumë i trishtuar për atë që ka ndodhur. Kur lexoj historitë e këtyre viktimave është e vështirë për mua të kuptoj se si ishte e mundur që këta priftërinj të tradhtonin kështu misionin e tyre i cili është t'u ofrojnë dashurinë e Zotit fëmijëve. Jemi thellësisht të turpëruar dhe do të bëjmë ç'është e mundur që një gjë e tillë të mos ndodhë në të ardhmen."


Më shumë se 4.000 priftërinj në SHBA akuzohen për keqtrajtimin seksual të fëmijëve. Vetëm gjatë vitit 2007 kisha u ka paguar rreth 615 milionë dollarë zhdëmtime viktimave.