1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa liron nga detyra ipeshkvin e kontestuar

Klaus Dahmann / Lindita Arapi27 Mars 2014

Papa Françesku ka pranuar kërkesën për dorëheqje të ipeshkvit të Limburgut Tebartz- van Elst. Ipeshkvit u kritikua ashpër për shkak të shpenzimeve luksoze në ngritjen e një rezidence në Limburg.

https://p.dw.com/p/1BWAT
Tebartz van Elst
Tebartz van ElstFotografi: picture-alliance/dpa

Nga deklarata e Vatikanit nuk kuptohet nëse ipeshkvi i shumëpërfolur gjerman Tebartz- van Elst e kërkoi vetë dorëheqjen. Aty thuhet vetëm se "është shqyrtuar me vëmendje" raporti i kontrollit mbi rezidencën e kontestuar të ipeshkvit. Në Limburg është krijuar një gjendje e atillë, që e pengon "ushtrimin e frytshëm të postit të ipeshkvit" nga ana e Tebartz- van Elst. Megjithatë ipeshkvi do të ngarkohet me një detyrë tjetër në "një kohë të përshtatshme."

Ipeshkvi Tebartz- van Elst u vu në shënjestër të mediave pasi ai për një kohë të gjatë lejoi paqartësi të shumta mbi shpenzimet e bëra për rezidencën e ipeshkvit. Së fundmi u publikua shifra se i gjithë projekti kishte kapur shifrën e 31 milionë eurove - 10 herë më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht. Arsyeja e shpërthimit të kostove ishin tekat luksoze të ipeshkvit.

Fillim i ri

Në Limburg tani funksionet e ipeshkvit do të kryhen nga një peshkop pa titull, një gradë më poshtë se ipeshkvi, në këtë rast konkretisht nga Manfred Grothe nga Paderborni. Ai ka qenë kryetetar i komisionit të shqyrtimit të aferës së Limburgut. Papa Françesku u bëri thirrje besimtarëve në dioqezën e Limburgut që të rikthejnë "klimën e mirësisë dhe pajtimit". Përfaqësues të lartë të kishës reaguan të lehtësuar pas këtij vendimi. "Është një lajm i mirë", tha kreu i Konferencës Gjermane të Ipeshkëve", kardinali Reinhard Marx, " që Papa ka marrë një vendim që i jep fund pasigurisë në Limburg dhe hap rrugën për një fillim të ri". Për këtë epokë të re janë të nevojshme sipas kardinalit, "gatishmëri për pajtim, besim i ri dhe fuqia e lutjeve".

Proteste Kostenexplosion Bischofssitz Limburg
Fotografi: DW/A. Grigo

Limburgu e pret pozitivisht lajmin

Në të njëjtën mënyrë është shprehur edhe ipeshkvi i Paderbornit, Hans-Josef Becker. Papa Françesku ka mundësuar një "fillim të vërtetë" në Limburg. Ai dëshiron që dioqeza e Limburgut tanimë të "kthehet në ujërat e qeta".

Një lehtësim i madh ndjehet edhe në Limburg. Zëdhënësi i Këshillit të Priftërinjve të Limburgut, Reinhold Kalteier tha se "Limburgu po merr frymë lirisht". Koha e pritjes dhe e pasigurisë nëse Tebartz- van Elst do të kthehet apo jo ka qenë e padurueshme. Edhe presidentja e Asamblesë së Dioqezës së Limburgut, Ingeborg Schillai e sheh të drejtë vendimin e papës. "Tani duhet të shohim përpara".

Sinjal për kishën

Edhe organizatat e tjera jashtë kishës kanë reaguar pozitivisht ndaj vendimit të Papës. Për presidentin e Komitetit Qendror të Katolikëve Gjermanë, Alois Glück ky vendim ka një "rëndësi të madhe". Madje "nga përvoja e dioqezës së Limburgut është e rëndësishme të nxirren mësime për të gjithë kishën në Gjermani". Kjo vlen sidomos për transparencën e financave të kishës dhe punën e instancave të kontrollit. Edhe lëvizja reformuese "Ne jemi kisha" kërkon të merren masa pas aferës së shpenzimeve të Tebartz- van Elst. "Bëhet fjalë që të mësojmë nga konflikti i Limburgut, dhe vendimi duhet të ketë efekt sinjalizues për të gjithë kishën", thuhet në një deklaratë të kësaj lëvizjeje.