1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas zgjedhjes së kryetarit Mustafa, Thaçi paralajmëron

Bekim Shehu18 Korrik 2014

Me 65 vota pro, 18 abstenime dhe pa praninë në sallë të deputetëve të PDK-së, Isa Mustafa, kryetar i LDK-së u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. PDK e dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

https://p.dw.com/p/1CebS
Symbolbild Ministerpräsident Hashim Thaci nach Wahl im Kosovo 07.06.2016
Fotografi: Armend Nimani/AFP/Getty Images

PDK reagon pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi i ka cilësuar vendimet e djeshme të Kuvendit të Kosovës si jolegjitime dhe antikushtetuese. Skenat që pamë dje nuk janë dinjitoze për demokracinë kosovare, shkruan ai në një postim në Facebook. Thaçi paralajmëron dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Veprimet e djeshme të koalicionit të ri politik, AAK, LDK, Nisma kundër PDK-së, Thaçi e cilëson si dhunim të institucioneve. Megjithatë ai kërkon ruajtjen e qetësisë në vend dhe besim tek institucionet e shtetit të Kosovës.

Dje (17.07) 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës dhanë betimin si deputetë të legjislaturës së pestë, mirëpo, menjëherë gjendja u bllokua. Ashtu siç pritej debati lidhej rreth çështjes se kush ka të drejtën ta propozojë kandidatin për kryetar të kuvendit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që fitoi zgjedhjet me 37 deputetë, apo blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma që grumbullojnë rreth vetes në një koalicion pas-zgjedhor 47 deputetë.

Në seancën inauguruese kishte katër pika të rendit të ditës, formimi i komisionit për verifikimin e mandateve, verifikimi i mandateve, deklarimi i grupeve parlamentare dhe zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së kuvendit. Mirëpo, pikërisht tek pika e tretë u ndërpre seanca dhe kryesuesja, deputetja më e vjetër Flora Brovina, e shpalli të mbyllur seancën duke u larguar nga salla së bashku me deputetët e PDK-së. Mirëpo, vetëm disa minuta më pas, deputetët e bllokut të koalicionit u kthyen në seancë dhe kryesimin e seancës e mori deputetja e dytë më e vjetër, Mila Vulliq. Ajo procedoi me rendin e ditës të miratuar nga kryesia e vjetër e kuvendit, hodhi në votim kandidaturën e Isa Mustafës që mori 65 vota pro.

Isa Mustafa, kryetar i Kuvendit të Kosovës
Isa Mustafa, kryetar i Kuvendit të KosovësFotografi: DW/ E. Ahmeti

Mustafa: Do të punoj në interes të të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa, në fjalimin e parë para deputetëve, i siguroi ata që si kryetar do të punojë në interes të të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare. “Do të punojë shumë për integrimin e komuniteteve jo shumicë, prej të cilëve edhe mora votën. Ne kuvend do të trajtohen tema që janë në interes të qytetarëve, për zhvillim ekonomik, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Do të angazhohemi që të forcojmë partneritetin ndërkombëtar, partneritetin me vendet fqinjë duke vazhduar dialogun dhe zbatuar marrëveshjet që janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha kryetari i ri i kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa.

Seanca konstituive e Parlamentit të Kosovës, qysh në fillimin e saj kishte paqartësi. Deputetja më e vjetër e kuvendit, nga PDK Flora Brovina, e cila kryesoi seancën, bazohej në një rregullore të punës së kuvendit, ndërsa, blloku i koalicionit LDK, AAK dhe Nisma, kërkonin që të respektohet vendimi i kryesisë së vjetër të kuvendit që kishte miratuar një tjetër rend dite dhe ku bllokun e koalicionit e njihte si grupin më të madh parlamentar dhe që kishte të drejtën e propozimit të kryetarit të kuvendit. Por këtë nuk e lejonte kryesuesja e kuvendit, Flora Brovina, sikundër që nuk pranonte që të procedohej me zëvendësimin e saj me deputetin e dytë më të vjetër ashtu siç e kërkon rregullorja e kuvendit.

Die Regierungskoalition in Kosovo steht fest 10.06.2014
Fotografi: DW/B. Shehu

Partia Demokratike e Kosovës me nënkryetarin Hajredin Kuçi, propozoi që në fillim të seancës që çështja se kush ka të drejtë ta propozojë dhe zgjedhë kryetarin e kuvendit të Kosovës, ta dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas analistëve pritet të ndodhë, që Partia Demokratike e Kosovës, (PDK), zgjedhjen tashmë të kryetarit të ri të Kuvendit Isa Mustafa, ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Tash është në duar të presidentes që ta nominojë kandidatin për kryeministër e që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i takon Partisë që doli e para në zgjedhje, Partisë Demokratike të Kosovës, me të nominuarin e saj Hashim Thaçi. Ky i fundit pas nominimit ka 15 ditë kohë që ta krijojë qeverinë nëse arrin t'i sigurojë numrat në Kuvendin e Kosovës.