1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papandreu zgjidhet sërish kryetar i socialistëve

Niko Anagnosti12 Nëntor 2007

Dy muaj pas humbjes së thellë të opozitës socialiste në zgjedhje Jorgos Papandreu u rizgjodh sërish në post dhe bile me një fitore të thellë ndaj dy kandidaturave të tjera.

https://p.dw.com/p/CAXW
Kryetari i socialistëve grekë, George Papandreou
Kryetari i socialistëve grekë, George PapandreouFotografi: AP

Papandreu mori 60 përqind të votave duke lenë shumë pas kundërshtarin e tij kryesor Evangjellos Venizellos me 33.4 përqind, dhe duke përmbysur kështu avantazhin e madh të këtij të fundit fill pas zgjedhjeve. “Të gjithë bashkë bëmë hapin e parë të përmbysjes së madhe për ndërtimin e një sistemi të tillë politik që respekton qytetarin, që i jep zë edhe fuqi popullit” tha Papandreu duke treguar si të vetmin kundërshtar forcat konservatore dhe duke dhenë një stigmë të re në jetën politike të vendit."

Ishte fitorja e parë e madhe e Jorgos Papandreu

Zgjedhje në Greqi, 14 shtator 2007
Zgjedhje në Greqi, 14 shtator 2007Fotografi: AP

Me mënyrën e rizgjedhjes së tij, një votim që përfshiu gjithë bazën e partisë dhe mori karakterin e një plebishiti mbarëpopullor, ai shënoi dhe novacionin e parë në jetën politike të vendit. Ky novacion bëhet më i rëndësishëm dhe nga fakti se në të u përfshinë për herë të parë edhe emigrantët, në një kohë që akoma nuk kanë fituar as të drejtën e tyre në zgjedhjet e pushtetit vendor.

Migrantët votojnë për Pasok-un

“Pjesëmarrja e emigrantëve në votimin për zgjedhjen e kryetarit të PASOK-ut është një provë e integrimit të tyre në shoqerinë greke, një shpresë për integrimin e tyre të plotë në të ardhmen, një shpresë për emancipimin e shoqerisë greke dhe një shpresë për një evropianizim më të gjerë të kësaj shoqërie” thotë Aristotel Spiro, që së bashku me pjesën dërrmuese të votuesve të bashkatdhetarëve të tjerë votues nuk e fshehin se voten e tyre e dhanë për Jorgo Papandreun. Mimoza Miçi, nga aktivistet e emigracionit, që nga qendra telefonike e partisë nxiste bashkpatriotet e saj për të marrë pjesë në votime, shpjegon dhe arësyen e kësaj vote: “Programi i PASOK-ut u garanton të drejta politike emigrantëve, nështetësi femijve të tyre që janë përfshirë në sistemin arsimor grek. Duke votuar për Papandreun votuam për veten tonë dhe të ardhmen e fëmijve tanë”.

“Ka rëndësi të madhe qe ne iu japin fjalën dhe mundësinë që të vendosni për të ardhmen e atdheut tuaj të ri” kishte thenë Papandreu në apelin e tij paraprak në një takim entuziast me të gjitha komunitetet e emigracionit. Materializimi i një politike më të hapur për emigracionin mbetet një tjetër sfidë për kursin e ri politik të PASOK-ut, që shpreson të shkojë shpejt në zgjedhje të parakohshme dhe ti fitojë. Sidoqoftë, fitorja dërrmuese e Papandreut pa fshehur pikëpamjet e tij të avancuara për emigracionin, tregon se elektorati nuk është kundër politikave të tilla siç shprehen disa zëra konservatore dhe brenda radhëve të partisë socialiste.