1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti rumun pengon drejtësinë

Robert Schwartz10 Qershor 2015

Parlamenti rumun e hodhi poshtë me shumicë të qartë votash kërkesën e prokurorisë për të filluar hetimin ndaj kryeministrit Viktor Ponta. Por çështja Ponta nuk ka marrë ende fund, mendon Robert Schwartz.

https://p.dw.com/p/1Fe93
Victor Ponta
Victor PontaFotografi: Getty Images/AFP/D. Mihailescu

Kundër kryeministrit rumun Viktor Ponta nuk do të hetohet. Kështu vendosi Parlamenti. Edhe një herë, deputetët socialiste dhe partnerët e tyre të koalicionit e shpëtuan një njeri shumë të rëndësishëm politik nga radhët e veta nga organet e drejtësisë. Akuzat për korrupsion, mashtrim dhe konflikt interesash u zhdukën me një shenjë nga pushteti politik. Duket se fakti që me këtë veprim vihet në pikëpyetje shteti i dobët i së drejtës dhe drejtësia zhytet në një gropë të thellë, nuk i intereson askujt në kampin qeverisës. Ruajtja e pushtetit është më e rëndësishme se gjithçka.

Në këtë mes nuk pati ndonjë dobi as qëndrimi i Presidentit të ri rumun Klaus Iohannis. Dhe as paralajmërimet e aleatëve perëndimorë, të cilët kanë kërkuar gjithmonë pavarësinë e gjyqësorit. "Carta bianca" që u dha parlamenti Pontas dhe mbështetësve të tij, është provë e mëtejshme se shumica e Parlamentit nuk e vret shumë mendjen për drejtësinë, moralin dhe përgjegjësinë. Më kot Iohannis kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, klika rreth Pontas është më e fortë. Dhe ai e tregon këtë vazhdimisht me kënaqësi. Nuk është hera e parë që politikanët merren në mbrojtje nga kampi tyre. Por rasti Ponta është i ndryshëm. Në këtë rast i vihen me vetëdije kufij gjyqësorit për t'i siguruar kryeministrit dhe sistemit që ai nxit, mbijetesë.

Schwartz Robert Kommentarbild App
Robert Schwartz

Me votën në parlament, deputetët kanë dhënë sinjalin më të keq të mundshëm për zhvillimin demokratik të një shteti anëtar të BE 25 vjet pas rënies së diktaturës komuniste: politikanët janë mbi ligjin dhe të pamposhtshëm. Klikat dhe interesat politike përcaktojnë rrjedhën e ngjarjeve. Dhe kaq!

Por fjala e fundit në rastin Ponta nuk është thënë ende. Nga njëra anë, drejtësia rumune, e cila ka hetuar veçanërisht vitet e fundit me hollësi kundër politikanëve të tanishëm dhe të mëparshëm, do ta vazhdojë punën e saj. Një ish-kryeministër dhe mjaft ish-ministra janë dënuar me burg për korrupsion. Dhe lista e hetimeve në vazhdim e sipër është ende shumë e gjatë. Nga ana tjetër Ponta dhe kolegët e tij janë duke u përpjekur me të gjitha mjetet për ta penguar drejtësinë gjyqësorin. Në parlament janë inicuar tashmë nismat e para për ndryshimin e Kodit Penal në favor të tyre.

Ndërkohë që gjithçka mund të ishte fare e lehtë. Ponta është i pafajshëm? Shumë mirë - parlamenti mund të hiqte imunitetin me kërkesë të të akuzuarit - dhe akuzat mund të sqaroheshin dhe ai mund të rikthehej në post. Por aktualisht po ndodh e kundërta dhe vota në parlament nuk po ua shton vetëm kundërshtarëve të tij dyshimet për fajësi. Edhe nga radhët e vetë kampit të Pontas po dëgjohen zëra të lehtë kritikë dhe një partner i koalicionit ka kërkuar madje dorëheqjen e tij.

Megjithë votën mbrojtëse të deputetëve Ponta nuk duket se i ka punët shumë mirë. Të premten opozita liberale do të kërkojë një mocion mosbesimi kundër qeverisë së tij. Pas kulisave ka kohë që po punohet për shumica të reja. Nëse opozita do t'ia dalë mbanë ta përmbysë Pontën, kjo nuk dihet. Kurse drejtësia do ta rihapë çështjen Ponta pavarësisht veprimeve të parlamentit, sepse në rrezik nuk është vetëm e ardhmja e një politikani të korruptuar prej kohësh, por besueshmëria e një anëtari të BE-së.