1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intervistë me Wolfgang Petriç

30 Mars 2012

Eksperti për Ballkanin, diplomati austriak Wolfgang Petritsch mendon se Prishtina dhe Brukseli duhet veprojnë më shpejt në realizimin e detyrave, që njerëzit në Kosovë të ndjehen pjesë e Europës.

https://p.dw.com/p/14V5T
Fotografi: DW

DW: Zoti Petriç, Kosova tashmë i bëri katër vjet si shtet i pavarur. A mund të flasim për një bilanc pozitiv të ecurisë së saj, si shteti më i ri në Ballkan dhe Europë?

Petriç: Në qoftë se njeriu do të ishte optimist, duhet të thoshte që po. Kjo ecuri po ecën përpara me ngadalë, por megjithatë ka përparime. Natyrisht që shumë nga këto përparime janë të ngadalta. Duhet të ecin më shpejt, veçanërisht për njerëzit e prekur në shumë fusha si për shembull në aspektin e liberalizimit të vizave dhe natyrisht në ndërtimin ekonomik, në njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera, që më së fundi BE-ja të ketë mundësinë të përfaqësohet si një e vetme dhe natyrisht të sqarohen të gjitha çështjet teknike me Serbinë. Këto janë si të thuash çështjet më të mëdha, që duhen zgjidhur shpejt.

DW: Edhe pse kanë kaluar katër vjet, ende pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. A do të thotë kjo se kemi të bëjmë me një BE të dobët?

Petriç: Kjo do të thotë shumë. Kjo do të thotë së pari, që këto shtete si anëtare të BE-së duhet të veprojnë si një trup i vetëm, por problemet e veta kombëtare në vendet e tyre, siç janë pakicat, janë një arsye për të mos e njohur Kosovën dhe që me këtë pengojnë po ashtu që Europa të flasë me një zë. Kjo është për të ardhur keq dhe unë mendoj që në Bruksel politikanët e vendeve anëtare të BE-së duhet flasin më fuqishëm dhe më hapur me njëri-tjetrin me këto shtete, që deri tani nuk e kanë njohur Kosovën. Duhet të krijojnë bindje pozitive tek këto shtete.

DW: Por me zhvillimet e fundit të krijohet përshtypja, sikur Kosova është lënë paksa në periferi, menjanë, pra e kanë larguar më shumë nga Brukseli. Ju si mendoni?


Petriç: Kosova është në të vërtetë prova e lakmusit për funkionimin e BE-së. Në qoftë se BE nuk arrin që problemin e Kosovës në sensin konstruktiv ta zgjidhë për të mirën e qytetarëve dhe qytetareve të saj, atëherë Kosova ka dështuar dhe nuk ka të drejtë të njihet si një aktor ndërkombëtar. Fatkeqësisht ky është problemi. Kjo do të thotë, që Kosova natyrisht duhet që për interesat e saj me qeverinë e saj të vazhdojë që situatat ekonomike sociale politike dhe të drejtat e pakicave t'i përmirësojë. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që qeveria të intensifikojë punën për përfitimin e jo-shqiptarëve dhe në veçanti të serbëve, por në anën tjetër natyrisht duhet që edhe BE-ja të shikojë që të gjitha shtetet të njohin pavarësinë e shtetit kosovar dhe me bisedime dhe negociata të mundësohet zgjidhja e problemeve teknike, së fundi ato politike, pra marrëdhëniet me Serbinë. Serbia ka natyrisht statusin e kandidatit dhe për këtë duhet të marrë edhe përgjegjësitë e veta. Unë mendoj që kancelarja gjermane Angela Merkel e ka shprehur qartë se Beogradi duhet me Prishtinën të bie në ujdi. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse përndryshe Serbia nuk mund të bëjë negociata më tej për anëtarësimin e saj në BE. Sepse standarti europian është: me shtetet fqinjë duhet të kesh marrëdhënie të mira për të jetuar. Unë shoh një përgjegjësi shumë të rëndësishme për Beogradin edhe që ai të marrë në dorë përgjegjësinë për sigurinë rajonale dhe të punojë në mënyrë konstruktive së bashku me Prishtinën.

DW: Por Serbia bën një hap përpara duke marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE në një kohë, kur situata në veri vazhdon të jetë e shumë e komplikuar. Ndarje nuk ka, thonë të gjithë, por ende nuk edhe ndonjë zgjidhje konkrete?

Wolfgang Petritsch
Diplomati Petritsch në bisedë me gazetaren Mimoza KelmendiFotografi: DW

Ju keni ndonjë zgjidhje zoti Petriç nga përvoja në Bosnjë, Ballkan për veriun e Kosovës?

Petriç: Situata veçanërisht në veri është shumë e vështirë, sepse faktikisht Prishtina nuk mund të ushtrojë sovranitetin e saj. Ne dimë nga situata të tjera, ku shumë konflikte kanë zgjatur me vite të tëra. Por edhe atje do të ketë përmirësime, kur të vijnë negociatat për anëtarësimin e Beogradit në BE. Hap pas hapi duhet që në rradhë të parë të zgjidhen çështjet teknike dhe në vazhdm ato politike. Pozicioni i BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare është shumë i qartë. Nuk do të ketë kufij të rinj, sepse po të ketë do të hapet menjëherë kutia e Pandorës. Çfarë do të ndodhte me jugun e Serbisë, me një pjesë të Maqedonisë veriore? Njeriu duhet të ruhet nga këto, sepse janë hapur shumë kufij të rinj, që më në fund në Europën pa kufij nuk do të ekzistojnë më.

DW: Por situata është duke u përkeqësuar dhe tani janë hedhur teza edhe për një Autonomi per veriun, siç u deklarua ditë më parë Stefan Lehne. Do të ishte kjo një zgjidhje e mundshme?

Petriç: Unë nuk kam biseduar ende me Stefan Lehnen për domethënien e deklaratës së tij. Por mendoj se para së gjithash si bazë është Plani i Ahtisarit. Ky plan u jep serbëve me të drejtë shumë të drejta, të cilat duhet të zbatohen. Kjo situatë nuk do të ishte edhe për vetë serbët një gjë e mirë, nëse do të kishin dy kategori të ndryshme të serbëve në Kosovë, që do të thotë serbët, që jetojnë në jug të kishin një status tjetër në krahasim me ato të veriut. Plani i Ahtisarit e bën shumë të qartë, që të gjithë serbët të kenë një status, të gjithë serbët të kenë të drejta të njëjta dhe kjo është baza themelore. Ne jemi shumë larg nga ajo, ku Prishtina edhe në veriun e Kosovës të ushtrojë sovranitetin e saj. Plani i Ahtisarit të zbatohet një herë dhe më pas të mendohet për ndonjë ndryshim.

DW: Zoti Petriç, qytetarët kosovarë janë të zhgënjyer shumë me zhvillimet e fundit. Tashmë kemi një fusnotë, ose një studim fizibiliteti dhe një fillim të bisedimeve për liberalizimin e vizave pa afat kohor për Kosovën. Sipas jush, cilët janë shkaktarët e këtyre zhvillimeve zvarritëse në rrugën e integrimit të Kosovës për në BE?

Petriç: Shpresoj shumë që liberalizimi i vizave, që në këtë kohë po negociohet, të arrihet sa më shpejt. Eshtë e padurushme, që në një Europë, ku të gjithë qytetarët kanë mundësinë e udhëtimit, një vend që është në qendër të Europës të mos ketë këtë mundësi. Natyrisht që është edhe një problem i madh për BE-në. Unë kam një patneritet politik me qeverinë e Kosovës, që me të vërtetë ecën sipas rregullave europiane. Por në pyetje vjen edhe korrupsioni, kriminaliteti i organizuar, të gjitha këto probleme që i ka një shtet i ri natyrisht që luajnë një rol. Ka një pjesë të vendeve anëtare të BE, që e shikojnë me skepticizëm dhe thonë se ne duhet të presim akoma dhe këtë unë e quaj një problem. Sigurisht që integrimi i Kosovës varet nga vullneti i autoriteteve kosovarë për të luftuar edhe më tej korruspionin dhe krimin e organizuar. Besoj se tashmë procesi i studimit të fizibillitetit do të realizohet në një të ardhme të afërt. Ky proces (studimi i fizibilitetit) nuk është i parëndësishëm në marrëdhënien BE-Kosovë. Por unë mendoj që të dyja krahët, Brukseli dhe Prishtina, duhet të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë. Njeriu duhet të shikojë që në Prishtinë është vendosur një shtet i të drejtave dhe që nuk ka korrupsion dhe në Bruksel të shihet që sa më shpejt të bëhet liberalizimi i vizave. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe, sepse edhe njerëzit do të kishin një ndjenjë, atë të qënies pjesë e Europës.

Autor: Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Angjelina Verbica