1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Para për Ukrainën dhe një apel vendeve të Eurozonës

Sabin Kinkartz13 Mars 2015

Përqendrim të kompetencës, kështu mund ta quash mbledhjen në një tryezë të shefave të pesë institucioneve drejtuese të organizatave ekonomike dhe financiare ndërkombëtare. Në Berlin ata takuan kancelaren Angela Merkel.

https://p.dw.com/p/1EqLj
Berlin - Christine Lagarde trifft Angela Merkel
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Loos

Kancelarja mund të jetë e kënaqur. Christine Lagarde, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Angel Gurria, Sekretari i Përgjithshëm i organizatës së vendeve të industrializuara OECD e lëvduan Gjermaninë. Ajo funksionon mirë, tha Lagarde, e cila theksoi shprehimisht edhe investimet e planifikuara shtesë të qeverisë gjermane në infrastrukturë. Guria konfirmoi se Gjermania ka një aftësi të madhe për konkurrencë. Gjermania për fat të mirë ndoqi një rrugë tjetër, nga ajo e shumë vendeve të tjera, në të cilat prodhimtaria vitet e shkuara është rritur shumë më ngadalë se pagat, tha ai.

Dy orë zgjati diskutimi (11.03) në zyrën e kancelares, në të cilin mori pjesë edhe Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, shefi i Organizatës Botërore të Tregtisë, WTO, Roberto Azevedo, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Punës, ILO, Guy Ryder. Në fund u publikua një deklaratë e përbashkët shtypi me një apel për më shumë reforma dhe rritje ekonomike. "Rreziqet gjeopolitike janë shtuar në shumë rajone të botës dhe paraqesin një barrë të konsiderueshme për zhvillimin ekonomik të përbotshëm", thuhet në deklaratë. Në një kohë parashikimesh të pasigurta për rritje ekonomike, përpjekjet për reforma ambicioze duhet të përforcohen. Përpjekjet e shumë vendeve të eurozonës, për ta rritur aftësinë prodhuese dhe punësimin dhe për të përmirësuar buxhetet janë për t'u lëvduar. Në deklaratë kërkohen megjithatë "përpjekje të tjera", para së gjithash lufta kundër papunësisë tek të rinjtë, reformat strukturore dhe "konsolidimi që të mbështesë rritjen ekonomike".

Politikë monetare me rreziqe

Në bazë të raportit të aktualizuar të janarit të FMN për perspektivat koniunkturore globale, sivjet ekonomia botërore do të shënojë një rritje prej 3,5 përqind dhe 3,7 përqind vitin e ardhshëm. IAO beson se numri i të papunëve do të rritet me tre milionë në të gjithë botën. Christine Lagarde u shpreh optimiste e rezervuar për zhvillimin ekonomik të përbotshëm. "Për herë të parë prej shumë kohësh kemi lajme pozitive". Për shefen e FMN këtu luan para së gjithash rol riforcimi i ekonomisë në SHBA dhe një zhvillim i mirë ekonomik në Britaninë e Madhe.

Në Evropë, ekonomia pritet të zhvillohet më mirë se sa pritej. Në vendet në ekspansion ekonomik nga ana tjetër, ekonomia do të rritet më ngadalë dhe "për fat të keq në mënyrë modeste", në vendet më të varfra rritja ekonomike do të jetë më e ulët. Nga rënia e çmimit të naftës, ngritja e vlerës së dollarit si dhe zhvlerësimi i jenit dhe i euros përfitojnë para së gjithash vendet e industrializuara. Kësaj i shtohen interesat e ulëta bankare për kreditë.

Pavarësisht nga krizat aktuale gjeopolitike, Lagarde sheh në politikën aktuale monetare rreziqet më të mëdha për një rritje të mëtejshme ekonomike. Problematike është sipas saj shkëputja e zhvillimeve midis SHBA, Evropës dhe Japonisë. Në një kohë kur Banka Qendrore në SHBA po i rikthehet një "politike më tradicionale monetare", BQE dhe Banka Qendrore e Japonisë ndjekin një kurs të parasë së lirë. "Kjo do të thotë në mënyrë të qartë një paqendrueshmëri më e madhe", paralajmëroi shefja e FMN.

Lagarde u shpreh më tej për aprovimin e kredisë së FMN për Ukrainën. Ukraina do të marrë 17,5 miliardë dollarë (15,5 miliardë euro). Programi i ndihmave është shtrirë në katër vjet.

Kancelarja Merkel tha pas bisedës me shefat e organizatave ndërkombëtare se takimi këtë vit ishte veçanërisht i rëndësishëm, sepse aktualisht Gjermania ka presidencën e G-7-ës, të shtatë vendeve drejtuese ekonomike. Këto vende funksionojnë si shembuj për botën, dhe qeveria gjermane është e vendosur që çështjet bazë të politikës së jashtme, të sigurisë, të klimës dhe të zhvillimit t'i diskutojë në raundin e G-7-ës.Veç kësaj do të avancohen iniciativa të reja në sektorët e ambjentit, të energjisë dhe të politikës shëndetësore, si dhe të pjesëmarrjes së grave.