1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje tregon mungesën e besimit

Anila Shuka19 Nëntor 2007

Gjermania ka përshëndetur ecurinë e zgjedhjeve në Kosovë dhe ka shprehur keqardhje për pjesëmarrjen e ulët.

https://p.dw.com/p/CJJD
Studio e Deutsche Welles, Berlin
Studio e Deutsche Welles, Berlin

Gjermania ka përshëndetur ecurinë e zgjedhjeve në Kosovë dhe ka shprehur keqardhje për pjesëmarrjen e ulët: "Jemi të mendimit se pjesëmarrja e ulët është një dëshmi e mundshme për besimin e ulët të popullsisë ndaj udhëheqjes politike", tha zëdhënësi i ministrisë së punëve të jashtme, Martin Jeger(Jäger), të hënën (19.11.) në Berlin. "Shpresojmë që qeveria e ardhshme do ta rifitojë besimin duke iu përkushtuar detyrave urgjente që ka përpara, si për shembull luftimin e papunësisë", shtoi ai më tej.

Keqardhje shprehu Jeger edhe për bojkotimin e zgjedhjeve nga pakica serbe. Me këtë rast ai u bëri thirrje serbëve që të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në bisedimet aktuale në kuadër të troikës. Apel të ngjashëm i dërgoi Jeger edhe kryeministrit të mundshëm të Kosovës, Hashim Thaçit: "Shpresojmë që Thaçi do ta përdorë të gjithë fuqinë e tij për të luajtur një rol konstruktiv në këto bisedime."

Jeger e anashkaloi përgjigjen ndaj pyetjes rreth paralajmërimeve të Thaçit për shpalljen e pavarësisë. Që deklarata të tilla nuk janë shumë të mirëpritura në qarqet diplomatike evropiane, këtë e dëshmon edhe e prononcimi i ministrit suedez të punëve të jashtme, Karl Bildt (Carl Bildt) para fillimit të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së të hënën në Bruksel. "Zoti Thaçi i cili ndoshta do të bëhet kryeministri i ri ka bërë disa deklarata të guximshme. Unë kam mirëkuptim, por ekziston një dallim mes të qenit politikan opozitar dhe kryeministër i përgjegjshëm. Kosova është e pavarur de facto nga Serbia, por nuk besoj se dëshiron të pavarësohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare," tha ai. Bildt i bëri thirrje Thaçit që të përpiqet të bashkojë Kosovën duke arritur edhe tek ajo pjesë e popullatës që nuk shkoi në votim.

Pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e 17 nëntorit nuk është shumë në dobi të çështjes së Kosovës, janë të mendimit vëzhgues ndërkombëtarë. Redaktorja e
Evropës Juglindore në të përditshmen gjermane "Die Welt" Shtefani Bolcen (Stefanie Bolzen) thotë se një pjesëmarrje më e lartë do t'i inkurajonte ministrat e BE-së në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për statusin e ardhshëm të Kosovës: "Kishim pritur që këto zgjedhje, direkt para statusit do të shërbenin si një sinjal ndaj bashkësisë ndërkombëtare, se kosovarët duan dhe janë në gjendje të krijojnë një shtet demokratik. Por kjo pjesëmarrje kaq e ulët nuk lë përshtypje të mirë tek vendimmarrësit në Bruksel", komenton Bolcen.