1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perspektiva evropiane e Moldavisë

Keno Verseck / E. Xhani16 Nëntor 2013

Republika e Moldavisë është shteti më i varfër në Evropë, i paqëndrueshëm ekonomikisht dhe politikisht. Megjithatë BE synon të lidhë një marrëveshje asociimi me vendin. Kjo mund të mos i pëlqejë Rusisë.

https://p.dw.com/p/1AIRO
Fotografi: DW/Andreas Bethmann

Thuajse askush nuk e njeh vendin, ose nuk e di ku ndodhet, ndërkohë që ai është një fuçi baruti social, etnik dhe politik direkt në kufirin e jashtëm të Evropës. Fjala është për Republikën e Moldavisë, që ndohet mes Rumanisë dhe Ukrainës, një ish republikë e vogël sovjetike, e cila shpalli pavarësinë në vitin 1991. Zyrtarisht vendi aktualisht konsiderohet si kapitulli i vetëm i suksesshëm i projektit të BE-së për Partneritetin në Lindje. Në fund të nëntorit në samitin e Partneritetit në Lindje në Vilnius të Letonisë, BE do të nënshkruajë një Marrëveshje Asociimi me Republikën e Moldavisë. Nën zë shumë politikanë të BE-së flasin megjithatë për një shtet në prag të dështimit.

Igor Corman
Igor CormanFotografi: picture-alliance/dpa

Republika e Moldavisë, është vendi më i varfër i Evropës. Dy dekadat e kaluara më shumë se një e katërta e 4,3 milionë banorëve janë larguar nga vendi. Burimet kryesore të të ardhurave janë ndihmat financiare të BE-së dhe transfertat nga emigrantët. Ato përbëjnë aktualisht një të katërtën e Produktit të Brendshëm Bruto të vendit. Raportet politike në vend janë kronikisht të paqendrueshme, korrupsioni dhe pasiguria ligjore janë gjerësisht të përhapura, panorama politike është e përçarë thellë në një kamp pro-perëndimor dhe një pro-rus.

Transnistria - rajoni problematik

Përbërja etnike ka çuar vitet e kaluara gjithnjë në konflikte, megjithë legjislacionin liberal kundrejt pakicave. Rreth 70 për qind e banorëve janë moldavë që flasin rumanisht. Pjesa tjetër janë ukrainas, rusë dhe gagauzë, një grup etnik i krishterë turkofon.

Lindja e vendit, e quajtur Transnistria, u nda nga pjesa tjetër e vendit që në vitin 1990. Atje ish komunistë ortodoksë etabluan një regjim mafioz, që nuk u njoh nga e drejta ndërkombëtare. Rripi i ngushtë i tokës u kthye në një epiqendër për pastrim parash, kontrabandë, tregti njerëzish, droge dhe armësh. Në 1992 pati një luftë të shkurtër civile, që prej armëpushimit në të njëjtin vit, vlon konflikti i Transnistrisë.

Karte Republik Moldau Englisch
Fotografi: DW

Pavarësisht nga këto raporte, BE dëshëron të ratifikojnë ndoshta që vitin e ardhshëm Marrëveshjen e Asociimit. Marrëveshja, nga e cila Transnjistria mbetet jashtë një herë për një herë, mund t'i hapë Republikës së Moldavisë perspektivën e një afrimi më të fortë me BE-në deri tek negociatat për një anëtarësim. Në të njëjtën kohë vendi mund të gëzonte më shumë mundësi tregtie të lirë, mbështetje më të madhe financiare nga BE dhe një zbutje të kushteve të udhëtimit në BE deri tek heqja e vizave.

Një vend dëshëron të shkojë në Evropë

Gjatë një vizite në Berlin këtë javë, kryetari i parlamentit të Moldavisë Igor Corman bëri thirrje për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes. Corman, ish ambasador i Moldavisë në Berlin, është një nga politikanët drejtues në koalicionin qeverisës me tri parti "Aleanca për Integrim Evropian". "Qeveria jonë ashtu si shumica e popullsisë kanë bërë zgjedhjen civile të një integrimi evropian", tha Igor Corman gjatë fjalës së tij në Fondacionin Friedrich Ebert të martën (12.11.2013). "Ne jemi në rrugën e duhur, kemi miratuar shumë reforma, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe në drejtësi. Ne nuk jemi rrezik për BE-në."

Gernot Erler
Gernot ErlerFotografi: picture-alliance/dpa

Politikani socialdemokrat për çështje të politikës së jashtme dhe Evropës Lindore, Gernot Erler, tërhoqi vëmendjen për situatën e brishtë politike në Republikën e Moldavisë. Erler rikujtoi se vendi nuk ka pasur thuajse fare sukses në zbatimin me konsekuencë të reformave. Pas skandaleve të ndryshme të korrupsionit, në fillim të këtij viti u ça koalicioni qeverisës, por nga frika e zgjedhjeve të parakohshme krijoi një qeveri të re nën drejtimin e kryeministrit Lurie Leanca.

Kujdesi për raportet me Rusinë

Erler në të njëjtën kohë paralajmëroi edhe BE-në ndaj optimizmit të tepruar. "BE e ka shpallur Republikën e Moldavisë si një kapitull suksesi në Partneritetin në Lindje. Kjo është mirë për Moldavinë por e rrezikshme për BE-në", thotë Erler. "E gjitha po shkon gjithnjë e më shumë në drejtim të një konfrontimi me Rusinë."

Në të vërtetë Partneriteti në Lindje ka probleme të shumta: Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Bjellorusia nën trysninë e Rusisë janë larguar nga shumë projekte dhe duan të hynë në një marrëveshje tregtie të lirë me Rusinë. Ukraina do të vendosë këto ditë nëse do të nënshkruajë një marrëveshje Asociimi me BE-në. Edhe këtu trysnia masive nga Rusia mund të çojë në tërheqje të Kievit. Edhe ndaj Republikës së Moldavisë, Rusia ka vendosur indirekt sanksione: në shtator ndaloi importet e verës dhe konjakut, siç u tha për arsye cilësie.

I pyetur nga Deutsche Welle, Erler tha se nuk synon të bindë BE-në të heqë dorë nga një marrëveshje asociimi me Republikën e Moldavisë, por ndoshta "vjen disi herët". Veç kësaj dialogu me Rusinë duhet të intensifikohet, për të krijuar më shumë besim. Igor Corman nuk beson megjithatë se marrëveshja do të sillte shkallëzim të situatës. Ai nuk pret as sanksione të reja nga Rusia dhe as nuk beson në ashpërsimin e konfliktit të Transnjistrisë. "Sa duhet të presim ende për besimin e Rusisë", pyet Corman. "Rusia duhet të kuptojë se opsioni pro-evropian i Republikës së Moldavisë nuk është vendim kundër marrëdhënieve tona të mira në Lindje.