1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papandreu përçan Pasokun

la/dpa/rtr, ape3 Janar 2015

Pak para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Greqi, ish-kreu i qeverisë greke bën të ditur krijimin e një partie të re të majtë. Ky hap zemëron socialistët grekë.

https://p.dw.com/p/1EEUJ
Symbolbild - PASOK Partei
Fotografi: picture-alliance/dpa

Përçahet Pasoku. Ish-kreu i qeverisë greke, Papandreu prezanton të shtunën emrat dhe programin e partisë së tij të re, në muzeun Benaki në Athinë, bën të ditur agjencia e lajmeve Ana. Që të premten Papandreu bëri të ditur krijimin e një lëvizjeje të re të majtë, me qëllim nxerrjen e vendit nga kriza. "Vit i ri, fillim i ri", bëri të ditur Papandreu në faqen e tij të internetit. "Ka ardhur momenti...() që së bashku të ngremë një shtëpi të re politike, e cila mban brenda parime tona progresive."

Papandreu kërkon me partinë e tij që pas zgjedhjeve të luftojë që Greqia ta mbyllë përfundimisht kapitullin e krizës. Kongresi i parë i "lëvizjes së re, që ndjek parimet e demokracisë, socializmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm do të bëhet pas zgjedhjeve", thotë ai.

Reagime të zemëruara

Me këtë deklaratë Papandreu përçan lëvizjen panhelenike socialiste, të cilën e themeloi në vitin 1974, babai i tij, Andreas Papandreu, e cila qeverisi vendin më shumë se 20 vjet. Themelimi i një partie të re bëhet tre javë para zgjedhjeve parlamentare në Greqi më 25 janar. Zgjedhjet e parakohshme u bënë të nevojshme pas dështimit të parlamentit grek për zgjedhjen e presidentit të ri në tre raunde zgjedhore. Reagimet nga partia e Papandreut janë të zemëruara për "këtë veprim politik absurd të 62 vjeçarit, që e përçan prtinë dhe i shërben vetëm interesave të Papandreut. Një zëdhënëse e Pasokut e cilësoi këtë veprim të ish-kreut të qeverisë greke si "të pamoralshëm". Kjo krijesë është një "parti personale", thuhet në një deklaratë të socialistëve.

Papandreu u zgjodh kreu i Pasokut në vitin 2004 dhe në vitin 2009 kryeministër i vendit. Me shpërtimin e krizës së euros ai negocioi me kreditorët ndërkombëtarë një paketë ndihme disamiliardëshe, gjë që e shpëtoi Greqinë nga falimentimi në vitin 2010, por e detyroi qeverinë të ndërmarrë masa drastike kursimi. Në vitin 2011 Papandreu u detyrua të japë dorëheqjen pas zemërimit që shkaktuan deklaratat e tij se do të organizojë një referendum në Greqi për qëndrimin ose jo në eurozonë. Pas dorëheqjes së tij si kreu i qeverisë dhe i partisë Pasok, ai u pasua nga Evangelos Venizelos. Të dy politikanët pas këtij veprimi nuk janë pajtuar më me njëri-tjetrin-. Në vitin 2012 Pasok pësoi një humbje historike në zgjedhje. Ndërkohë në sondazhet e tanishme partia renditet pas radikalëve të majtë të Syrizës dhe partisë konervatore Nea Demokratia.