1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa, kardinalët e rinj dhe globalizimi i kishës

18 Nëntor 2016

Papa Françesku do ta kthejë kishën në një kishë të hapur ndaj gjithë botës. Ai po e rinon dhe ndërkombëtarizon konklavën.

https://p.dw.com/p/2Sr6w
Schweden Papst Franziskus
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Ekstroemer

Sipas At Bernd Hagenkord ndërkohë Kisha Katolike po merr një imazh të ri global. "Po, kështu jemi ne tani në shekullin e 21-të", thotë për DW, kryeredaktori i seksionit gjerman të Radio Vatikanit. "Ne nuk jemi më një kishë europiano-qendrore me degë në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine. Por ne jemi një kishë botërore - e kjo edhe shihet."

Edhe në radhët e kardinalëve. Këtë të shtunë (19.11.2016) Papa Françesku do të pranojë 17 kardinalë të rinj në kolegjumin e kardinalëve. Kreu i Kishës i cili vjen - ashtu siç thotë vet -  "nga fundi i botës" angazhohet që edhe në kolegjumin e kardinalëve të ketë forca nga "anë të tjera të botës". Papa 80 vjeçar po e rinon dhe ndërkombëtarizon kolegjumin e kardinalëve. Në zgjedhjen e tij si pasardhës i Papa Benediktit të XVI në mars 2013 në konklave merrnin pjesë 115 kardinalë me të drejtë vote nga 48 vende. Duke nisur nga diela (20.11) do të ketë 121 zgjedhës të mundshëm të papës nga 60 vende. Një ndërkombëtarizim të tillë nuk ka pasaur asnjëherë. Kisha botërore e karakterizuar kryesisht si europiano-italiane nuk është treguar asnjëherë kaq globale sa sot.

"Jo karrieristë"

E si duhet të jetë një kardinal ideal sipas Papa Françeskut? "Kriteri i parë është: ai nuk e do aspak titullin. Ata nuk janë njerëz që synojnë karrierën", thotë Hagenkord. E po ashtu ata janë më shumë "priftërinj baritorë, njerëz që e dinë se si është gjendja në vendin ku shërbejnë dhe janë më pak juristë karriere të kishës." E po ashtu, sipas kryeredaktorit në Radio Vatikan, ata nuk vijnë si zakonisht nga peshkopatat e mëdha europiane. Por nga vende, ku njohin realitete krejt të ndryshme dhe kanë të bëjnë me situata ekstreme. Më 2015 ishte befasuese emërimi kardinal i Francesco Montenegros, kryepeshkopi i Agrigentit përgjegjës për Lampeduzën. Të dielën ndër të tjerë do t'i shtohen kolegjumit edhe peshkopi i Port-Louis nga Mauricius, Maurice Piat, dhe kryepeshkopi i Port Moresby në Papua-Guinean e Re, John Ribat.

Po ashtu edhe Dieudonné Nzapalainga do të jetë i ri në kolegjum. Afrikano-qendrori ende nuk i ka mbushur 50 vjeç dhe së shpejti do të jetë kardinal. Prej dekadash askush nuk ka arritur të bëhet kardinal kaq i ri - ish-kryepeshkopi i Berlinit, Rainer Maria Woelki më 2012 u bë anëtar i kolegjumit të kardinalëve në moshën 55 vjeçare. Njeriu i urdhërit nga republika afrikano-qendrore e karakterizuar prej varfërisë, dhunës dhe trazirave politike mishëron për Papën kishën e së ardhmes.

Nga 13 votues të mundshëm të papës tani tre vijnë nga Europa dhe tre nga Amerika e Veriut. Ndërsa para dy vjetësh ishin plot 50% votues të mundshëm të papës nga Europa. Tani janë 44%, kaq pak nuk ka pasur asnjëherë që nga koha e antikitetit.

Nuk bëhet fjalë thjeshtë për folklor

Kësisoj gjithnjë e më shumë kisha edhe në kryesinë e saj po bëhet dukshëm një kishë botërore. I ashtuquajturi konsistorium, ceremonia zyrtare e emërimit të kardinalëve në katedralen e Shën Pjetrit po bëhet më e larmishme dhe më familjare. Ky nuk është folklorizëm global. Sepse në një konklavë me përbërje ndërkombëtare është më e vështirë të ketë lidhje dhe marrëveshje paraprake midis zgjedhësve të papës. "Nëse - kurdo qoftë - papa i ardhshëm do të zgjidhet", thotë Pater Hagenkord, "Françesku do të sigurojë, që në të të jetë e përfaqësuar vërtetë e gjithë kisha botërore, edhe ata, që kanë vërtetë diçka për të thënë në një kishë katolike në ndryshim në mbarë botën."