1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

121108 BKA-Gesetz Terror-Bekämpfung

Fürstenau, Marcel (DW Berlin) 13 Nëntor 2008

Ligji anti-terror e bën Zyrën Federale të Kriminalistikës një autoritet me kompetenca për parandalimin e rreziqeve. Deri tani në Gjermani këtë funksion e kanë kryer vetëm shërbimet sekrete.

https://p.dw.com/p/FtfE
Gjithkund i survejuar?! Zyra Federale e Kriminalistikës mund të survejojë në raste emergjente pa vendim gjyqtariFotografi: AP

Zyra Federale e Kriminalistikës (BKA) në të ardhmen mund të përdorë gjithë arsenalin e disponueshëm në gjuetinë e terroristëve. Veçanërisht i kontestuar është i ashtuquajturi hetim "online", me anë të të cilit mund të përgjohen fshehurazi kompjuterat. Por kjo vlen vetëm në raste rreziqesh konkrete apo aktesh të rënda penale. Ky është kufiri i vendosur nga Gjykata Kushtetuese në një vendim themelor. Që hetuesit e BKA-së të mund të veprojnë, ligji kërkon miratimin paraprak nga një gjykatës.

Ky autorizim shkon shumë larg, thonë kritikët brenda dhe jashtë parlamentit. Përpara fillimit të seancës së fundit dëgjimore në parlament, politikanë të opozitës protestuan me pankarta përpara ndërtesës së parlamentit, kundër ligjit për BKA-në për miratimin e të cilit ngulmon ministri i brendshëm gjerman Volfgang Shojble (Wolfgang Schäuble). Kryetarja e ekologjistëve gjermanë Klaudia Rot (Claudia Roth), u shpreh se situata i kujton një thënie të vjetër: "Kur drejtësia kthethet në padrejtësi, rezistenca është obligim". "Ky është një sulm frontal ndaj arkitekturës sonë demokratike të sigurisë. Një sulm frontal ndaj të drejtave themelore dhe një vrasës i të drejtave qytetare. Nuk ka përshkrim tjetër për këtë ligj."

Bundesinnenminister Wolfgang Schäuble
Ministri i brendshëm Volfgang ShojbleFotografi: picture-alliance/ dpa

Parandalimi i atentateve - synimi i ligjit anti-terror

Por ministri i brendshëm Shojble kundërshton. Bëhet fjalë për të fituar në kohë informacione të nevojshme mbi planet për atentate. Gjermania ndodhet në udhëkryq të terrorizmit ndërkombëtar, thekson prej kohësh kristiandemokrati Shojble: "Ndjekja penale ka pak rezultate në rastin e atentatorëve vetëvrasës. Prandaj duhet të përpiqemi të parandalojmë aktet penale me pasoja të rënda. Kjo është një detyrë policore."

Vërejtjet ndaj ligjit

Deutschland Terror BKA Jörg Ziercke
Jërg Ziercke, presindent i Zyrës Federale të KriminalistikësFotografi: AP

Për të parandaluar më mirë rreziqet, në të ardhmen BKA-ja mund të përdorë edhe survejimin optik dhe akustik. Por për ish presidentin e shërbimit sekret gjerman, Hans Jërg Gajger (Hans-Jörg Geiger) para së gjithash kontrollet "online" janë të papranueshme. Dyshimet e tij ai i shprehu në një audiencë të komisionit për politikën e brendshme të parlamentit gjerman: "Banesa private duhet të mbetet vendi kur individi ka të drejtë të jetë vetëm. Në këtë hapësirë individi duhet të jetë i lirë nga survejimet dhe të bëjë çfarë i pëlqen. Pa frikën e vëzhgimit nga organet shtetërore."

Gregor Gizi (Gregor Gysi), kryetar i grupit parlamentar të të majtëve dhe jurist me profesion, kritikon edhe mungesën sipas tij të kontrollit. Sipas ligjit punonjësit e BKA-së dhe një mbrojtës i të dhënave nga ky ent, duhet të garantojnë se nuk do të ketë asnjë abuzim me të dhënat private që mblidhen gjatë kontrolleve "online". Kjo është absurde mendon Gizi: "BKA-ja nuk kontrollohet nga jashtë, nuk kontrollohet nga gjykata, por e ushtron vetë kontrollin. Kjo nuk përputhet me normat e shtetit juridik. Shteti juridik kërkon kontrollin nga një gjykatës."

Deutschland Rauchen Verfassungsgericht Urteil Karlsruhe
Gjykatësit në Gjykatën KushtetueseFotografi: AP

Fjalën e fundit e ka Gjykata Kushtetuese

Kundërshtarët e ligjit për BKA-në e akuzojnë qeverinë dhe deputetët socialdemokratë dhe nga unioni kristiansocial-kristiandemokrat, se po e transformojnë BKA-në në një super-autoritet shtetëror, sipas modelit të FBI-së në SHBA. Një argument të cilin presidenti i BKA-së Jërg Cirke (Jörg Ziercke) e konsideron të pavend: "BKA-ja është një autoritet policor dhe mbetet e tillë edhe në parandalimin e rreziqeve. Ne mbetemi të obliguar nga vendimi i gjyqtarit edhe në rastet e parandalimit të rreziqeve."

Por kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Sipas ligjit në raste emergjente presidenti i BKA-së mund të urdhërojë kontrollin online edhe pa miratimin paraprak të një gjyqtari. Fjala e fundit mbi ligjin për BKA-në ende nuk është thënë. Të gjelbrit, liberalët dhe ndoshta edhe të majtët do të ngrenë padi kundër tij në Gjykatën Kushtetuese.