1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Physis Stadt" - Një qytet në adoleshencë

15 Korrik 2009

Gjashtë të rinj evropianë me banim në Berlin donin të dinin se çdo të thotë të përshkosh një qytet plotësisht dhe zgjodhën Tiranën si terren për eksperimentin e tyre.

https://p.dw.com/p/Iq7F
Prezantimi në Berlin i projektit "Physis-Stadt Tirana"Fotografi: DW

"Çdo ditë ngriheshim në orën 6.30, hanim mëngjes, pastaj përcaktonim itinerarin në hartën e Tiranës dhe në orën 8 niseshim në ato rrugë që kishim shënuar në hartë." Studentja polake Maria Czosnek ishte njëra nga gjashtë bursistët e Kolegjit Studimor në Berlin (Studienkolleg zu Berlin), që dy javë të jetës së tyre, në mars të këtij viti, i kaluan në Tiranë. Misioni tyre hulumtues ishte të përshkonin në këmbë një kryeqytet evropian.

Ne donim patjetër një kryeqytet në Evropën Lindore, më së miri në Ballkan, dhe zgjodhëm Tiranën, sepse ajo ishte relativisht e vogël. Nga Tirana mbetëm tejet të mrekulluar", thotë Johannes Friedl, student arkeologjie nga Mynihu.

400 km rrugë ka Tirana vetëm 160 syresh janë me trotuare. Gjashtë studentët me prejardhje nga Polonia, Çekia dhe Gjermania i kanë fotografuar të gjitha, duke filluar që nga qorrsokakët e vetmuar e deri tek rrugët kryesore e plot jetë. Ata donin të provonin se sa mund të kuptohet qyteti si tërësi, si një trup i tërë, parë nga perspektiva e rrugëve. Joanna Kusiak nga Polonia shkruan doktoraturën në filozofi pikërisht për qytetet e mëdha. "Ne zbuluam se kjo tërësi është një shumë elementesh të veçanta, gjatë ecjes zbulon nga një surprizë derisa vjen një moment kur gjithë kjo sasi shndërrohet në cilësi."

Studentët, të cilët rezultat e hulumtimit të tyre i prezantuan në Akademinë e Shkencave Berlin-Brandenburg, zbuluan para së gjithash një tipar të rëndësishëm të Tiranës: Qyteti si adoleshent. Adoleshencë, të cilën e vunë re edhe tek vitaliteti i njerëzve. 'Më bëri përshtypje që njerëzit ishin shumë të hapur dhe miqësorë. Ende ndjehet euforia e çlirimit që nga viti 1991", vëren Stefanie Braeuer, studente e historisë së artit në Berlin, vetë me prejardhje nga Gera e Gjermanisë Lindore.

Kolegji Studimor i Berlinit është ngritur shtatë vjet më parë. Synimi i tij është të krijojë një rrjet akademikësh pro-evropianë. Për këtë arsye Akademia e Shkencave Berlin-Brandenburg fton çdo vit nga 30 studentë të degëve të ndryshme që të jetojnë dhe studiojnë nga një vit në Berlin. Dy të tretat e tyre janë nga jashtë Gjermanisë. Krahas studimit të degës së profesionit të vet, ata merren edhe me një projekt ndër-disiplinor, të cilin e zgjedhin vetë.

"Projekti i këtij viti ishte jashtëzakonisht i veçantë, ndryshe nga vitet e mëparshme. Zakonisht projektet këtu janë më tradicionale. Pra, studentët gjejnë një temë, një konflikt, bëjnë intervista me përfaqësues të palëve kundërshtare, dhe i prezantojnë ato. Ndërsa qasja e këtij viti ishte shumë më ndryshe, ishte një lloj eksperimenti me vetveten, të cilin nuk e kemi pasur kurrë më parë", thotë Sabine Jung, koordinatore e programit të bursistëve.

Bursistët e këtij kanë shkelur kështu një terren të ri jo vetëm duke vizituar Tiranën por edhe me metodën e hulumtimit të tyre. Rezultatet ata do t'i prezantojnë edhe në Tiranë në kuadër të javës gjermane në tetor të këtij viti.

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: Sonila Harasani