1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për Serbinë fillimi i bisedimeve, për Kosovën MSA

Marina Maksimovic/Angelina Verbica3 Dhjetor 2012

Parlamenti Europian kërkon që BE t'i japë të Serbisë sa më shpejt një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim, me kusht që Beogradi të vazhdojë reformat e përpjekjet për marrëdhënie të mira fqinjësore.

https://p.dw.com/p/16uoA
Hashim Thaçi me Catherine Ashton dhe kryeministrin serb Ivica Daçiq
Hashim Thaçi me Catherine Ashton dhe kryeministrin serb Ivica DaçiqFotografi: Council of the EU - M@S

Komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian (3.12.) do t'i paraqiten të Hënën projektrezolutat për Serbinë dhe Kosovën. Në diskutim është një procedurë e rregullt vjetore, me të cilën Parlamenti Evropian miraton rezolutat për ecurinë e të gjitha vendeve në procesin e zgjerimit dhe jep rekomandime joobligative, por me rëndësi politike, si për vendet, që aspirojnë të bëhen anëtare, ashtu edhe për anëtarët e Bashkimit Europian.

Dialogu vazhdon

Parlamenti Evropian në projektrezolutë përshëndet edhe rivendosjen e dialogut politik në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Për të Martën (4.12.) në Bruksel përgatitet raundi i ri i bisedimeve mes kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës dhe shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Më parë në Bruksel do të mblidhet edhe një herë grupi i punës për zbatimin e menaxhimit të përbashkët të kalimeve kufitare (IBM), me qëllim që në takimin në nivel të lartë politik të Martën të arrihet eventualisht në finalizimin e marrëveshjes për fillimin e zbatimit të IBM-së në tri pikëkalime Jarinje, Merdare dhe Konçulj. Roli i EULEX-it në kalimet si dhe pagesat doganore janë ende ndër çështjet e pazgjidhura.

Parlamenti Europian në Strasburg
Parlamenti Europian në StrasburgFotografi: picture-alliance/dpa

Në Bruksel megjithatë pritet, që nga 10 Dhjetori të nisë implementimi i të ashtuquajturit "projekt pilot" për menaxhimin e përbashkët të kalimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe kjo do të shërbejë si një raport pozitiv lidhur me dialogun, që shefja e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton, do t'i paraqesë në fillim të javës së ardhshme ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Shtetet anëtare të BE do të marrin në konsideratë hapat e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit evropian. Përparimi në marrëdhëniet me Prishtinën dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura ështe një prioritet kyç për vazhdimin e integrimit evropian të Serbisë.

Marrëdhënia e parë kontraktuale mes BE dhe Kosovës?

Në komisionin e Parlamentit Evropian për politikën e jashtme sot do të paraqitet një projekt-rezolutë për Kosovën, në të cilën, ndër të tjera vlerësohet se Bashkimi Evropian mund të vendosë një marrëveshje stabilizimi dhe asociimi (MSA) me Kosovën, pavarësisht nga ndarja e shteteve anëtare lidhur me çështjen e statusit. Për këtë Parlamenti Evropian mbështetet në studimin e fizibilitetit të Komisionit Evropian, i cili vërteton se nuk ka pengesa ligjore për MSA-në me Kosovën, pa paragjykuar qëndrimet e shteteve anëtare lidhur me pavarësinë e Kosovës.

Parlamenti Evropian edhe kësaj radhe i bën thirrje "pesë shteteve anëtare të BE, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë." Në të njëjtën kohë projekt-rezoluta kërkon "heqjen e strukturave paralele të shtetit serb në veri të Kosovës", përderisa autoritetet e Prishtinës flasin për "hapa drejt bashkëpunimit më të mirë me pakicën serbe." Parlamenti Evropian shpreh shqetësimin lidhur me gjendjen e sundimit të ligjit dhe mungesën e përparimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.

Zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vuçiç
Zëvendëskryeministri serb Aleksandar VuçiçFotografi: AP

Fillimi i bisedimeve me Serbinë?

Duke përshëndetur dialogun politik midis Beogradit dhe Prishtinës në Parlamentin Europian theksohet se "ndarja e Kosovës nuk është zgjidhje" dhe përshëndetet mbështetja për integritetin territorial të Kosovës, e cila ishte shqiptuar nga Komisioni Evropian në raportin e saj vjetor për strategjinë e zgjerimit. Pritet që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në mes të dhjetorit të shprehen në lidhje me studimin e fizibilitetit të MSA për Kosovën, ndërsa fillimi i bisedimeve për këtë marrëveshje do të varej nga përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kështu mund të ndodhë që vitin e ardhshëm në Kosovë të fillojnë negociatat për MSA dhe Serbija të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kritika Serbisë për ndryshimin e ligjit për Bankën Kombëtare

Në projektrezolutën për Serbinë, që duhet të miratohet në Mars të vitit të ardhshëm, Parlamenti Europian mirëpret angazhimin e qeverisë së re serbe në procesin e integrimeve evropiane. Mirëpritet edhe angazhimi i autoriteteve në Beograd për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Për këtë qëllim Parlamenti Evropian rithekson domosdoshmërinë e eliminimit të mangësive në reformën e gjyqësorit dhe pret të shohë "frytet e punës" të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ashtu si vitin e kaluar Parlamenti Evropian rithekson rëndësinë e "vullnetit politik" në hetimin e 24 privatizimeve të diskutueshme në Serbi, si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të ligjit për financimin e partive politike. Në të njëjtën kohë Parlamenti Evropian kritikon ndryshimin e ligjit për Bankën Kombëtare të Serbisë, që "shkatërron pavarësinë e institucionit" dhe nuk përputhet me kriteret e BE-së.