1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partitë e protestës rrisin popullaritetin në Europë

la/afp,dpa)1 Shkurt 2015

Në Spanjë "Podemos" një parti e të indinjuarve që kryeson në sondazhe, demonstroi në Madrid të shtunën (31.01) kundër politikës së kursimeve. Sinjalet që vijnë nga jugu europian janë të qarta: mjaft më me kursime.

https://p.dw.com/p/1ETuK
Madrid Protest der Partei "Podemos" - Pablo Iglesias
Fotografi: Reuters/S. Perez

Dhjetra mijëra përkrahës të partisë së re spanjolle "Podemos" - "Ne mundemi" dolën në rrugë ditën e shtunë për të protestuar kundër politikës europiane të kursimit. "Po është e mundur" thërrisnin demonstruesit në "Marshin e ndryshimit" në qendër të kryeqytetit spanjoll. Partia e themeluar para disa muajsh me profil populist të majtë synon në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në nëntor 2015 të imitojë suksesin e Syrizas dhe të arrijë të rrëzojë nga pushteti partitë tradicionale, njoftojnë agjencitë e lajmeve.

Demonstruesit dolën në rrugë me sllogane si "E ardhur bazë për të gjithë" dhe "Tik-tak, tik-tak ora e ndryshimit po vjen". Një mësuese 23 vjeç dhe e papunë nga Manovari e ardhur qëllimisht për demonstratën në Madrid, Dori Sanchez u shpreh për agjencinë e lajmeve, afp se "shumë vetë janë të një mendimi; kemi nevojë për ndryshim. Mjaft më me vjedhje, mjaft më me të korruptuarit që i marrin të gjitha dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë". Sipas Podemos u morën me qira 260 autobusë për të sjellë në kryeqytetin spanjoll përkrahësit e protestës. Qindra banorë të Madridit ishin të gatshëm të strehonin protestuesit në shtëpitë e tyre. Drejtuesi i Podemos, Pablo Iglesias kërkon një ndryshim radikal kursi në politikën spanjolle. Gjatë fushatës zgjedhore në Greqi, docenti i shkencave politike mbështeti politikën e kreut të Syrizas, Alexis Tsipras.

Pablo Iglesias PODEMOS 21.12.2014 Barcelona
Lideri i lëvizjes, Pablo IglesiasFotografi: picture-alliance/epa/A. Garcia

Premtime populiste

Sipas statistikave, Spanja ka dalë nga recesioni dhe ekonomia, sipas të dhënave të publikuara të premten, u rrit vitin e kaluar me 1,4%, por ndryshimi ende nuk i ka dhënë frytet e veta në uljen e papunësisë. Gati çdo i katërti spanjoll është i papunë. Papunësia e lartë ka prekur sidomos të rinjtë, që ndjehen pa perspektivë në vendin e tyre, shumë prej tyre emigrojnë. Po ashtu në vitet e krizës rrogat në Spanjë u zvogëluan, ndërkohë që numri i të punësuarve me kontrata afatshkurtër është rritur së tepërmi.

Podemos lindi në janar të vitit 2014 si një lëvizje proteste e të "indinjuarve -"Indignados" dhe në mesin e nëntorit u regjistrua si parti. Po ashtu si partia greke, Syria, Podemos refuzon në mënyrë strike politikën e kursimeve dhe reformave, për të cilën u angazhua qeveria spanjolle në Madrid dhe Athinë si përgjigje kundrejt ndihmave të kreditorëve ndërkombëtarë. Në zgjedhjet e majit për Parlamentin Europian, gati 1,2 milionë spanjollë votuan Podemos, e cila siguroi pesë mandate në PE.

Ndërkohë sondazhet e nxjerrin partinë e re Podemos si fituese të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të nëntorit, si para partisë qeverisëse konservatore të kryeministrit, Mariano Rajoy ashtu edhe para partisë socialiste në opozitë. Rajoy i paralajmëroi me urgjencë spanjollët nga loja e "ruletës ruse", nëse votojnë për Podemos. Kjo parti "premton të sjellë yjet në tokë, por nuk mund t'i mbajë këto premtime", është shprehur kryeministri spanjoll Rajoy për Podemos.