1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pensionistët e Portugalisë bëhen gati për protesta

Tilo Wagner / Esat Ahmeti26 Maj 2013

Qeveria portugeze po planifikon një taksë të re për pensionistët dhe nxit në këtë mënyrë një konflikt mes gjeneratave. Por rezistenca kundër masave shtrënguese është e madhe.

https://p.dw.com/p/18ds6
Fotografi: reuters

Çdo pasdite Angelica Canelo shkon në kafenenë e qendrës së seniorëve e cila ndodhet përballë shtëpisë së saj në lagjen periferike të Lisbonës, Amadora: "Unë luaj domino ose bisedojë me miqtë e mi. Por unë nuk ha këtu, ushqimin e përgatis vet në shtëpi." Në këtë mënyrë pensionistja 79-vjeçare kursen të hollat për kafen e përbashkët të muhabetit me shoqet e saj. Me 400 euro sa ajo merr në muaj nga shteti, Angelica Canelo duhet të jetë shumë e kujdesshme për të përballur deri në fund të muajit shpenzimet e ushqimit, qerasë, telefonit dhe ilaçeve. Se a do të preket drejtpërdrejt nga planet e reja shtrënguese të qeverisë portugeze Angelica Canelo nuk e di ende. Megjithatë, ajo përgatitet për shkurtime të reja: "Mua më duhet të jetojë me ato që më japin. Dhe në qoftë se nuk do të mjaftojnë për mish ose peshk atëherë unë do të ha bukë dhe supë ..."

Në foto, Angelica Canelo
Në foto, Angelica CaneloFotografi: DW/T. Wagner

Masa shtrënguese

Pasi Gjykata Kushtetuese e Portugalisë kishte shpallur në prill të këtij viti pjesë të buxhetit si jokushtetues, qeveria portugeze po kërkon mënyra të reja për të reduktuar deficitin e qeverisë. Trojka e BE-së, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane po insiston posaçërisht që të ulen pensionet e ish-punonjësve të qeverisë. Portugalia krahasuar me performancën e saj ekonomike, është tashmë duke dhënë më shumë të holla për pensione se shumica e vendeve të BE-së. Në Portugali janë mbi 3.5 milionë njerëz me përfitime pensionale. Dallimet në mes të pensioneve janë shumë të mëdha. Ndërkohë që gjysma e ish-nëpunësve publikë merr një pension prej më shumë se 1000 euro, 85 për qind e përfitimeve të pensionit në sektorin privat janë nën 500 euro. Kryeministri Pedro Passos Coelho ka propozuar futjen e një takse të re, e cila prek njëjtë si pensionistët nga sektori privat ashtu dhe ata nga sektori publik. Kjo masë është e diskutueshme edhe brenda koalicionit qeverisës të qendrës së djathtë. Zbatimi i kësaj mase varet nëse Portugalia do të jetë në gjendje që deri në fund të vitit të reduktojë deficitin e saj në 5 për qind.

Pensionistët përgatiten për protesta

Planet e qeverisë po hasin në rezistencë të madhe në radhët e popullsisë. Gjashtë muaj më parë, një grup i pensionistëve ka bashkuar forcat për të protestuar kundër masave shtrënguese. Vítor Ferreira drejton zyrën e shoqatës së pensionistëve të Lisbonës. Mijëra portugez të moshuar që kanë filluar të ndjejnë pasiguri janë lajmëruar për një kohë shumë të shkurtër tek ai, thotë ish eksperti i sigurimeve: "Ne pensionistët natyrisht që duam të japim pjesën tonë të kontributit në mënyrë që kriza e borxheve të futet nën kontroll. Por ne na pengon fakti që ne duhet të paguajmë gjithnjë e më shumë taksa të veçanta. "Ekspertët i japin të drejtë Ferreira-s dhe shoqatës së tij të pensionistëve: Ish ministri i punës, António Bagão Félix ka llogaritur se humbja e të ardhurave reale të pensionistëve në Portugali në dy vitet e fundit ka qenë 9 deri 25 përqind. Shoqata e Ferreira-s bën thirrje për një reformë të thellë të sistemit të pensioneve: në vend të ngritjes paushalle të taksave për të gjithë pensionistët do të duhej që padrejtësitë në rastin e pensioneve të analizohen si raste veç e veç dhe ato të eliminohen.

Në foto, Vítor Ferreira
Në foto, Vítor FerreiraFotografi: DW/T. Wagner

Vítor Ferreira akuzon qeverinë gjithashtu se në diskutimin aktual është duke nxitur një konflikt të përgjithshëm mes brezave. Kryeministri Passos Coelho ka thënë në një kongres të organizatës rinore të partisë së tij konservatore që pensionistët janë duke marrë më shumë para se sa në të vërtetë u përkasin atyre. Fakti që ai ka marrë në shënjestër gjeneratën e vjetër pikërisht në një takim me gjeneratën e re është shumë josensibël thotë Vítor Ferreira: "Ne jemi duke përjetuar një situatë dramatike ekonomike dhe veçanërisht papunësia e të rinjve është alarmuese. Një politikan i përgjegjshëm nuk duhet që t'i lidhëkëto çështje drejtpërdrejt me reformën e pensioneve, siç bëri kryeministri. "