1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

280911 Roma Proteste Bulgarien

29 Shtator 2011

Prej ditësh Bullgaria nuk po gjen qetësi. Mijëra vetë protestojnë në qytetet më të mëdha bullgare kundër pakicës rome. Shkak për fillimin e protestave u bë vdekja e një 19 vjeçari në një fshat jugor të Bullgarisë.

https://p.dw.com/p/12ifa
Protesta në qytetet bullgare
Protesta në qytetet bullgareFotografi: picture-alliance/dpa

Një aksident, sipas gjasave, me sfond kriminal solli shpërthimin e tensioneve etnike në Bullgari, të akumuluara prej kohësh. Në një fshat të vogël në Katunicë, në jug të Bullgarisë u shtyp me makinë 19 vjeçari me origjinë sllave, Angel Petrov. Në timonin e mikrobuzit ishte një anëtar i klanit rom të Kiril Rashkovit, i quajtur edhe car Kiro. Ngjarjes i ka paraprirë një sherr mes familjes së djalit të vrarë dhe baronit rom, njoftojnë dëshmitarët.

Kili Rashkov është njeriu më i pasur në Katunicë dhe i njohur në Bullgari. Pasurinë car Kiro e ka vënë me sa duket falë pazareve ilegale, por asnjëherë nuk ka dalë para gjyqit. Kiril Rashkov ka terrorizuar prej vitesh fshatin, ankohen banorët e tij: "Nuk ka njeri në këtë fshat që nuk ka marrë kërcënim prej tij" thotë një banor.

Mijëra vetë i japin lamtumirën të riut bullgar
Mijëra vetë i japin lamtumirën të riut bullgarFotografi: AP

Protestat vazhdojnë

Vdekja e të riut, Angel Petrov i ka zemëruar njerëzit në Katunicë. Ata u mblodhën para shtëpive rome dhe i dogjën ato. Tifozë huliganë u bashkuan me protestën e dhunshme. Si rrjedhojë u zhvilluan përleshje me policët, ku humbi jetën edhe një i ri 16-vjeçar, sipas të dhënave të deritanishme nga infarkti në zemër. Pesë vetë u plagosën, 130 të tjerë u shoqëruan në polici.

Ky ishte fillimi i protestave. Përmes facebookut njerëzit nga i gjithë vendi bashkohen në grupe të organizuara për të mbështetur banorët e Katunicës. Protesta virtuale kaloi shpejt në rrugë. Mijëra vetë grumbullohen prej ditësh në qytetet më të mëdha bullgare. Të rinjtë, ndër ta mjaft minorenë përdorin parulla raciste dhe nacionaliste si "Ciganët- sapun" dhe "Jashtë ciganët", si edhe përleshen me policinë.

Përleshje me policinë
Përleshje me policinëFotografi: picture-alliance/dpa

Paragjykime kundër romëve

Bullgaria, vendi me numrin më të madh të myslimanëve në BE krenohet me paqen etnike në vend. Duket se kjo paqe tashmë është rrezikuar. Fakt është që pakënaqësitë kundër pakicës rome janë në rritje prej dy vjetësh. Raste të tilla, si ai i Katunicës degradojnë në tensione etnike në nivel lokal, thotë sociologja, Anna Mantarova, që ka bërë disa studime për këtë temë.

"Gati 90% e popullsisë bullgare me origjinë sllave beson se romët jetojnë në kurriz të shtetit. Gati po kaq vetë besojnë se romët nuk i respektojnë ligjet. Këtyre i shtohen edhe veprimet joefektive të shtetit - kriminelët nuk dalin para drejtësisë dhe mund të jetojnë si edhe më parë pa u ndëshkuar. Zhgënjimi i grumbulluar projektohet tek grupi etnik i romëve."

Që shumica e vjedhjeve të zbuluara, plagosjeve janë kryer nga autorë me prejardhje rome, këtë e mbulojnë statistikat e vitit 1998, kur është bërë një evidentim i parë i përkatësisë etnike të kriminelëve thotë Anna Mantarova. Kjo nuk ka ndryshuar që atëherë, megjithëse nuk janë bërë evidenca të reja, thotë Mantarova. Edhe gjendja e vështirë sociale ndikon tek tensionet etnike.

Presidenti bullgar Georgi Parvanov
Presidenti bullgar Georgi ParvanovFotografi: AP

Njerëzit reagojnë me shumë ndjeshmëri kur vjen puna tek shpërndarja e asistencave sociale. "Tetë nga dhjetë bullgarë ndjehen të kërcënuar nga romët në një masë të caktuar", thotë sociologja që nuk e mbështet formën e protestës.

Politika po përpiqet të qetësojë gjakrat. Presidenti i Bullgarisë, Georgi Parvanov dhe kryeministri Bojko Borissov që rrallë janë të një mendimi, dolën së bashku para kamerave dhe paralajmëruan nga rritja e tensioneve etnike në vend. Shkallëzimi do ta izolojë vendin, theksoi kryeministri Borisov.

Autor: Blagorodna Grigorova/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti