1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Peter Beyer: Politika gjermane ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar!

Bahri Cani2 Qershor 2014

Deputeti kristiandemokrat gjerman, Peter Beyer, anëtar i Komisionit të Bundestagut për Evropën Juglindore, thotë për DW, se nuk janë të vërteta pohimet e disa mediave për mosmarrëveshje me qeverinë aktuale të Kosovës.

https://p.dw.com/p/1CAcZ
Peter Beyer
Fotografi: Peter Beyer

Deutsche Welle: Zoti Beyer, në Kosovë do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare më 8 qershor. Çfarë prisni Ju nga këto zgjedhje?

Peter Beyer: Këto zgjedhje duhet të jenë të lira dhe të gjithë duhet ta kenë mundësinë e votimit. Shumë me rëndësi është që të gjithë të marrin pjesë në këto zgjedhje. Me shqetësim i kam pritur informacionet se në veri të Kosovës ka forca, të cilat kohët e fundit po bëjnë fushatë që serbët t'i bojkotojnë zgjedhjet. Kjo me siguri që nuk është mirë. Sa më e madhe të jetë pjesëmarrja në zgjedhje aq më i fuqishëm është edhe legjitimimi i një qeverie të dalë nga zgjedhjet.

DW: Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje është shumë me rëndësi, sepse kjo do të ishte hera e parë që serbët e veriut të marrin pjesë në zgjedhje parlamentare. Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje me siguri që do t'i kontribuonte edhe qetësimit të mëtejmë të situatës në tërë rajonin, apo jo?

Beyer: Absolutisht. Në Kosovë janë bërë në këtë drejtim hapa të mëdhenj pozitiv, sepse nëse kthehemi dy apo tri vite më parë, shihet se një bashkëpunim i tillë nuk ka ekzistuar fare. Me Marrëveshjen e Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova ka arritur shumë gjëra të cilat nuk duhet të nënvlerësohen - jo vetëm në Kosovë por edhe në botën e jashtme. Ne po i përcjellim me shumë vëmendje zhvillimet dhe gjërat pozitive që janë bërë në Kosovë dhe në rajon. Me siguri që kanë mbetur edhe disa gjëra shumë të rëndësishme për t'u bërë, si për shembull, në luftën kundër korrupsionit. Por duhet theksuar se shumë gjëra janë bërë, për të cilat duhet më shumë kohë. Kosovës duhet t'i japim më shumë kohë, për t'a zbatuar Marrëveshjen e Brukselit. Një shembull shumë i mirë është edhe vendimi për krijimin e Tribunalit për krimet e luftës, për ndjekjen personave që kanë bërë krime edhe në radhët e vet kosovarëve, që me siguri është një shembull shumë pozitiv dhe një hap në drejtimin e duhur.

DW: Ju përmendët dy gjëra të rëndësishme: dialogun me Serbinë dhe luftën kundër korrupsionit. Por qeveria e ardhshme në Kosovë me siguri që do të ketë edhe sfida të tjera. Cilat janë sfidat e tjera të Kosovës?

Beyer: Janë temat, që i kemi përmendur vitet e fundit: lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, ndërtimi dhe forcimi i shtetit juridik, sundimi i ligjit në veçanti në veri të Kosovës, ku duhet të krijohen dhe forcohen strukturat policore dhe juridike... në shumë drejtime janë arritur rezultate të mira. Po do të duhet edhe më shumë kohë për vendosjen e një dialogu të mirëfilltë me grupin etnik serb në këtë rajon, në mënyrë që gjërat të zbatohen dhe të funksionojnë në jetën e përditshme. E kam fjalën për domosdoshmërinë e funksionimit të gjykatave edhe në veri dhe për krijimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Për mua pozitive është poashtu që EULEX-i mund të lëvizë lirshëm në gjithë territorin e Kosovës dhe kjo lë një përshtypje të mirë edhe në botën e jashtme.

DW: Zoti Beyer, cilat janë prioritetet e politikës gjermane ndaj Kosovës, sepse pati disa paqartësi pas debatit të fundit në Bundestag mbi zgjatjen e mandatit të trupave gjermane në Kosovë, u tha se Berlini nuk do të bashkëpunojë me qeverinë e tanishme të kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi. A ka kjo domethënie, a ka ndonjë ndryshim në këtë drejtim?

Beyer: Në Bundestag nuk ka asnjë paqartësi. Unë kam qenë edhe vet i pranishëm në seancën e Bundestag-ut për vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it, që ka qenë vetëm leximi i parë, ndërsa leximi i dytë dhe i tretë do të mbahet të enjten, kur edhe unë do të mbaj një fjalim. Të enjten do të votohet zyrarisht për vazhdimin e mandatit. Në grupet parlamentare që janë në koalicionin qeveritar: Unioni CDU/CSU dhe Socialdemokratët (SPD) nuk ka asnjë dallim në qëndrimet sa i përket Kosovës. Përkundrazi, është theksuar se në Kosovë janë bërë përparime. Natyrisht kanë mbetur edhe disa gjëra për t'u bërë dhe ne nuk duhet t'i mbyllim sytë para tyre. Por sinjali kryesor është që ne duam ta mbështesin dhe ta motivojmë Kosovën në rrugën e saj. Gjermania do të bëj të gjitha sa janë në mundësinë e saj për ta shoqëruar Kosovën në mënyrë kontruktive në procesin e stabilizim-asociimit dhe më pas edhe në rrugën e saj drejt Evropës dhe integrimeve evropiane. Pohimet e bëra publike në disa media kosovare më kanë befasuar, sepse në Gjermani nuk ka asnjë mosmarrëveshjesh sa i përket politikës ndaj Kosovës.

DW: Pra kjo do të thotë, se nuk është e vërtetë ajo që është komentuar media, se qeveria gjermane nuk do të bashkëpunojë me qeverinë e tanishme të Kosovës?

Beyer: Jo, një gjë e tillë nuk qëndron fare. Do të thosha madje se pohime të tilla janë të pavërteta. Do të ishte shumë jo serioze sikur qeveria apo parlamenti gjerman, në veçanti në prag të zgjedhjeve të pavarura në një vend tjetër, të dalin në opinion me deklarata të tilla. Deklarata të tilla nuk ka pasur dhe nuk do të ketë në Gjermani nga askush. Më e rëndësishmja është që tani të mbahen zgjedhjet e lira dhe demokratike dhe të mos ketë incidente, si në zgjedhjet e fundit lokale më 3 nëntor 2013 në veri të Mitrovicës. Me rëndësi është që zgjedhjet të mos bojkotohen dhe që qeveria e re e Kosovës të krijohet mbi bazën e zgjedhjeve të lira. Shumë me rëndësi është që qeveria e re të ketë një bazë të gjerë mbështetjeje, ndaj edhe pjesëmarrja në zgjedhje është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Pra mesazhi im kryesor është: dilni dhe votoni!

DW: Gjermania për Kosovën ka qenë dhe është një partner i rëndësishëm, jo vetëm politik por edhe ekonomik. A do të thotë kjo se Kosova edhe më tej mund të llogarisë me mbështetjen e Gjermanisë, pavarësisht se kush është në pushtet?

Beyer: Çështja më e rëndësishme është: Ekziston një axhendë, e cila duhet zbatuar. Ekziston Marrëveshja e Brukselit, vazhdimi i rrugës së integrimeve evropiane dhe vazhdimi i dialogut mes serbëve dhe Kosovës. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët - kosovarët dhe serbët. Sa i përket politikës gjermane ndaj Kosovës: në këtë drejtim nuk ka ndryshuar asgjë!