1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partia e piratëve dhe Evropa

18 Prill 2012

Koordinatori ndërkombëtar i piratëve gjermanë, Gregory Engels, shpjegon në intervistë me Deutsche Welle-n se si piratët duan të arrijnë më shumë demokraci në Evropë dhe të themelojnë brenda një viti një parti evropiane.

https://p.dw.com/p/14fkb
Gregory Engels
Gregory EngelsFotografi: picture-alliance/dpa

DW: Z. Engels, në fundjavë partitë pirate nga shumë vende debatuan në Pragë rreth planeve të tyre për Evropën. A prisni që piratët të themelojnë në kohë, para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në 2014, një parti evropiane?

Engels: Po, në Pragë fundjavën e kaluar u ra dakord që të themelohet një Parti Pirate Evropiane. Për këtë duhen hartuar tani statutet dhe hollësitë të diskutohen dhe ratifikohen në kongrese të partive. Jam i sigurt se kjo tani po bëhet dhe brenda një viti kjo parti do të themelohet.

DW: Çfarë duan të arrijnë piratët në Evropë?

Engels: Për pikat e veçanta duhet të vendoset. Për këtë tani po merren parasysh zërat nga vende të ndryshme.

DW: Cilat janë përmbajtjet politike?

Engels: Ne nga Gjermania thamë se kemi një përfytyrim për Evropën ku Parlamenti Evropian dhe demokracia të jenë më të fortë. Ne duam një Evropë të qytetarëve dhe rajoneve.

DW: Si mendoni ta arrini këtë?

Engels: Në fund përmes marrëveshjeve evropiane. Ndodh tashmë që kompetencat të përqendrohen në Evropë. Por ne duan që kjo zhvendosje të jetë nën kontrollin e Parlamentit Evropian. Koordinimi i të drejtave pra duhet të jetë në duart e Parlamentit dhe jo të Komisionit të BE-së.

Veç kësaj kemi për shembull edhe objektivin për ngritjen e sistemeve tatimore sa më të përshtatshme për sipërmarrjet dhe këtej derivon nevoja për harmonizimin e taksës për bizneset në Evropë. Edhe në Evropë ne ndjekim objektivin për ndryshimin e së drejtës të autorit.

DW: Në opinionin publik propozimi juaj për ndryshimin e të drejtës së autorit shpesh kuptohet si kërkesë për akses pa pagesë në përmbajtje të mbrojtura. Kështu autorët do të fitonin më pak.

Engels: Ne duam të bëjmë parimisht të mundur aksesin dhe të lehtësojmë kopjimin privat jokomercial. Ne besojmë se e drejta aktuale për pasurinë intelektuale nuk i përshtatet më kohës. Por para së gjithash ne duam ta ndryshojmë sistemin në mënyrë të tillë që të mos jenë përfaqësuesit e të drejtave por autorët të cilët të vendosin për veprat. Ne mendojmë se nuk është detyrë e politikës të mbrojë modele të vjetra biznesi.

DW: Kjo do të thotë që autorët të merren vetë me anën komerciale dhe të mos i shesin produktet e tyre përmes një përfaqësuesi?

Engels: Në parim po. Kjo është bërë shumë më e thjeshtë në kohën e internetit. Kushdo mund të krijojë një faqe interneti.

DW: Tema juaj thelbësore vazhdon të jetë "demokracia dixhitale" dhe lidhur me të edhe procedimi mbi demokracinë e bazës. Kjo do të thotë që ju doni të merrni parasysh të gjithë zërat në vendimet politike. Kjo nënkupton debate të gjata dhe është e vështirë edhe brenda një vendi. Mendoni se është e realizueshme në nivel evropian?

Engels: Po, ne jemi për më shumë demokraci dhe duam të gjejmë mundësi për arritjen e më shumë demokracie. Sipas këndvështrimit tonë më shumë demokraci do të thotë që të mund të dëgjohet zëri i kujtdo dhe të merren parasysh pakicat. Ne jemi qartë për më shumë pjesëmarrje qytetare.

Por ne duam të forcojmë edhe të drejtat e Parlamentit Evropian. Nëse në PE do të futej e drejta e iniciativës, ky do të ishte një hap i qartë në drejtim të më shumë demokracie. Kjo do të thotë që europarlamentarët të gëzojnë të drejtën të paraqesin projektligje dhe të mos jenë të detyruar të presin që këtë ta bëjë Komisioni i BE-së.

DW: Në Gjermani ju kërkoni më shumë transparencë nga politika. Më shumë vendime duhet të jenë të dukshme për të gjithë. A vlen kjo edhe për Evropën?

Engels: Ne pamë se marrëveshja ACTA për masat kundër piraterisë me produkte u zhvillua mes Komisionit Evropian dhe SHBA-së plotësisht jopublikisht, pra ishte krejt jotransparente. Madje Parlamentit Evropian nuk iu dorëzua teksti i kontratës megjithë kërkesën. Ai u publikua në internet nga platforma Wikileaks. Kjo dëshmon një mungesë të qartë transparence.

Autor: Günther Birkenstock

Redaktoi: Bahri Cani