1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pengesa në dialogun Prishtinë-Beograd

17 Qershor 2011

Me kërkesë të Serbisë është shtyrë takimi i delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës, i cili është dashur të mbahet këto ditë. Pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për konsultime. Shtyrja ka hapur dilema të shumta.

https://p.dw.com/p/11cY1
Edita Tahiri, shumë mikrofona e pak informacione...Fotografi: DW

Dren Zeka, anëtar i delegacionit të Prishtinës në negociatat me Serbinë, pohon se kosovarët janë të informuar mirë dhe mjaftueshëm për ecurinë e bisedimeve me Serbinë. Sipas tij, delegacioni kosovar rregullisht e ka informuar opinionin me përbërjen e negociatave për çështjet teknike. Megjithatë fjala e vetme konkrete që Zeka në këtë moment mund të thotë është se palët ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje përfundimtare për çësthjet e hapura. Parimisht janë arritur marrëveshje për gjashtë tema, për të cilat po hartohen dokumentet përkatëse të cilat duhet të miratohen nga palët.

"Këto gjashtë draft-marrëveshje kanë të bëjnë me çështjet që janë hapur në fillim. Palët kanë pasur më shumë kohë që të paraqesin propozimet e tyre dhe të harmonizojnë qëndrimet lidhur me këto çështje. Fjala është për regjistrat civilë, dokumentat e kadastrit, energjetikën, vulat e doganave, telekomunikacionin dhe lirinë e lëvizjes", thotë ai.

Për dialogun nuk është informuar sa duhet as presidentja

Verhandlungen zwischen Serbien und dem Kosovo
Stefanoviq: Pala serbe tregon edhe më pak.Fotografi: DW

Nebojsha Periq, këshilltar politik i kryetarit të bashkisë së Graçanicës, thotë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk është i hapur sa duhet dhe se mungojnë shumë iformacione të rëndësishme për qytetarët. Ai pohon se për këtë dialog nuk janë të informuar sa duhet madje as vet zyrtarët më të lartë të Kosovës.

"Kemi një situatë ku as vetë përfaqësuesit e parlamentit dhe të partive politike në parlamentin e Kosovës nuk janë të kënaqur me nivelin e informimit për këtë dialog. Mediet kanë shkruar madje se as presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nuk është informuar me të gjitha detajet e negociatave. Kjo do të thotë që dialogu nuk është i hapur sa duhet", pohon ai.

Informim shumë i dobët i serbëve

PASCH-Schule Gracanica
Te rinjtë serbë në Kosovë nuk e njohin as Edita Tahirin e as Stefanoviqin.Fotografi: DW

Dejan Mitiq, përfaqësues i organizatës joqeveritare Qendra Rinore e Graçanicës pohon se të rinjtë e Kosovës janë të informuar shumë pak me përbërjen e negociatave. Kjo organizatë ka bërë një anketë me të rinjtë serbë nga Kosova dhe kanë ardhur në konkludim se kanë shumë pak njohuri për këtë dialog.

"Çdo i katërti i të anketuarve e di se si quhen udhëheqësit e delegacioneve në këtë dialog. Mbi 80 % e të anketuarve nuk e kanë ditur se cilat janë funksionet e udhëheqësve të delegacioneve. Mbi 70 % nuk e di se sa herë janë takuar delegacionit, ndërsa vetëm çdo i treti e di se ku janë mbajtur takimet mes tyre", thotë ai.

Ndërsa Azem Vllasi ka përshtypjen se më shumë për këtë dialog janë të informuar qytetarët e Kosovës se sa ata të Serbisë. "Kjo për faktin se pala kosovare është më e interesuar për këtë dialog. Ajo është më e sinqertë kur thotë se synon zgjidhje konkrete. Pala serbe i jep më pak rëndësi dialogut dhe nuk është e interesuar për gjetjen e zgjidhjeve konkrete, sepse kjo do të thoshte se Serbia duhet të njoh edhe pavarësinë e Kosovës", thotë Vllasi.

Autor: Zylfije Jakupi / Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani