1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pjesëmarrje edhe e gjermanëve në luftën e Irakut?

Marsel Fyrstenau19 Shtator 2008

Çfarë roli kanë luajtur shërbimet sekrete gjermane në Irak? A kanë dhënë ato vërtetë informacione mbi objektivat ppër bombat amerikane? Këtë çështje po e heton ndërkohë Bundestagu (parlamenti gjerman).

https://p.dw.com/p/FLHT
Hyrja në BND, Mynih
Hyrja në BND, Mynih 2003Fotografi: AP

Në vitin 2003 Gjermania nuk bënte pjesë në "koalicionin e të vullnetshmëve" , siç i quajti presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush vendet që hynë në koalicon në mbështetje të fushatës amerikane kundër Irakut. Megjithatë qeveria nën ish-kancelarin Gerhard Shrëder ndihmoi së paku indirekt këtëluftë, ndër të tjera duke garantuar të drejtat e përdorimit të hapësirës ajrore gjermane për fluturimet si dhe duke lejuar përdorimin e bazave ushtarake të SHBA në Gjermani. Përveç kësaj dy agjentë të shërbimit informativ të Gjermanisë, BND ishin vendosur në Bagdat - thjesht për qëllime humanitare, siç pretendon qeveria. Ndërsa opozita thotë, se kjo është bërë për të mbështetur luftën e SHBA. Ajo që tani është e vërtetë duhet të hetohet prej një komision hetimor parlamentar i krijuar qysh prej dy vjetësh. Të enjten (18.09) në një seancë me dyer të mbyllura u morrën pyetje nga ky komision agjentët e BDN-së.

Qeveria gjermane nisur nga disa rezerva parimore ishte kundër luftës në Irak

Sepse ajo kishte dyshim në ekzistencën e armëve të shkatërrimit në masë, që pretendohej se posedonte regjimi i Sadam Hyseinit. Qeveria gjermane ishte gjithashtu kundër ndërhyrjes pa mandatin e OKB-së. Megjithatë gjatë ditëve vendimtare të luftës në mars - prill të vitit 2003 dy punonjës të BND-së ishin vendosur në Bagdat.

Mbi detyrën konkrete të dy agjentëve pozicionet e partive janë të ndryshme

Ish-qeveria e përbërë nga koalicioni mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve dhe qeveria, e përbërë sot nga socialdemokratët dhe kristiandemokratët thonë, se qëllimi ishte që të krijohej një përfytyrim i qartë për gjendjen. Si p.sh. mbi pasojat e mundshme të luftës në rajonet fqinjë, kryesisht në shtetet e Gjirit Persik dhe në Turqi. Të padiskutueshme janë konstatimet që i janë raportuar qendrës së shërbimit informativ BND në selinë e tij në Pulah.

Në selinë e BND-së është vendosur, se cilat informacione duhet t´i dërgohen SHBA dhe cilat jo

Këto informacione kanë shërbyer vetëm për qëllime humanitare, thotë përfaqësuesi socialdemokrat i komisionit hetimor, Mihael Hartman. Kësisoj agjentët e BND-së kanë paralajmëruar nga rreziku i një sulmi ndaj një hoteli në Bagdat. "Dy njerëzit tanë mundën të njoftojnë, se në hotel ndodhen vetëm civilë dhe askush tjetër. Me këtë ato kanë shpëtuar jetë njerëzish."

Përfaqësuesi i ekologjistëve Hans-Christian Ströbele pretendon se ka informacione krejt të tjera. Njerëzit e BND-së kanë mbledhur të dhëna për objekte civile, të ashtuquajtura "non targets", por në kuartierin qendror të SHBA në Katar janë përcjellë edhe detaje ushtarake: "Ndër këto objekte, që janë përmendur askohe, ka pasur edhe informacione me koordinata, për të përcaktuar saktë, se ku ndodhet objekti. Këto kanë qenë informacione për pozicionet e gardës republikane, që atëhere konsideroheshin si bazat kryesore mbrojtëse të Sadam Huseinit. Ka patur edhe informacione për një klub oficerësh dhe për një kuartier të pazbuluar të shërbimit sekret irakian.

Për të majtë s´ka dyshim që Gjermania ka marrë pjesë në luftën e Irakut

Ndërsa për përfaqësuesin e së majtës, Norman Paech, s´ka dyshim që Gjermania ka marrë pjesë drejpërdrejt në luftën e Irakut. "Fjala nuk ka qenë për mbrojte ndaj objekteve që nuk mund të sulmoheshin. Ky nuk ka qenë mision humanitar, siç thotë qeveria. Gjithçka ka pasur karakter ushtarak në lidhje me luftën."

Për liberalin, Max Stadler, shtrohet pyetja përse agjentët e BND-së kanë hetuar dhe kanë dhënë më tutje informacion për dëmet e një kazinoje të bombarduar nga trupat e SHBA-ve? "Nuk mund të fshihet fakti, që këto hetime kanë qenë të rëndësishme për amerikanët në aspektin ushtarak. Ky objekt është bombarduar tri ditë më pas, ndaj konteksti është shumë i afërt. "

Për opozitën çështja vendimtare ka të bëjë me përgjegjësinë politike

Angazhimi i BND-së është koordinuar në zyrën e kancelarit. Drejtor i zyrës së kancelarit asokohe ka qenë ministri i jashtëm Frank Valter Shtanmajer (Frank-Walter Steinmeier). Ai ka patur dijeni për detyrën e dy punonjësve të shërbimit informativ, thotë socialdemokrati Mihael Hartman: "Parimisht Steinmeier e ka patur këtë të drejtë. Por me një parakusht shumë të rëndësishëm, që në asnjë mënyrë të mos jepeshin informacione relevante për luftën tek amerikanët.!"

Se si ka qenë saktësisht urdhëri është e vështirë të hetohet

Urdhëri ka qenë dhënë verbalisht. Përse nuk ka dokument me shkrim, ndoshta do të mund të thhotë vetë ministri i jashtëm Steinmeier.