1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asnjë interesim megjithë kandidatët kryesorë

Christian F. Trippe22 Maj 2014

Pas disa orësh në Britaninë e Madhe dhe Holandë hapen qendrat e votimit. Kështu përfundon fushata zgjedhore për 751 vendet në Parlamentin Evropian dhe me të edhe një keqkuptim i madh, mendon Christian F. Trippe.

https://p.dw.com/p/1C4Z4

Vetëm shumë pak fjalë gjermane kanë arritur të kuptohen në gjuhë të tjera, apo të pranohen si huazime. Tani është fjala "Spitzenkandidat", e cila ka mundur të hyjë nga gjermanishtja në anglisht. Si onomatope, të pakten në rrokje, i ngjan fjalës famëkeqe "Blitzkrieg". Ka edhe një tjetër paralele: Ideja për të paraqitur kandidatë kryesorë për të gjithë Evropën ka qenë shumë befasuese.

Zgjedhjet ofrojnë vetëm atëherë emocionet e duhura politike, kur janë të lidhura me çështjen e pushtetit. Nga kjo intuitë e saktë strategët e partive eurofile, që nga e djathta deri te e majta, kanë bërë hap revolucionar: Fushata zgjedhore evropiane këtë rradhe duhet të duket, sikur votuesit mund t'i përgjigjen pyetjes kryesore të çdo shteti demokratik: Kush do të drejtojë në të ardhmen? Kujt i japim në dorë fuqinë?

Rezultati i zgjedhjeve zor se i intereson dikujt

Por tani, pas shumë dueleve televizive dhe arenave zgjedhore, pas forumeve në internet dhe stuhive në twitter po vjen desiluzionimi. Pjesëmarrja, të paktën e matur nga sondazhet kudo në Evropë, sipas gjasave nuk do të jetë bindëse. Në një vend apo një tjetër, ka të ngjarë të rritet pak, në vende të tjera do të bjerë.

Vetëm një në pesë gjermanë, ky ishte rezultati i një sondazhi YouGov i porositur nga revista mujore "Cicero", e pret me interes përfundimin e zgjedhjeve evropiane. Me fjalë të tjera, 80 përqind janë pak a shumë indiferentë. Efekti mobilizues i kandidatëve kryesorë për postin e presidentit të Komisionit të BE? Shkoi kot.

EBU, që është një bashkim i të gjithë transmetuesve publikë në Evropë, kishte organizuar një debat të pesë kandidatëve kryesorë. Emisioni ishte përgatitur shumë mirë nga ana përmbajtësore, këmbimi i qëndrimeve kontroverse politike ishte inskenuar në mënyrë tërheqëse. Megjithatë interesimi ishte mjaft i pakët. Në Gjermani u pa nga 160.000 shikues. Debatet për politikën Europiane konsiderohen si vrasës të "kuotave të shikueshmërisë".

Kandidaturat kryesore janë vetëm simbolike

Strategët e partive kërkojnë tani me fundin e fushatës zgjedhore arsyet, se përse fushata nuk ka funksionuar siç dëshirohej. Teza numër një: Fushata nuk ka arritur të komunikohet në të gjithë Evropën. Zgjedhësit në jugun e kontinentit, të prekur nga kriza, nuk mund të entuziazmohen me të njëjta slogane si evropianoveriorët, të cilët që prej eurokrizës kanë frikë për kursimet e tyre. Në njërin vend janë traditë posterat e zgjedhjeve, në një tjetër vizitat nëpër shtëpi, në një tjetër fletushkat dhe fushatat në rrugë.

Të dy njerëzit kryesorë të partive të mëdha popullore, Jean-Claude Juncker për konservatorët dhe Martin Schulz për socialdemokratët, janë shumë të ngjashëm politikisht, Teza numër dy. Të dy janë në fakt europianë të flaktë, që për projektin e tyre të përbashkët, Europën e integruar politikisht, argumentojnë edhe jashtë kornizave ideologjike. Kështu është në Evropë.

Në disa vende kandidatët kryesorë kanë qenë shumë të pranishëm, në shumë vende të tjera pak, në Britaninë e Madhe nuk kanë luajtur asnjë rol, edhe kjo është ndoshta një shprehje e keqkuptimit të madh të kësaj fushate. Por po ta shohësh kandidatët kryesorë janë thjesht simbolikë si juridikisht ashtu edhe politikisht. Çështja e pushtetit shtrohet vetëm në mënyrë indirekte.

Në Bruksel ka momentalisht plane të panumërta, se kush dhe në çfarë rrethanash mund të emërohej si president i ardhshëm i Komisionit në vend të kandidatëve kryesorë Schulz dhe Juncker. Kjo do të ishte pastaj pa dyshim "mashtrim i votuesve". Dhe ata mund të grindeshin fare mirë se kush e bëri: Ata, që luajtën me rrezikun duke vendosur kandidatët virtualë, apo ata, që për çfarëdo arsye qoftë, emerojnë dikë tjetër në krye të BE.

Mbetet konkluzioni i dyfishtë: Nuk mund të jetë fushatë si duhet, kur rrethanat nuk janë të përshtatshme. Dhe gjuha angleze ka një huazim të ri.