1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pavendosmëri në Uashington - Pas skadimit të ultimatumit të SHBA-së ndaj Iranit

12 Janar 2010

Irani vazhdon të mos jetë i gatshëm që të ndryshojë qendrimin në grindjen atomike. Pesë anëtarët e përhershëm të KS të OKB-së duan të paraqesin për këtë shkak një ofertë të re për bisedime - ndoshta oferta e fundit.

https://p.dw.com/p/LRnC
Foto simbol: konflikti bërthamor SHBA, Iran, Rusi.
Fotografi: DW

Koha ikën. Me të kalon edhe koha e diplomacisë, sanksione më të ashpra janë parashikuar dhe nëse ato nuk do të kenë sukses, atëherë një goditje ushtarake bëhet gjithnjë e më e mundur. Kështu e përshkruajnë diplomatët në Uashington situatën e qeverisë Obama lidhur me Iranin. Fakt është, që presidenti i SHBA-së ndodhet nën një presion në rritje për të vepruar.

Obama: nuk kemi interes në një goditje ushtarake, por durimi ka kufi

SHBA i kanë ofruar Teheranit një rrugë negociatash, për të garantuar që teknologjia atomike e Iranit të përdoret vetëm për qëllime civile. Uashingtoni nuk ka interes për një goditje ushtarake, ishte deri tani mesazhi i Obamas ndaj qeverisë së Teheranit. Por njëkohësisht, që para tri muajsh presidenti i SHBA paralajmëroi: "Durimi ynë megjithatë nuk është i pakufizuar. Qeveria iraniane duhet të kujdeset tani për transparencë dhe t'i konfirmojë synimet e saj paqësore në lidhje me energjinë atomike."

Deri në fund të vitit 2009 qeveria e SHBA tha, se dëshironte të shihte vepra konkrete nga Teherani. Përndryshe, që prej vitit 2010, sipas qeverisë amerikane, janë të pashmangshme sanksione më të ashpra dhe në fund nuk përjashtohet as një opsion ushtarak.

Strategët në Uashington të shqetësuar

Në fund të fundit, pesë anëtarët e përhershëm të KS dhe Gjermania kanë paraqitur në tryezë një ofertë tepër të pranueshme, thekson Obama. Pikërisht ofertën që Irani mund ta pasuronte në botën e jashtme uraniumin e tij, e pikërisht në Rusi dhe në Francë, për ta përdorur më pas në një reaktor kërkimesh për synime mjekësore. Por Irani vazhdon ta refuzojë marrëveshjen atomike, e cila ka si qëllim të pengojë që Irani të ndërtojë fshehtas një bombë atomike.

Ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Robert Gates.
Ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Robert Gates.Fotografi: AP

"Ne të gjithë jemi të shqetësuar që koha po kalon pandalshëm për ta zgjidhur në rrugë diplomatike problemin atomik të Iranit", thotë Ministri i Mbrojtjes së SHBA, Robert Gates, në Universitetin George Washington para ndërrimit të viteve. Për të personalisht nuk ka asnjë dyshim se: "...qeveria e Ahmadinexhadit ka synimin që të ndërtojë armë atomike. Është e vështirë të thuash a ka nisur Irani nga kjo punë që tani", u shpreh Ministri amerikan i Mbrojtjes, një nga personat më me ndikim në Shtëpinë e Bardhë.

Central për pasurimin e uraniumit në Iran. Pamje satelitore, Natanz, maj 2009.
Central për pasurimin e uraniumit në Iran. Pamje satelitore, Natanz, maj 2009.Fotografi: AP

Pajisja për pasurimin e uraniumit, e fshehur për një kohë të gjatë brenda një baze ushtarake në afërsi të qytetit të shenjtë Ghom dhe sistemet gjithnjë e më të reja gjigante të tuneleve dhe galerive, të cilat qeveria Ahmadinexhad i gërmon për t'u bërë gati e pasulmueshme në vargmalet e Iranit, i shqetësojnë shumë strategët e Uashingtonit.

Superbomba 14.000 kg apo raundi i ri i bisedimeve - çfarë do ta bindë Iranin?

Për të goditur edhe objekte në shkëmbinj ose thellë nën tokë, Ministria amerikane e Mbrojtjes, sipas informacioneve të kanalit televiziv ABC, zhvilloi nën presion të madh kohe një të ashtuquajtur superbombë. "Massive Ordenance Penetrator" quhet bomba monstër prej 14.000 kg. Por ministri i Mbrojtjes i SHBA, Robert Gates, thotë herë pas here, se ai nuk e konsideron fare ide të mirë një goditje ushtarake. Irani vetë duhet të arrijë në përfundimin, se armatimi atomik e dobëson në mënyrë masive vendin.

Për të nxitur vetëreflektimin te Irani, që në fund të kësaj jave do të zhvillohet në Nju Jork një raund i ri bisedimesh, i katërti, pikërisht për sanksionet kundër Teheranit, bëri të ditur Ministrja amerikane e Punëve të jashtme, Hillary Clinton.

Autor: Ralph Sina / Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani