1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partner i vështirë - Ku i duhet Rusia Perëndimit?

Ingo Mannteufel22 Gusht 2008

Qëndrimi rus në Gjeorgji sipas Perëndimit ka qenë disproporcional. Tani duhet të gjendet një përgjigje për qëndrimin e mëtejshëm ndaj Rusisë. Damksoja e saj nuk ndihmon aspak: Perëndimi ka nevojë për Rusinë.

https://p.dw.com/p/F2Wo
Shtetet e NATO-s pezulluan derisa trupat ruse të tërhiqen nga Gjeorgjia këshillin NATO-Rusi
Shtetet e NATO-s pezulluan derisa trupat ruse të tërhiqen nga Gjeorgjia këshillin NATO-RusiFotografi: AP GraphicsBank/DW

Konflikti në Gjeorgji i ka përkeqësuar ndjeshëm marrëdhëniet mes shteteve të NATO-s dhe Rusisë. Shenjat e shkallëzimit nga të dyja palët janë mëse të qarta: Këshilli NATO-Rusi pezullohet prej palës perëndimore, derisa trupat ruse të tërhiqen nga Gjeorgjia. Rusia reagon duke tërhequr përfaqësuesit e saj në NATO dhe anullon të gjitha manovrat e planifikuara me NATO-n për vitin 2008. Madje jo vetëm kaq: Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk arrihet marrëveshje mbi rezolutën për Gjeorgjinë dhe në Varshavë amerikanët dhe polakët nënshkruajnë marrëveshjen për instalimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat, që nga perspektiva ruse perceptohet si kërcënim.

Debate të nxehta

Përkeqësimi i marrëdhënieve perëndimore-ruse shoqërohet prej debateve të nxehta shoqërore. Në këtë kontekst - veçanërisht në Poloni dhe në Evropën Lindore e Qendrore – Rusia paraqitet si fuqi agresive imperialiste. Madje diskutohet sikur Kremlini të ishte në prag të sulmit ndaj shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës.

Ndonëse padyshim është e drejtë, që ndërhyrja e trupave ruse në brëdësi të territorit të Gjeorgjisë si dhe sulmet nga ajri ndaj objektivave gjeorgjiane jashtë Osetisë Jugore ishin tërësisht në disproporcion. Me këtë Rusia ka shkuar shumë larg. SHBA dhe shtetet e BE-së me të drejtë këkrojnë, që tani të korrigjohet ky reagim i tepruar dhe i pafalshëm i Rusisë. Megjithatë është po aq e gabuar, që ndaj kësaj të përgjigjesh me po të njëjtën mënyrë të ekzagjeruar dhe joracionale.

Partneritet i vështirë

Dihej që Rusia është një partnere e vështirë – dhe e tillë do të mbetet. Rusia e ka marrë prej kohësh pozicionin e fuqisë mbrojtëse ndaj Osetisë Jugore dhe Abkazisë. Përpjekja e Shakashvilit, për ta ripushtuar me mjete ushtarake rajonin separatist të Osetisë Jugore, ishte qysh në fillim një sipërmarrje e rrezikshme, e cila duhej të përfundonte në një kapitullim politik dhe humanitar.


Tani kërkohet një politikë e qartë reale ndaj Rusisë. Ndonëse Moskës nuk duhet t'i lejohet dorë e lirë në Gjeorgji, sepse duhen mbrojtur pavarësia dhe integriteti territorial i saj. Këtë e kërkon dhe interesi evropian për paqe dhe stabilitet në Evropë.

Izolimi i Rusisë, rruga e gabuar

Nga ana tjetër nuk ndihmon aspak qëndrimi për ta damkosur Rusinë duke ndjekur politikën konsekuente të kufizimit dhe të izolimit. Bashkëpunimi me Rusinë në çdo fushë tjetër është gjithashtu në interesin tonë: furnizimi me energji, çështja e programit atomik iranian, rindërtimi i Afganistanit, e po ashtu edhe Lindja e Mesme, apo konflitki i Koresë së Veriut.


Konflikti në Kaukaz nuk duhet të kthehet në aksin kryesor të formësimit të marrëdhënieve perëndimore me Rusinë. Marrja në konsideratë e interesave ruse në konfliktin e Kaukazit nuk do të thotë nënshtrim ndaj politikës ruse, por kjo do të ishte një politikë e mençur interesash në të mirë të Evropës. E tek e fundit një politikë e ashpër reale është e vetmja çfarë kupton politika ruse.