1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partia social demokrate SPD po forcohet sërish

28 Janar 2008

Të dielën u zhvilluan zgjedhje në dy lande të rëndësishme gjermane, në Saksoninë e Poshtme dhe në Hessen.

https://p.dw.com/p/Cycw
Andrea Ypsilanti e socialdemokratëve fiton zgjedhjet në Landin e Hesenit
Andrea Ypsilanti e socialdemokratëve fiton zgjedhjet në Landin e HesenitFotografi: AP

Ndërkohë që në Saksoninë e Poshtme, Unioni kristian-demokrat CDU arriti t´i fitojë zgjedhjet, në landin e Hesenit, i cili qeverisej nga CDU-ja, fitoi partia social demokrate SPD. Shtypi i sotëm gjerman fokusohet pikërisht tek kjo fitore e papritur e socialdemokratëve.

Në gazetën Süddeutsche Zeitung lexojmë: "Ja ku u kthye pra sërish, të paktën pjesërisht partia socialdemokrate. Sidoqoftë nuk kemi asnjë arsye përse ta ndajmë euforinë e kandidatëve social-demokratë në Hessen, të cilët për herë të parë pas një kohe shumë të gjatë, po përjetojnë se si është kur masat i pranojnë idetë e tyre. Edhe shokët e partisë në Saksoninë e Poshtme do të kishin pasur dëshirë të ndjehehsin si në Hessen, por sidoqoftë Hesseni mund të shndërrohet në një formë ambulance për partinë social demokrate SPD. Po shtohen sinjalet për një ndryshim: Kohërat e bukura të unionit kristian-demokrat CDU po mbarojnë. Partia social demokrate SPD po forcohet sërish."

Në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung lexojmë: "Roland Koch humbi përqindje, e madje shumë. Përveç kësaj ai humbi edhe perspektivat e tij personale për të ardhmen. Kocka e fortë e partisë humbi fuqinë. Por ndërkohë që Koch humbi, Wullf arriti të fitojë. Bad Guy nga Hesseni dhe Good Guy nga Saksonia e Poshtme. Partia e kancelares gjermane do t´i interpretojë kështu rezultatet e ndryshme të protagonistëve të saj: Tek Wulff mund të vërehet CDU-ja e ardhshme moderne dhe e suksesshme. Koch përfaqëson CDU-në konservatore dhe mediokre të së kaluarës."