1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perëndimi vendos sanksione të reja ndaj Iranit

22 Nëntor 2011

Shtetet e Bashkaura, Britania, Kanadaja dhe Franca kanë rritur presionin ndaj Iranit për shkak të testeve me mbushjet bërthamore. Masa më të rrepta pritet që të marrë edhe Bashkimi Europian.

https://p.dw.com/p/13Ep8
Manovra të aviacionit iranian
Manovra të aviacionit iranianFotografi: FARS

Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe Franca i kanë dhënë një shuplakë të rëndë Teheranit duke i vendosur sanksione të reja për shkak të aktivitetit nuklear.

Sanksionet, që prekin financat e Iranit dhe sektorin e produkteve kimike, që përftohen nga nafta, vijnë pas një raporti të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), e cila sugjeron se Irani ka bërë teste për mbushjet bërthamore.

“Irani ka zgjedhur rrugën e izolimit ndërkombëtar,” tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama në një deklaratë për shtyp. “Për sa kohë që Irani të vazhdojë këtë rrugë të rrezikshme, Shtetet e Bashkuara së bashku më partnerët do të vazhdojnë të gjejnë mënyrën për të izoluar dhe rritur presionin mbi regjimin e Iranit.”

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara për herë të parë kanë si qëlllim sektorin e produkteve kimike, që përftohen nga nafta dhe zgjerojnë sanksionet, që ishin vendosur deri tani mbi karburantet dhe gazin.

Sektori i produkteve kimike, që përftohen nga nafta, është një nga degët kryesore të ekonomisë së Iranit dhe burimi më i madh i të ardhurave për regjimin.

Bllokimi i bankave

Agjencia ndërkombëtare e energjisë atomike, IAEA, në Vjenë
Agjencia ndërkombëtare e energjisë atomike, IAEA, në VjenëFotografi: dapd

Shtetet e Bashkuara kanë si qëlllim të izolojnë edhe sistemin bankar të Iranit, por ndërpreja e lidhjeve me Bankën Qendrore të Iranit, është një hap, që do ta nxirrte vendin nga sistemi financiar botëror.

Qeveria britanike njoftoi të hënën se ishte duke shkëputur të gjitha marrëdheniet financiare me bankat e Iranit, duke përfshirë edhe Bankën Qendrore. Ottava tha gjithashtu se mund “të bllokojë virtualisht të gjitha transakisionet me Iranin” dhe të ndalojë eksportin e elementeve petrokimikë, karburanteve dhe gazit.

Franca rrit presionin

Franca nuk është duke marrë masa konkrete, por i ka kërkuar Bashkimit Europian dhe shteteve të tjera të vendosin “sanksione të rënda”, të bllokojnë asetet e Bankës Qendrore të Iranit dhe të mos blejnë më karburantet e Iranit.

Në deklaratën e lëshuar për median nga presidenca franceze thuhej se propozimi i Francës për sanksionet e reja i drejtohej liderëve të Britanisë, Kanadasë, Gjermanisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, ashtu si edhe liderëve të Bashkimit Europian

“Në një kohë që Irani ecën përpara me programin e tij nuklear, refuzon bisedimet dhe izolon popullin e tij, Franca është në favor të sanksioneve të rënda, për të bindur Iranin për t'u ulur në bisedime”, thuhet në deklaratë.

“Për më shumë se 10 vjet Irani ka vazhduar të punojë ilegalisht mbi programin nuklear dhe ka zhvilluar kapacitet nukleare ushtarake, gjë që tregohet nga Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike”, theksojnë autoritetet franceze.

“Lojë e humbur”

Irani pohon se programi i tij atomik shërben për qëllime paqësore
Irani pohon se programi i tij atomik shërben për qëllime paqësoreFotografi: AP

Nga Teherani Ministri i Tregtisë, Mehdi Ghazanfari, ka paralajmëruar Perëndimin se ata po dëmtojnë interesat e tyre.

“Sanksionet janë një lojë, në të cilën të dyja palët dalin të humbura. Nëse ata nuk investojnë në projektet tona të karburanteve, atëherë kjo do të ndikojë tek çmimi”, tha Ghazanfari në një konferencë për shtyp përpara deklaratave të Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë sipas agjensisë Reuters diplomatët europianë pritet të arrijnë një marrëveshje me qeveritë e Bashkimit Europian për të shtuar rreth 190 persona dhe organizata në listën e personave me aksione të ngrira dhe ndalimin e udhëtimit.

Autor: AP,dpa, Reuters/Amarildo Topi

Redaktoi: Angjelina Verbica