1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas Fukushimës nuk ka më justifikime

11 Mars 2012

Edhe pas katastrofës së Fukushimës shumë vende mendojnë ndryshe nga Gjermania lidhur me energjinë atomike. Megjithatë Fukushima shënon një moment kthese, sepse pas saj nuk ka më jusitifikime.

https://p.dw.com/p/14Itr
Përvjetori i Fukushimës
Përvjetori i FukushimësFotografi: Reuters

Pas Fukushimës nuk mund të jetë si para Fukushimës, për këtë janë të sigurt të gjithë pasi panë dramatikën e pamjeve filmike. Ndërtesa të shpërthyera të centraleve atomikë, inxhinjerë që nuk dinë çfarë të bëjnë, qytete të lëna shkretë. "Edhe në një vend me teknologji të lartë si Japonia, rreziqet e energjisë bërthamore janë të pallogaritshme," e justifikoi ndryshimin e papritur të kursit në energjinë bërthamore, kancelarja gjermane Merkel, duke vendosur që deri në vitin 2022 Gjermania të shkëputet nga përdorimi i energjisë atomike.

Vendimi mund të vlerësohet si i drejtë apo si i gabuar, sipas pikëpamjes që ka secili për energjinë atomike. Në krahasim me vendet e tjera, Gjermania është e vetme në këtë vendim që ka marrë. Jashtë kufijve gjermanë nuk ekziston asnjë lloj mirëkuptimi për rrugën gjermane. Vendet që kanë ekonomi që lulëzojnë në Azi ndërtojnë reaktorë të rinj, dhe vetë SHBA aprovoi sërish ndërtimin e një centrali atomik, 25 vjet pas fatkeqësisë së madhe atomike në Harrisburg. Pra në shikim të parë duket se Fukushima nuk ka sjellë vërtet ndryshime.

Protest kundër energjisë atomike në Japoni
Protest kundër energjisë atomike në JaponiFotografi: AP

Rreziqet e mbetura

Megjithatë, kjo katastrofë natyrore përfaqëson një piketë, sepse pas Fukushimës nuk ka më justifikime. Ndryshe nga Çernobili, centrali kësaj here nuk u hodh në erë si pasojë e shkeljeve të kushteve të sigurisë diku në Evropën lindore. Fukushima tregon për më tepër që ekonomia e tretë më e madhe e botës nuk mund të pëngojë një katastrofë të tillë, megjithë pasurinë, know-how dhe obsesionin me çështjet e sigurisë. Sigurisht që njeriu e ka nën kontroll energjinë bërthamore, ashtu siç ka prej mijëra vjetësh zjarrin. Por, deri në një pikë të caktuar, rreziku ekziston.

Fukushima tronditi nga themelet vetëbesimin e Japonisë, sepse ekzistonte besimi se arti japonez i inxhinjerisë do të mund të përballonte edhe tërmetin dhe cunamin më të fortë. Sepse Japonia besonte në mënyrë naive se një rrjet politikanësh dhe lobiistësh të energjisë atomike, i kishin të gjitha nën kontroll. Në vend të kësaj Japonia dhe bota përjetuan mungesën e fuqisë dhe dobësi për të ardhur turp. Çfarë mund të thuhet kur nuk ekzistonte në asnjë sirtar një plan për evakuimin e Tokios me 35 milionë banorë, plan që mund të përdorej në rastin se erëra perëndimore nuk do e dërgonte materialin radioaktiv në det.

Kundër energjisë atomike në Gjermani
Kundër energjisë atomike në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa

Nuk ka kthesë në Japoni

Sigurisht, që shumë skenare të frikshme pas Fukushimës janë dëshmuar si të gabuar. Nuk ndodhi asnjë apokalips nuklear, dhe vetëm një hapësirë e vogël mbeti e kontaminuar për kohë të gjatë. Nuk ndodhi as kthimi i Japonisë në epokën e gurit, siç thonin lobiistët e energjisë atomike, megjithëse tani të gjitha centralet atomikë janë fikur për qëllime mirëmbajtjeje dhe kontrolli. Për shkak të arsyeve financiare, strategjike dhe të politikës së ambientit, Japonia e varfër me lëndë të para do të vazhdojë sërish të përdorë energjinë atomike.

Tek energjia atomike bëhet ndarja. Në këtë ndarje bëhet fjalë për një vendim parimor midis zhvillimit ekonomik dhe mirëqënies afatgjatë, ku të dyja janë të mundshme me dhe pa energjinë atomike. Që prej Fukushimës ne duhet të vendosim çfarë rreziku jemi të gatshëm të përballojmë dhe çfarë rreziku duam t' i lëmë brezave të ardhshëm. Sa e rëndë është të merret ky vendim e tregon që edhe pas dekadash përdorimi të centraleve atomike nuk ka ende në asnjë vend të botës një depozitë për eliminimin e mbetjeve të centraleve atomike.

Autor: Alexander Freund

Redaktoi: Aida Cama