1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti i Maqedonisë pa asnjë parti politike opozitare

31 Janar 2011

Bilalli: Ofertat e tanishme të partive politike nuk mund të jenë atraktive pasi objektivisht nuk ka ndodhur diçka spektakolare, e cila do të paraqiste atraksion për mbajtjen e zgjedhjeve.

https://p.dw.com/p/1081G
Parlamenti i MaqedonisëFotografi: aptn

Pas largimit të opozitës maqedonase nga Parlamenti edhe partia opozitare shqiptare Demokracia e Re ka marrë vendim për të bojkotuar punimet e Parlamentit. Kryetari i Demokracisë së Re, Ymer Selmani, gjatë elaborimit të arsyeve për braktisjen e Parlamentit ka thënë se pushteti po rrezikon vlerat demokratike duke anashkaluar dialogun me opozitën: “Sot në Maqedoni, dënohen, sanksionohen dhe heshten të gjithë ata që mendojnë dhe veprojnë ndryshe nga qeveria. Sot në Maqedoni ka tendencë të paskrupullt për instalimin e diktaturës dhe totalitarizmit,” vlerëson Ymer Selmani, kryetari i Demokracisë së Re.

Largimin e bllokut opozitar nga Parlamenti analistët e kanë vlerësuar si hyrje të Maqedonisë në një krizë të thellë politike. Petar Arsovski, analist politik, thotë se në zgjidhjen e krizës në Maqedoni duhet të ketë një ndërhyrje më aktive të faktorit ndërkombëtar. “Definitivisht kemi krizë politike. Dalja e partive politike opozitare nga Parlamenti nuk është rast individual, bëhet fjalë për një bllok partish që shkakton krizë parlamentare dhe politike. Ajo e eskalon krizën e tashme të dialogut politik deri në atë shkallë që partitë të mos komunikojnë mes vete.”, thotë Petar Arsovski.

Prof.Dr. Mersel Bilalli FON Universität
Prof. Dr. Mersel BilalliFotografi: Fatos Musliu

Për analistin, Mersel Bilalli, dalja e opozitës nga Parlamenti është kulminacion i një krize politike. Qeveria e tanishme, sipas tij, vendin e ka menaxhuar në drejtim të gabuar “Politika e bazuar në populizëm dhe në ndarje të proceseve kyçe shoqërore në aspektin etnik, fetar, ekonomik, rezultoi me një kulminacion të krizës,” vlerëson Mersel Bilalli.

Kriza parlamentare do t'i dërgojë një mesazh të zymtë bashkësisë ndërkombëtare për Maqedoninë, thotë Antonio Milloshoski, ministër i punëve të Jashtme: “Bojkotimi i Parlamentit nuk i ka hije një opozite serioze. Ky hap i opozitës do të ketë implikime si në skenën e brendshme po ashtu edhe në atë të jashtme politike.” Profesori universitar, Dimitar Mirçev, thotë se opozita maqedonase nuk duhet t'i ndjekë shembujt e veprimeve politike të partive opozitare në fqinjësi: “Këtij shteti i nevojitet opozitë përgjegjëse e cila nuk do të ndjekë modelin e opozitës në Shqipëri, e cila po tenton të instalojë demokracinë jashtë institucioneve,” - thotë Mirçevski.

Sipas analistit, Mersel Bilalli, kriza parlamentare nuk ka gjasa të zgjidhet me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në situata të këtilla të tendosura vështirë organizohen zgjedhje të parakohshme. “Ofertat e tanishme që do të mund t'i ofrojnë partitë politike nuk mund të jenë atraktive pasi objektivisht nuk ka ndodhur diçka spektakolare, e cila do të paraqiste atraksion për mbajtjen e zgjedhjeve,” - vlerëson analisti politik Mersel Bilalli.

Autor: Fatos Musliu
Redaktor: Bahri Cani