1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas humbjes historike fillojnë dorëheqjet në radhët e socialdemokratëve gjermanë

30 Shtator 2009

Në Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë filluan lëvizjet e karrigeve. Lajmet për dorëheqje nga postet partiake gjatë ditës së djeshme aktualizoheshin nga ora në orë

https://p.dw.com/p/JulN
Kryetari i ri i grupit parlamentar të socialdemokratëve, Frank-Walter Steinmeier
Kryetari i ri i grupit parlamentar të socialdemokratëve, Frank-Walter SteinmeierFotografi: AP

Frank-Walter Steinmeier do të jetë kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve në parlamentin e ri gjerman. Ministri aktual i punëve të jashtme u miratua në këtë post me 88 përqind të votave të deputetëve socialdemokratë.

Steinmeieri paralajmëroi para gazetarëve një rol konstruktiv si kryetar opozite: "Ne nuk do të konkurrojmë me të tjerët për parrullat më populiste, por do të jemi një opozitë që përgatitet për të marrë në dorë qeverinë", tha ai.

Sipas burimeve nga socialdemokratët, Steinmeieri do të dëshironte të kishte në dorë edhe postin e kryetarit të partisë. Por u tërhoq për shkak të presionit të socialistëve të rinj dhe krahut të majtë të partisë, të cilët, pas humbjes historike në zgjedhje kërkonin ripërtëritjen e plotë.

Kryetari i socialdemokratëve, Franz Müntefering
Kryetari i socialdemokratëve, Franz MünteferingFotografi: AP

Se kush do të zërë vendin e kryetarit aktual Franz Muentefering, i cili ndërkohë ka sinjalizuar dorëheqjen, kjo do të vendoset zyrtarisht në kongresin e partisë që do të zhvillohet në nëntor në Dresden. Emri më i përfolur është ai i ministrit aktual të ambientit Sigmar Gabriel. 50 vjeçari konsiderohet si përfaqësues i krahut të djathtë të socialdemokratëve.

Edhe sekretari i përgjithshëm i partisë u detyrua të tërhiqej nga posti: "Ju njoftoj se në kongresin e ardhshëm të partisë në Dresden nuk do të rikandidoj", tha Hubertus Heil para gazetarëve. Në vend të tij pritet të vijë një përfaqësuese e krahut të majtë, Andrea Nahles.

Ministri gjerman i financave, Peer Steinbrueck
Ministri gjerman i financave, Peer SteinbrueckFotografi: AP

Pak minuta pas njoftimit për mosrikandidimin e Hubertus Heil, para gazetarëve doli edhe ministri aktual i financave, Peer Steinbrueck, i cili gjithashtu paralajmëroi se nuk do të rikandidojë më për nënkryetar partie: "Motivi është i qartë. Është e vetëkuptueshme që mbas një humbjeje të tillë, të hap vend për të tjerët, për më të rinjtë," - tha 62-vjeçari Steinbrueck, i cili është nga politikanët më të respektuar në radhët e SPD-së.

Krahu i majtë i partisë, ku bën pjesë edhe kryebashkiaku i Berlinit, Klaus Wowereit, kërkojnë më shumë bashkëpunim me të partinë e E Majtë. Kjo parti deri tani është bllokuar sistematikisht nga krerët e socialdemokratëve që janë të zemëruar me kryetarin "Të Majtës" Oskar Lafontaine, fushata e të cilit kundër politikës së Schroeder-it në vitin 2005 i solli këtij të fundit humbjen e zgjedhjeve.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Esat Ahmeti