1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paralizohet transporti publik në Bruksel

8 Prill 2012

Në Bruksel tramvajet, metroja dhe autobuzët kanë ndaluar. Sindikatat kërkojnë masa sigurie të qarta dhe mbrojtje nga sulmet në detyrë.

https://p.dw.com/p/14ZVV
Ndalon qarkullimi publik në Bruksel
Ndalon qarkullimi publik në BrukselFotografi: AP

Pas një sulmi vdekjeprurës ndaj një punonjësi të transportit publik në Bruksel, në qytet është paralizuar i gjithë transporti publik. Kjo gjendje do të vazhdojë gjatë gjithë festës së Pashkëve, deri të martën pasdite. Punonjës dhe sindikalistë të Ndërmarrjes së Transportit STIB e morën vendimin për të ndaluar qarkullimin e autobuzëve, tramvajeve dhe trenave pas kësaj ngjarjeje tragjike deri sa të takohen me ministren e Brendshme, Joëlle Milquet.

"Ne presim masa të qarta dhe të fuqishme, dhe jo hapa të vegjël", thotë një përfaqësues i sindikatës CSC-Transcom, Robert Timmermans. "Problemi i sigurisë në transportin publik nuk është i ri".

Stacioni qendror i trenit i Brukselit
Stacioni qendror i trenit i BrukselitFotografi: picture-alliance/dpa

Punonjësin 56 vjeçar të transportit publik e patën thirrur në orën 07:00 të mëngjesit të së shtunës në një aksident që kishte ndodhur midis një autobusi dhe një veture. Ai duhet të shënonte të dhënat. Në vendin e aksidentit, pronari i veturës e goditi kontrollorin kaq fort, sa ai vdiq më vonë në spital. Ndërkohë, të dyshuarin si doras e kanë arrestuar.

Autor: dpa/afp/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti