1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pavarësia e Kosovës - rrjedhojë logjike e historisë së rajonit

Ani Ruci / Tiranë22 Janar 2008

Deklaratat nga Berlini të Gerhard Busek-ut, nga Londra të Dejvid Miliband-it, dhe nga Roma të Massimo d ´Alemës, pro shpalljes së shpejtë të pavarësise së Kosovës, kanë gjetur jehonë edhe në Tiranë.

https://p.dw.com/p/Cvxw
Parlamenti shqiptar, Tiranë
Parlamenti shqiptar, TiranëFotografi: AP

Jozefina Topalli, Kryetarja e Parlamentit, e sheh ngjarjen e shpalljes së pavarësisë si një rrjedhë të natyrshme dhe logjike të historisë së rajonit. "Parlamenti i Shqipërisë , tha ajo, rikonfirmon qëndrimin e tij pro paqes, sigurisë, stabilitetit, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit rajonal, të cilat konsolidohen më tej me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, që është rrjedhojë e zhvilimeve dinamike të rajonit dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të NATO-s."

Parlamenti i Shqiperisë miratoi me konsensus të plotë një rezolutë pro integrimit në NATO, ku zë vend edhe pavarësia e Kosovës, si një moment i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjërë për të cilat angazhohet Aleranca Atlantike. Qëndrimi konseguent pro pavarësisë së Kosovës përbën ndofta të vetmin rast model mirëkuptimi për klasën politike të Tiranës, jeta e të cilës është karakterituar nga qëndrime të kundërta, shpesh konfliktuale për çështje të tjera.

Opozita ka qenë shpesh inisiatore e veprimeve politike pro pavarësisë dhe madje, në momente të caktuara, ka mbajtur qëndrime kritike ndaj angazhimit të qeverisë Berisha duke kërkuar një diplomaci më aktive dhe më efikase në krijimin e lobit pro Prishtinës në qarqet diplomatike me influencë. Por politika e qeverisë Berisha ndaj çështjes së Kosovës është karakterizuar nga kombinimi i qëndrimit pro pavarësisë me tonet moderatore dhe konstruktive për maturi dhe koordinim në veprime me BE dhe SHBA, gjë që ka përbërë edhe një apel të politikanëve të BE dhe SHBA që kanë vizituar Tiranën, duke përfshirë edhe vizitën e presidentit amerikan George W. Bush, verën e vitit të kaluar. Ky kombinim shihet nga politika e Tiranës edhe si një nga pikar e forta të Shqipëtrisë në vlerësimin e performancës së saj, për të merituar një ftesë anëtarësimi në NATO, nga sami i Bukureshtit, në prill të këtij viti. Burime nga Presidenca në Tiranë, thanë sot për DW se në seancën për Kosovën që po zhvillohet në Strazburg, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, do të marrë fjalën edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.