1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pjesëmarrje e mangët e romëve në politikë

Zoran Arbutina / E. Xhani25 Shtator 2013

Ndikimi politik i romëve është i pakët, edhe në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Kjo nuk lidhet vetëm me margjinalizimin e tyre social, mendojnë ekspertët.

https://p.dw.com/p/19o88
Aktivistë romë në Tiranë.
Fotografi: DW/A. Muka

Serbi, Maqedoni, Bullgari, Rumani apo Hungari: në vende në të cilat pakica rome është e përfaqësuar prej shekujsh në numër të madh, ende është e përjashtuar. Të përqeshur si ciganë ata shpesh janë përndjekur, ndërsa sot në rastin më të mirë janë të toleruar dhe shumë rrallë pranohen si qytetarë me të drejta të barabarta.

Të gjitha këto duhen mbajtur parasysh kur flitet sot për pjesëmarrje të mangët politike të romëve në vendet e tyre të origjinës, thekson Zeljko Jovanovic, drejtor i Zyrës për Iniciativa të Romëve të Fondacionit për një Shoqëri të Hapur në Budapest. "Bëhet fjalë për një pakicë që në të gjitha vendet është e margjinalizuar dhe përjashtuar nga format sociale, politike dhe ekonomike të organizimit“, thotë Jovanovic në bisedë me DW. Veç kësaj në të gjitha vendet ku jetojnë, romët bëjnë pjesë në shtresën më të varfër të shoqërisë. „Sipas të dhënave të OKB-së, 40 për qind e romëve jetojnë në pragun e varfërisë dhe kur njerëzit janë të uritur, nuk mendojnë për politikë“, thotë Jovanovic.

Nacionalizmi si kërcënim

Ceremonia e varrimit të dy viktimave të ekstremistëve të djathtë në Hungari (mars 2009)
Ceremonia e varrimit të dy viktimave të ekstremistëve të djathtë në Hungari (mars 2009)Fotografi: picture-alliance/dpa

Në vitin 1971 në Londër u mbajt kongresi i parë botëror i romëve, në të cilin përshkrimi „romë“ u pranua si përkufizim i përgjithshëm për të gjithë pjesëtarët e pakicës, dhe romanes si gjuha e përbashkët, u ra dakord edhe për një flamur ndërkombëtar të romëve. Shtatë vjetë më vonë, në kongresin e dytë botëror të romëve, pasoi themelimi i Unionit Ndërkombëtar të Romëve (IRU), një organizatë ombrellë e përfaqësuesve rajonalë dhe ndërkombëtarë të interesave. Por për zhvillimin e një ndërgjegjeje politike dhe strukturave respektive të nevojshme, „40 vjet janë një kohë relativisht e shkurtër“, tërheq vëmendjen Jovanovic.

Një tjetër pengesë për organizimin politik të romëve në vendlindjet e tyre në Evropën Qendrore dhe Juglindore, është etnocentrizmi dhe nacionalizmi i shoqërisë së shumicës, fenomene mjaft të përhapura atje, shpjegon Osman Bajic nga organizata joqeveritare serbe 'Qendra YUROM': „Ky etnocentrizëm dëshëron një shtet etnikisht të pastër, nacional, në të cilin nuk ka vend për organizata të romëve." Përmes margjinalizimit të përjetuar vazhdimisht dhe përndjekjeve, romët kanë mësuar „ta njohin nacionalizmin si kërcënim dhe të sillen në mënyrë respektive“. Raste të shumta sulmesh kundër romëve dhe demonstrime anticigane vitet e kaluara, tregojnë se bëhet fjalë për frikë reale. Në Hungari esktremistë të djathtë vranë në 2008 dhe 2009 gjashtë romë, ndër ta edhe një djalë të vogël katërvjeçar.

"Romët si zbukurim politik"

Para së gjithash në vendet e ish bllokut lindor „rregullat e lojës demokratike janë ende duke u zhvilluar“, thotë Bajic dhe romët janë „të padëshëruar“ si aktorë politikë që mund të merren seriozisht. Në shumë parlamente në Evropën Qendrore dhe Juglindore janë rezervuar vërtet disa vende për përfaqësues të pakicave, ndër ta edhe për romë. Megjithatë në shumicën e rasteve bëhet fjalë për një „demokraci sa për sy e faqe“, në të cilën „romët shërbejnë si zbukurim politik“, pa mundësi të vërteta për të ndikuar, mendon Bajic.

Sidoqoftë edhe ky përfaqësim politik me mundësi të kufizuara konfigurimi, është për romët një hap i madh përpara. Veçanërisht në nivel lokal, p.sh. në Serbi, Bullgari dhe Rumani, përfaqësuesit e romëve janë shpesh shumë të angazhuar dhe përpiqen për më shumë shance arsimimi për fëmijët dhe kushte më të mira banimi për familjet rome, thotë Bajic.

Modeli i Maqedonisë

Shuto Orizari në Maqedoni është ngulimi më i madh rom në botë
Shuto Orizari në Maqedoni është ngulimi më i madh rom në botëFotografi: DW/P. Stojanovski

Maqedonia vlerësohet si shembull pozitiv për pjesëmarrjen e romëve në jetën politike. Atje ata janë grupi i tretë më i madh etnik në vend dhe përbëjnë rreth 8 për qind të popullsisë. Janë dy parti të cilat përfaqësojnë kryesisht interesat e romëve: deputetët e tyre janë prej 20 vjetësh të përfaqësuar në Parlamentin maqedonas. Në qeveri romët kanë një ministër pa portofol, i cili përfaqëson interesat e romëve.

Politika e gjuhës konsiderohet veçanërisht liberale. Romanes është një nga gjuhët zyrtare të Maqedonisë. „Në shkollë fëmijët romë mësojnë gjuhën e tyre në mësim në gjuhën e nënës“, thekson Marija Risteska nga Qendra për Kërkime Politike në Shkup. „Maqedonia është i vetmi vend në botë në të cilin gjuha e romëve është standardizuar deri atje sa mund të studiohet si degë në Fakultetin e Filologjisë“, thotë ajo në bisedë me DW. Kështu edhe integrimi i romëve në shoqërinë maqedonase ka përparuar më shumë se në vende të tjera. Këtë e dëshmon edhe numri i madh i të rinjve romë që ndjekin shkolla të nivelit të mesëm dhe të lartë.

Në mënyrë që zhvillime të tilla të ketë edhe në vende të tjera, romët nuk duhet të presin që shoqëria e shumicës t'u dhurojë diçka, thekson Zeljko Jovanovic: „Romët duhet të gjejnë forma të reja për t'u organizuar politikisht dhe në aspektin social“, dhe jo vetëm në zgjedhje por edhe në jetën e përditshme