1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Perspektiva evropiane më e qartë pas Hagës'

13 Maj 2010

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni kërkon që Serbia të jetë më fleksibile në marrëdhëniet me Kosovën. Konferenca e Sarajevës mund të jetë një rast i mirë që Serbia të demonstrojë qëndrim më të avancuar.

https://p.dw.com/p/NMrf
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder HyseniFotografi: AP

Megjithë gatishmërinë e Prishtinës zyrtare dhe faktorit ndërkombëtar për nisjen e një rundi të ri bisedimesh teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kjo ka pak gjasa të ndodhë shpejt. Kështu thotë Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni. Kjo për faktin që sipas tij, Serbia akoma nuk ka një platformë të qartë rreth këtyre bisedave. Në një intervistë për programin tonë, ministri Skënder Hyseni thotë se Prishtina zyrtare tashmë e ka bërë të qartë platformën e saj, se ajo është e gatshme që tash që të ulet në një tavolinë me përfaqësuesit e Beogradit, mirëpo, pa u prekur çështja e statusit të Kosovës.

“Forma e bisedimeve mund të gjendet nëse Serbia pajtohet që me Kosovën të bisedojë si me një vend fqinj, si me një realitet të ri, por pa prekur çështje politike ndërshtetërore, siç janë marrëdhëniet diplomatike dhe njohja reciproke”, thotë Hyseni.

Ministri Hyseni, thotë se Kosova dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe prandaj dëshiron që të bisedojë për çështje të interesit të përbashkët.

“Kosova dhe Serbia janë do të jetojnë si vende fqinje përjetësisht, prandaj gjithmonë do të ketë çështje që kërkojnë biseda, kërkojnë sqarime. Këto nuk guxojnë të politizohen, sepse çdo politizim do ta bllokojë çdo proces pozitiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Skënder Hyseni.

Ministri Hyseni, thotë se Prishtina zyrtare e kupton pozicionin politik të Serbisë, prandaj në këtë fazë nuk kërkon nga Serbia që ta njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

“Kosova është shumë fleksibile në këtë rrafsh dhe e ka dëshmuar fleksibilitetin e saj duke mos kërkuar njohje zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, gjithmonë duke pasur parasysh vështirësitë që mund të ketë Serbia qoftë në rrafshin politik, qoftë emocional që ta njohë Kosovën si shtet”, thotë Skender Hyseni.

Ministri Skendër Hyseni thotë se konferenca e Sarajevës që do të mbahet në fillim të qeshorit ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian mund të jetë një rast i mirë që Serbia të demonstrojë një qëndrim më të avancuar ndaj Kosovës dhe rajonit, por edhe Bashkimit Evropian.

“Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdimisht kërkojnë dhe vajtojnë qysh Bashkimi Evropian nuk po ju ofron liberalizim vizash, e në anën tjetër vetë vendet e Ballkanit kanë vendosur regjime strikte për viza, atëherë këtu ka një absurditet, ka një paradoks dhe ka një papajtueshëmri parimesh në fund të fundit”, thotë ministri Hyseni.

Mirëpo ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni shprehet optimist se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës mund të jetë hendeku i fundit për fillimin e relaksimit të marrëdhënieve Kosovë Serbi. Kjo do të dihet sipas ministrit Hyseni në dy javët e para pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Këto dy javë të para do të tregojnë qartë drejtimin që do të marrë Serbia në rrafshin diplomatik. Do të tregojnë qartë nëse Serbia do të vazhdojë të vendosë postblloqe të reja diplomatike në rrugën e Kosovës, apo do të përpiqet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe me këtë të krijojë një parakusht të bashkëpunimit të frytshëm në shkallë rajoni. Me këtë dhe perspektiva evropiane do të jetë më e qartë për të gjithë”, thotë Skënder Hyseni.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi