1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Peter Feith: Krijimi i një shoqërie multi-etnike është i mundur

Intervistën e zhvilloi Sonila Harasani 15 Qershor 2008

Në këtë intervistë kryetari i misionit të BE-së në Kosovë, EULEX, shpjegon cilat janë detyrat e misionit të tij dhe çfarë përmban kushtetuta e Kosovës që hyn në fuqi pasnesër (16 qershor)

https://p.dw.com/p/EJp9
Peter FeithFotografi: AP

Një këtë intervistë me programin shqip të radios DW, shefi i BE-së në Kosovë, hollandezi Peter Fetih, flet për kushtetutën e re, për ndryshimet pozitive që do të sjellë ajo si për kosovarët ashtu edhe për pakicat serbe që jetojnë atje si edhe për rolin që do të luajë ai si përfaqësuesi më i lartë i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Deutsche Welle: Zoti Feith, cilat janë sipas jush pikat më të rëndësishme të kushtetutës së re të Republikës së Kosovës?

Peter Feith: Kushtetuta e re e Kosovës përbëhet nga disa pika tërëndësishme, të cilat u vendosën me pakon e Ahtisarit. Në bazë të kësaj pakoje, kushtetuta e re e Kosovës mbron të drejtat e pakicave në vend, e sidomos të serbëve që jetojnë atje. Pikë tjetër e rëndësishme e kushtetutës së re është sigurisht decentralizimi, çka do të sjellë gradualisht formimin e komunave të reja, ku serbët do të përbëjnë shumicën e popullsisë. Përveç kësaj kushtetuta e re garanton mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Besoj se këto pika janë shumë të rëndësishme, sepse ofrojnë shumë mundësi për pakicat në këtë vend, edhe për bashkësinë serbe. Përveç kësaj doja të theksoja gjithashtu se kjo kushtetutë përmban rregulla të caktuara mbi rolin e përfaqësuesit të BE-së (International Civilian Office - ICO), ku bëj pjesë dhe unë. Kjo përbënte një ndër propozimet e Ahtisarit, i cili thoshte që përfaqësuesi i BE-së është instanca më e lartë kur bëhet fjalë për futjen në fuqi të ligjeve, që janë pjesë e kushtetutës.

Deutsche Welle: Por cilin rol konkret do të luajë misioni i BE-së nëpërmjet përfaësuesit të saj ICO në Kosovë?

Peter Feith: Sipas kushtetutës zyra ime, pra ICO-ja, njihet si autoriteti më i rëndësishëm për implementimin e kushtetutës së re, pra planit të Ahtisaarit. Kështu që përfaqësuesi i BE-së ka funksion ekzekutiv. Kjo është e vendosur me kushtetutë.

Deutsche Welle: A mendoni se në Kosovë do të jetë vërtetë e mundshme që pakicat serbe dhe ato rome e ashkali të jetojnë në paqe së bashku me shumicën shqiptare të popullsisë?

Peter Feith: Mendoj se me kalimin e kohës, krijimi i një shoqërie multi-etnike është i mundur. Shoh gjithashtu se qeveria përpiqet t´i përmbahet planit të Ahtisarit. Programi për decentralizimin ka filluar që tani. Nga ky program do të përfitojë sidomos komuniteti serb. Pra nuk do të krijohen vetëm komuna të reja serbe por di të forcohet principi i subsidiaritetit, pra dalje nga kryeqyteti. Rrjedhimisht rajonalizimi do të sjellë përmirësimin e gjendjes financiare dhe politike. Të gjitha këto masa e modernizojnë vendin dhe janë në mbrojtje të pakicave. Ky është një hap i rëndësishëm për reformimin e vendit dhe sistemit qeveritar në Kosovë. Për mua ky është një përparim i madh dhe modern.