1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti evropian debatoi për gjendjen e romëve në Evropë

8 Tetor 2010

Këshilli i Evropës kërkon ndalimin e dëbimit të romëve në Kosovë. Gjatë një debati me procedurë urgjente në Parlamentin Evropian u tha se në Kosovë për romët duhet të përmirësohen kushtet e jetesës.

https://p.dw.com/p/PZGC
Sinti dhe romë në Bullgari
Sinti dhe romë në BullgariFotografi: picture-alliance/Ton Koene

Debati pritej me vëmendje, sepse për fjalë u paraqitën 40 eurodeputetë nga 18 vende të ndryshme. Shumë prej tyre në fund, për shkaqe kohe, nuk arritën të flasin. Ndërsa ata që morën fjalën shprehën shqetësimin e tyre të thellë për pozitën e migrantëve romë në Evropë. Këshilli i Evropës me një rezolutë kërkon edhe ndërprerjen e dëbimit të romëve në Kosovë. Për këtë ka pasur kritika ndaj qeverisë në Berlin, e cila ka nënshkruar këtë vit një marrëveshje me qeverinë kosovare për dëbimin e romëve. Eurodeputeti britanik, John Greenway, kryetar i Komisionit për Migracionin dhe Refugjatët në Këshillin e Evropës, u shpreh kundër dëbimit të romëve në Kosovë.

Nuk duhet të ketë dënime kolektive

„Dëbimet kolektive janë të ndaluara dhe pikë. Së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës ne kërkojmë që të mos dëbohet asnjë rom për në Kosovë, pa siguruar kushtet normale për jetën e tyre."

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Thomas Hammarberg kërkoi më shumë tolerancë.

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Thomas Hammarberg.
Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Thomas Hammarberg.Fotografi: Toni Glamcevski

"Ka romë që janë bërë kriminelë, ndërsa disa prej tyre janë keqpërdorur për këto qëllime. Politikanët shtrojnë pyetjen retorike, nëse duhet mbyllur njërin sy. Unë them jo, sepse ne duhet të hapim të dy sytë. Vetëm në këtë mënyrë mund të shohim lidhjen mes kriminalitetit, papunësisë dhe diskriminimit.”

Eurodeputetët: Jo vetëm Franca ka gabuar ndaj romëve

Hammarberg ka kritikuar dëbimin e romëve nga Franca si "çnjerëzor". Në debatin e Strasburgut ai nuk përmendi asnjë vend, për dallim prej deputetit grek Dimitris Papadimoulis i cili në emër të grupit të të majtëve kritikoi ashpër Francën.

„Ajo që ka bërë zoti Sarkozy para disa javësh, paraqet një ekstremizëm shtetëror dhe është në kundërshtim me parimet themelore të Këshillit të Evropës. Ndërkohë që edhe sjellja e zotit Berlusconi është e ngjashme."

Problem që kërkon zgjidhje evropiane

Eurodeputetët francezë paralajmëruan se gjendja e romëve është një problem për tërë Evropën dhe kërkon përgjigje evropiane. Ndërsa përfaqësuesi rumun György Frunda thotë:

„Kam një respekt të lartë për Francën, sepse jam rritur me kulturën franceze. Por më duhet të them se gabimet e një qeverie apo politikani duhet të debatohen dhe të korrigjohen."

Shpresohet se kushtet për romët mund të përmirësohen pas një konference të posaçme të Parlamentit Evropian kushtuar romëve e cila do të mbahet me 20 tetor në Strasburg. Eurodeputetja gjermane Marlene Rupprecht është megjithatë skeptike.

„Në tetë vitet e fundit Parlamenti ka nxjerrë vendime të ndryshme për romët. Janë përcaktuar masat që duhen ndërmarrë, për përmirësimin e gjendjes sociale dhe juridike të romëve në Evropë. Për fat të keq, duket se kujtesa jonë është shumë e dobët...”.

Autor: Jannis Papadimitriou / Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani