1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pirateria lulëzon - Si mund të mbrohet në Shqipëri e drejta e autorit

23 Prill 2011

23 Prilli është Dita Ndërkombëtare e së Drejtës së Autorit. Në Shqipëri mbrojtja e të drejtës së autorit ende mbetet një çështje e pazgjidhur. Një ligj i ri pritet të ndryshojë situatën.

https://p.dw.com/p/112rL
Symbolbild Cpyright Bücher Buch Urheberrechte Montage DW-picture alliance/imagestate/Impact Photos-Florian Meyer
Symbolbild Cpyright Bücher Buch Urheberrechte

Mbrojtja e të drejtës së autorit përbën një nga direktivat e BE, që Shqipëria duhet të vërë në jetë, në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit, e cila hyri në fuqi para dy vitesh. Por situata konkrete në Shqipëri është larg asaj që do të sillte zbatimi i kësaj direktive. Situata reale tregon se kjo direktivë nuk zbatohet. Kështu në tregjet vendase ka botime pirate librash, disqesh muzikore, filmash apo veprash në gjini të tjera të artit. E drejta e autorit dhe pronësia e vyer intelektuale nuk respektohet.

Nikoleta Gjordeni, drejtore e Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit, strukturë kjo e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, thotë për programin shqip të DW: “Situata e mbrojtjes së të drejtave të autorit nuk është pozitive. Ka patur dhe vazhdon të ketë pirateri, produkte të fallsifikuara.”

Nikoleta Gjordene, drejtore e Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit
Nikoleta Gjordeni, drejtore e Zyrës Shqiptare për të Drejtën e AutoritFotografi: DW

Këtë realitet nuk e pohon vetëm kjo zyrë që është një strukturë shtetërore. Agjensitë private të mbrojtes së të drejtave të autorit pohojnë se produktet pirate sa shkojnë dhe po pushtojnë tregjet e krijimtarisë artistike dhe intelektuale. Artan Tozaj, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë private “Albaautor” , që merret me mbrojtjen e te drejtës së autorit në krijimtarinë muzikore thotë për programin shqip të DW: “Ka pirateri. Të gjithë operatorëve Radio- Televizivë në Shqipëri do t' u duhej t'u hiqej licensa sepse bëjnë transmetime pirate te krijimeve muzikore. Ndërkohë që në Kushtetutën e Shqipërisë thuhet se “e drejta e autorit mbrohet me ligj.”

Pse në Shqipëri lulëzon pirateria?

Arsyeja kryesore e mosrespektimit të së drejtës së autorit, pronësisë intelektuale në përgjithësi dhe për pasojë e lulëzimit të piraterisë në Shqipëri është moszbatimi i ligjit. “Kuadri ligjor dhe detyrimet që duhet të kenë përdoruesit e krijimtarisë artistike dhe intelektuale janë në nivel shumë të ulët” pranon Niloleta Gjordeni, Drejtorja e Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë kuadër masat shtrënguese apo ndëshkimet për këdo që nuk respekton të drejtën e autorit janë të papërfillshme ose nuk zbatohen fare.“Ndikimi i gjobitjeve për produktet pirate dhe mosrespektimin e së drejtës së autorit është shumë i ulët sepse në shumicën e rasteve ato nuk mblidhen” thotë Znj. Gjordeni.

Në lulëzimin e piraterisë e sidomos në prodhimin e disqeve muzikore dhe të filmave ka ndikuar edhe një bashkëpunim i dobët mes policisë së shtetit, organeve tatimore dhe doganave. "Ka shtëpi të tëra diskografike që merren me prodhime pirate. Ata duhet të paguajnë doganën që kur fusin pajisjet teknike, të kenë marrë licensën përkatëse për prodhimin e disqeve. Thelbi është që duhet të veprojë ligji dhe shteti. Nëse shteti detyron edhe autorët e prodhimeve pirate të paguajnë doganën, atëhere tregu i këtyre prodhimeve mund të frenohet. Kërkohet bashkëpunim me policinë e shtetit, me tatimet, për të frenuar dhe luftuar piraterinë.” thotë Artan Tozaj.

Artan Tozaj, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë private “Albaautor”
Artan Tozaj, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë private “Albaautor”Fotografi: DW

Legjislacion i ri në përputhje me standartet e BE

Hapi i parë drejt suksesit në këtë luftë është plotësimi i kuadrit ligjor dhe më pas, mos mbetja e tij në letër. Një projekt i financuar nga Komisioni Europian po asiston Zyrën Shqiptare për të Drejtat e Autorit në hartimin e një ligji të ri. “Ligji i ri do të sigurojë një harmonizim të plotë të direktivave të BE. Qëllimi është sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së të drejtave të autorit sipas standarteve të BE-së ” thotë drejtorja e kësaj zyre, Niloleta Gjordeni.

Hartimi i ligjit është njëra anë. Por ana thelbësore, ajo që sjell ndryshimin e dëshëruar mbetet zbatimi i tij. Në raport progreset e KE për Shqipërinë është vëne në dukje hartimi i ligjeve të mira, në përputhje me standartet e BE, por që për fat të keq nuk zbatohen. Zbatimi i tyre është sfida që Shqipëria duhet të fitojë. “Jemi para një sfide të madhe. Në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, duhet që edhe në këtë fushë të arrijmë standartet e kërkuara” thotë Drejtorja e Zyres Shqiptare për të Drejtat e Autorit, Znj. Gjordeni.”

Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Romës për Mbrojtjen e të drejtës së autorit të artistëve interpretues dhe ekzekutues , të Bernës për mbrojtjen e të drejtës së autorëve të veprave letrare dhe artistike si edhe Konventën Universale të të drejtave të autorit. Detyrimet që burojnë nga qënia e Shqipërisë palë në këto Konventa nuk janë përmbushur për sa kohë produktet pirate dhe të fallsifikuara mbushin tregjet vendase.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi