1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partneriteti në kohët moderne - Gjermania dhe Rusia

Ingo Mannteufel3 Tetor 2008

Gjermania dhe Rusia duan të zgjerojnë partneritetin e tyre përkundër divergjencave të tyre. Dhe ato nuk kanë të bëjnë vetëm me çështjen e Gjerogjisë.

https://p.dw.com/p/FTYU

"Partneritet në mes të Gjermanisë dhe Rusisë" ishin fjalët boshe që u dëgjuan më shpesh gjatë Dialogut të sivjetëm të Peterburgut dhe po ashtu gjatë konsultimeve qeveritare gjermano-ruse që u zhvilluan në të njëjtën kohë. Kur politikanë dhe biznesmenë gjermanë e rusë si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile takohen në të njëjtën kohë shumë shpejtë vërehet se sa shumë interesa të përbashkëta kanë këto dy vende. Në raste të tilla flitet për Rusinë e pasur me lëndë të parë dhe Gjermaninë si vend industrial. Dialogu i Peterburgut kishte gjetur kështu kryefjalën e qëlluar këtë vit: "Partneriteti në kohën e modernizimit".

Megjithatë edhe pse me fjalën 'modernizim' kuptohet se çfarë mendohet prapëseprapë ajo interpretohet në forma të ndryshme. Pala ruse me modernizim nënkupton kryesisht modernizimin ekonomiko-teknik si përshembull rritjen e eficiencës energjitike apo zhvillimin e Nanoteknologjisë. Kundrejt këtyre projekteve nuk ka antipati as pala gjermane. Megjithatë ajo modernizimin e konsideron si një detyrë shumë më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, pa lënë mënjanë sinqeritetin shoqëror, transparencën e institucioneve shtetërore dhe para së gjithash ndërtimin e shtetit ligjor. Por këto aspekte nuk janë shumë të rëndësishme për elitën ruse dhe sipas tyre ata nuk e dinë saktë se çfarë do të thotë kjo konkretisht. Për më tepër në këtë mes ata shohin një përpjekje për çilimizim dhe një përzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër.

Por nuk është vetëm modernizimi që shihet me sy të ndryshëm. Edhe ndryshimet globale që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik vlerësohen ndryshe: Në Rusi koha prej vitit 1989 deri në vitin 1991 konsiderohet si zhvillim negativ. Fuqia boëtrore gjatë kësaj kohe ka humbur zonat e saj të ndikimit në botë dhe në veçanti në Evropën e Mesme dhe Lindore si dhe në hapësirat postsovjetike. Sipas pikëpamjes ruse kjo disfatë në politikën e jashtme është e lidhur ngushtë me veprimet e strukturave perëndimore si Bashkimi Evropian dhe NATO në rajonet që dikur kontrolloheshin nga Bashkimi Sovjetik.

Kjo në Rusi shihet si kërcënim. Me këtë ka të bëj edhe qëndrimi i ashpër antiamerikan, me këtë ka të bëj edhe reagimi ushtarak në Gjeorgji pasi që pala ruse nuk dëshiron të humbas më rajone të cilat tradicionalisht janë parë si 'ruse'. Me ketë ka të bëj edhe iniciativa ruse për një marrëveshje kolektive të sigurisë në Evropë e cila të paktën do të përcaktonte zonat aktuale të ndikimit.

Në Gjermani, nga ana tjetër pranohet që për Rusinë nuk ka qenë e lehtë humbja e zonave të ndikimit por kohën prej vitit 1989 deri në vitin 1991 gjermanët e shihin si pozitive. Pala gjermane ka përshendetur shpërbërjen e perandorisë ruso-sovjetike e cila mundësoi me 3 tetor ribashkimin e Gjermanisë. Tani kancelarja gjermane Angela Maerkel reagimin rus në konfliktin e Kaukazit e sheh si jo me vend dhe angazhohet për ruajtjen e tërsisë territoriale të Gjeorgjisë çka bie sërish në kundërshtim me palën ruse.

Këto dy pengesa nuk u evituan as kësaj rradhe në bisedimet në kuadër të Dialogut të Peterburgut. Por një gjë mbetet e qartë. Pa bisedime këto barriera nuk do të mund të tejkaohen asnjëherë.