1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Petroviq: Në veri askush nuk ndjehet i sigurt

Bahri Cani17 Janar 2014

"Politika kriminale e 14 viteve të fundit në veri të Kosovës është fajtore për vrasjen e një njeriu të ri familjar", thotë në intervistë me DW, zëvendëskryeminstri i Kosovës dhe kryetari i SLS, Sllobodan Petroviq.

https://p.dw.com/p/1Asch
Fotografi: DW/B.Cani

Deutsche Welle: A keni ndërkohë ndonjë informacion lidhur me sfondin dhe motivet e vrasjes së Dimitrije Janiqijeviqit?

Slobodan Petroviq: Për këtë vrasje fajin e ka politika. Ajo është edhe shkaktare e kësaj vrasjeje. Unë shpresoj sinqerisht që autoritetet sa më parë do t'i shpjegojnë edhe motivet. Për fat të keq, kjo është një vrasje e cila është paralajmëruar edhe më parë, sepse i ndjeri Dimitrije Janiqijeviq edhe vet disa herë i ka denoncuar në zyrën e Eulexit në Mitrovicën Veriore kërcënimet që ka pasur nga disa persona. Ai ka dhënë në këto deklarata edhe emrat e personave që e kanë kërcënuar. Kundër të ndjerit Dimitrije Janiqijeviq ka pasur disa sulme edhe më parë: ka pasur të shtëna mbi lokalin e tij, kanë hedhur edhe një bombë mbi lokal, para veturës i kanë vënë lëndë shpërthyese... Të gjitha këto i ka paraqitur, por nuk ka pasur rezultate në hetime. Shpresoj që të gjitha këto gjëra do të zbardhen.

Pasi edhe më parë ka pasur kërcënime, a mund të thuhet se kjo është një vrasje politike apo vrasja ka ndonjë sfond tjetër?

Kur them që politika e ka fajin, mendoj në atmosferën e krijuar në 14 vitet e fundit në veri të Kosovës. Ne që e kami marrë përgjegjësinë dhe kemi bërë përpjekje që problemet e bashkësisë sonë t'i zgjidhim përmes institucioneve të Kosovës, jemi shpallur tradhëtarë. Bartësi kryesor i këtij procesi kemi qenë ne Partia e Pavarur Liberale (SLS), ndaj edhe kemi qenë më së shumti në shënjetër. Kjo atmosferë e sëmurë rezulton tani edhe me vrasje. Nuk mjafton që bartësit e politikës t'i dënojnë sulmet dhe vrasjet e këtilla, por duhet të bëjnë më shumë për evitimin e tyre. Ndaj është shumë me rëndësi që të promovohet politika, e cila e mbron jetën e njerëzve, politika që është kundër dhunës. Nuk dua të besoj që ata që na kanë quajtur tradhëtarë edhe e kanë dëshiruar këtë vrasje, por është e qartë që ata që kanë funksione politike dhe përfaqësojnë popullin e tyre duhet të kenë shumë kujdes se si po sillen.

Ju keni deklarauar që politika e cila rezulton me vrajse është një politikë kriminale. Kujt i drejtoheni Ju me këto fjalë, kush është bartës i politikës kriminale?

Situata e sigurisë në Mitrovicën Veriore është e padurueshme. Atje ka një numër të madh të krimeve të pazbardhura. Politika e cila nuk insiston në zbardhjen e këtyre krimeve dhe e cila gjen justifikime për sulmet ndaj kundërshtarëve politikë, është një politikë tepër e rrezikshme. Shpresoj që ky krim do të shfrytëzohet si shkas për zbradhjen e të gjitha krimeve, sepse kjo është përgjegjësi e institucioneve, bartësve të politikës dhe e gjithë qyetarëve.

Kush e mban përgjegjësinë për këto krime në Mitrovicën Veriore, Ju si bartës i institucioneve të Kosovës apo strukturat paralele atje?

Përgjegjësinë me siguri që e kanë të gjitha palët. Unë e kam shumë të vështirë që në këtë moment të reagoj si politikan i ftohtë, sepse likudimi brutal i një njeriu të ri familjar, në prag të shtëpisë së tij, është tepër shokues për të dhënë shjpegime racionale. Është tepër dëshpëruese që vrasja ndodh pikërisht në ditën kur europarlamentarët në Strasburg shprehin shumë fjalë miradie dhe lëvdata për punën e politikanëve kosovarë dhe serbë. Në ditën kur hapet rruga për procesin e integrimeve evropiane për Kosovën dhe Serbinë, ne për fat të keq kemi një përleshje politike e cila është praktikuar dikur në shekujt e kaluar. Duhet të priten hetimet, por me siguri që të gjithë e bartin një pjesë të përgjegjësisë, sepse kjo është hera e parë që ndodh një vrasje e tillë. Nuk e di pse?

Kjo me siguri që do të jetë një prej pyetjeve kryesore që do ta shtrojë edhe hetuesia, por është fakt që vrasja po ndodh pas refuzimit të Krstimir Pantiqit që të betohet si kryetar i komunës së Mitrovicës Veriore dhe pas vendimit që atje të përsëriten zgjedhjet. Mendoni se kjo vrasje ka lidhje me zgjedhjet e ardhshme?

Nuk duhet harruar faktin që kjo vrasje po ndodh pas zgjedhjeve të fundit lokale dhe pas betimit të këshilltarëve në komuna. Nuk dua të spekuloj, por ka shumë gjëra domethënëse. Askush nuk mund të jetë indiferent ndaj faktit që në veri në 14-15 vitet e fundit ka pasur shumë krime të pazbardhura, dhe që atje nuk ka pasur pushtet të mirëfilltë. Me siguri që askush atje nuk ndjehet mirë dhe i lirë. Ne jemi angazhuar tërë kohën për një politikë të përgjegjshme. Nuk jemi fshehur pas institucioneve të tjera, nuk e kemi gënjyer popullin dhe nuk i kemi dhënë popullit tonë ndonjë shpresë të rrejshme. Për këtë shkak ne kemi përjetuar shumë sulme. Ndërsa tani kemi ardhur deri në pikën kur anëtarët tanë edhe vriten. Ju me siguri që e dini që edhe para dy vitesh në veri të Mitrovicës është shtënë me armë zjarri kundër një anëtari të SLS, i cili rastësisht ka mbijetuar. Gjatë fushatës elektorale ka pasur shumë kërcënime ndaj kandidatëve tanë, madje janë hedhur edhe dy bomba. Shumë njerëz i kanë humbur vendet e punës dhe ndihmat sociale, vetëm pse janë pjesë e kësaj partie. Ka ardhur koha që dikush të përgjigjet për këto sulme.

A keni të dhëna se kush qëndron pas këtyre sulmeve?

Sikur ta dija me siguri që kjo do të ishte zgjidhur deri tani. Por njerëzit që merren me këto punë janë pakicë dhe shpresoj që autoritetet do t'i sqarojnë të gjitha këto sulme dhe këtë fushatë kundër partisë sonë.

Si e vlerësoni situatën e përgjithshme të sigurisë në veri, ku së shpejti duhet të përsëriten zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës Veriore?

Unë kam shkuar shumë shpejt tek familja e të ndjerit Dimitrije Janiqijeviq dhe kam përshtypjen se i tërë qyteti është në shok. Shumë njerëz janë të frikësuar. Të gjithë presin që ky dhe shumë krime të tjera të zbardhen. Por shumica e njerëzve janë skeptikë kur bëhet fjalë për gjetjen e vrasësve. Gati askush nuk është optimist dhe nuk pret zbardhjen e kësaj vrasjeje. Kjo shkakton frikë dhe në këtë atmosferë askush nuk ndjehet i sigurt. Pas kësaj vrasjeje, situata e sigurisë në veri është keqësuar edhe më shumë.