1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pavillon mit Vergangenheit

4 Qershor 2011

Bienale e Venecias është prezantimi i vetëm artistik në të cilën ekspozitat janë seleksionuar sipas vendeve. Pavjoni gjerman ka patur histori të larmishme. Ai u ndërtuar në vitin 1938 nga nazistët.

https://p.dw.com/p/11UAD
Pavjoni gjerman në Binalen e Venecias
Pavjoni gjerman në Binalen e VeneciasFotografi: Sigrid Hoff

Kritikët i quajnë ato me përçmim «Kafazet kombëtare». 28 pavijonet në Giardini, arealin e ekspozues të Bienales që i ngjan një kopshti, e ku çdo dy vjet vende të ndryshme të botës dërgojnë artistët e tyre më të mirë për të marrë pjesë në garën për «Luanin e Artë».

Ashtu si Festivali i Filmit, edhe Bienalja e Artit (4 qershor - nëntor 2011) e nderon punën e artistëve me një «luan». Në këtë garë ndërkombëtare pavijonit gjerman i kushtohet gjithnjë një vëmendje e veçantë. E artistët nuk e kanë e aq të lehtë.

Shumica thonë se për ta është ngarkesë, thotë Ursula Zeller, e cila para dy vjetësh, me porosi të Institutit për Marrëdhënie me Jashtë (IfA) nxori një libër me titullin «Punimet gjermane për Bienalen e Venecias 1895-2007». Që nga viti 1972 IfA është ajo që merret me organizimin e Pavijonit Gjerman.

Barra e pakëndshme e historisë

Pavjoni gjerman në Binalen e Venecias
Pavjoni gjerman në Binalen e VeneciasFotografi: picture alliance/dpa

Ndjenja e pakëndshme shkaktohet nga arkitektura e pavijonit. Më 1909 ajo u ngrit si pavijon i tretë në territorin e Giardini-t. Asokohe dukej krejt ndryshe nga sot. «Padiglione Bavarese» quhej ai në fillim meqë e kishte zanafillën në një nismë artistësh nga Bavaria. Ai ngjante me ndonjë tempull antikiteti. Atë e kishte konceptuar arkitekti venecian, Daniele Donghi. Më 1912 iu ndryshua emri në «Padiglione della Germania».

Deri në Luftën e Parë Botërore qëllimi i Bienales ishte që aty të shiteshin vepra arti. Kjo lidhej edhe me traditën e gjatë të Venecias si qytet arti. Ishte reklama më e mirë që mund t'i bëhej vendit. Qysh asokohe kishte një bashkëpunim me ndërmarrjen hekurudhore, e cila ofronte bileta më të lira, çka bënte që me qindra mijëra njerëz të vizitonin qytetin lagunë.

Christoph Schlingensief /Pavjoni gjerman në Binalen e Venecias 2011
Christoph Schlingensief /Pavjoni gjerman në Binalen e Venecias 2011Fotografi: Roman Mensing, artdoc.de

Ndërtesë hijerëndë naziste

1938a ishte për Venecian viti i cezurës, pasojat e së cilës kanë lënë gjurmë gjer më sot. Pavijoni Gjerman u shndërrua në një vend manifestimi për arkitekturën nacional-socialiste. Arkitekti gjerman Ernst Haiger i zëvendësoi kolonat joniane me shtylla drejtkëndëshe. «Shtylla të fuqishme të larta prej guri bartin pragun dhe emblema kombëtare e Rajhut të Tretë mbi portën hyrëse na përgatit për frymën e re të artit gjerman», shkruan arkitekti në vitin e realizimit.

Një gurpunues kishte gdhendur në një vend të dukshëm të ballinës mbishkrimin GERMANIA. Parketi i dyshemesë ishte zëvendësuar me mermer të imtë për t'i dhënë kështu ndërtesës një hije të ftohtë solemniteti. Në Revistën Qendrore të Administratës Ndërtimore më 2 nëntor 1938 ishte shkruar: «Ndërtesa e re e ekspozitës gjermane në Venecie jo vetëm që është një përfaqësim i denjë i Rajhut të Tretë, por ajo dëshmon se një kornizë e përsosur artistikisht, mund t'a shtojë efektin veprave të artit të ekspozuar në të.» Dhe këto vepra ishin skulpturat e artistit kryesor të propagandës naziste, Arno Breker.

Histori më vete, art më vete

«Historia e jashtëzakonshme e Pavijonit Gjerman i ka nxitur artistët të sjellin gjithmonë rezultate maksimale», thotë Ursula Zeller. Në vend që ata të marrin pjesë në parimin e rendimentit, ata gjithmonë janë përpjekur të «neutralizojnë ndërtesën». Të gjithë i referohen së kaluarës naziste të pavijonit. Instalimi legjendar i Joseph Beuys-it më 1976 me titullin «Stacion tramvaji. Një monument për të ardhmen» synonte t'i ngrinte një përmendore vuajtjes njerëzore. Skulptori Ulrich Rueckriem iu përgjigj hapësirës monumentale të brendësisë me katër blloqe gjigante prej guri. Edhe Hans Haacke vendosi kritere: Në vitin 1993 ai i theu pllakat e dyshemesë së pavijonit dhe i shpërndau sa andej këndej si mbeturina. Vizitorët pengoheshin tek ecnin mbi atë fushë rrënojash ku tekstualisht u rrëshqiste toka nën këmbë.

Christoph Schlingensief /Pavjoni gjerman në Binalen e Venecias 2011
Christoph Schlingensief /Pavjoni gjerman në Binalen e Venecias 2011Fotografi: Aino Laberenz

Ndërtesë provokuese

Më 2001 «Luani i Artë» iu dha artistit gjerman Gregor Schneider, i cili gjithashtu e lidhi punimin e tij me të kaluarën e pavijonit nga koha e Bavarisë. Ai e shndërroi ndërtesën naziste në një labirint dhomash. Për këtë kishte sjellë enkas në Venecie pjesë të një shtëpie nga Mënhengladbah-Reydt (Moenchengladbach-Rheydt) u ai kishte kaluar fëmijërinë.

Kohë pas kohe përsëriten zërat që sugjerojnë që thjesht të shembet ajo ndërtesë naziste. Vitin e kaluar presidenti i Dhomës Federale të Arkitektëve e hapi sërish këtë debat kur u shpreh pro ndërtimit të një pavijoni të ri për Gjermaninë. Pavijoni i tanishëm nuk përputhet fare me imazhin demokratik që kemi ne për vetveten, argumenton Schmid. Christoph Schlingensief, i cili vitin e kaluar vdiq në moshën 49 vjeçare nga kanceri, gjithsesi ishte shprehur për ruajtjen e pavijonit. Për fat të keq, Bienalja e 54-të do të bëhet pa të. Publiku nuk do ta mësojë se çfarë do të dëshironte të bënte me atë objekt aq të diskutueshëm dramaturgu gjerman që i pëlqenin aq shumë provokimet.

Autore: Sabine Oelze/ A. Mikat/ Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama