1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plane amerikane për luftë kundër Iranit ?

Ralf Sina / Washington (NR) 10 Qershor 2008

Kemi të bëjmë vetëm me luftë psikologjike? Apo planifikojnë Bushi dhe Ceni në fund të presidencës së tyre me të vërtetë një sulm të përbashkët me Izraelin kundër Iranit?

https://p.dw.com/p/EGt4
Mahmud Ahmadinedschad dhe George Bush
Mahmud Ahmadinedschad dhe George BushFotografi: AP Graphics

Kjo është pyetja që preokupon shumë amerikanë. Edhe shefat evropianë të shteteve, të cilët po i viziton Bushi në udhëtimin e tij të fundit në Evropë. Ralf Sina:

Ishte komiteti i veprimit izraelito-amerikan AIPAC, para të cilit ministrja e jashtme Kondolisa Rajs formuloi javën e kaluar pozicionin ndaj Iranit të qeverisë amerikane:

"Një regjimi, i cili e mohon Holokaustin, që vret qytetarë në vendet fqinjë, që përpiqet të asgjësojë një anëtar të OKB-së- një regjimi të tillë bota nuk duhet t'i lejojë të posedojë armë atomike."

Edhe kandidati për president të SHBA, Barak Obama, i cili kishte fituar pak orë më parë shumicën e votave të delegatëve demokratë, nuk dëshiron të mbetet pas vendosmërisë së administratës së Bushit në çështjen e Iranit. Si president i SHBA ai do të bënte gjithçka, për të penguar që Irani të bëhet fuqi bërthamore, u tha Obama vizitorëve të grupit të fuqishëm lobiist amerikano-izraelit AIPAC: Dhe që të mos mbetet asnjë dyshim, që në një rast ekstrem përsa i përket Iranit është i vendosur për hapat më ekstremë, Obama përsëriti para të pranishmëve: ai do të bëjë shprehimisht gjithçka, e vërtet gjithçka, për të penguar që Irani të arrijë të zotërojë armë atomike.

Kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, gjithashtu i ftuar në komitetin izraelito-amerikan të veprimit në Uashington, e regjistroi i kënaqur gatishmërinë potenciale përtej kufijve partiakë për luftë kundër Iranit. Dhe kërkoi nga ana e tij masa dinamike ndëshkimi kundër Republikës Islamike: "Mosrespektimi prej Iranit e rezolutave ndërkombëtare e bën të qartë: urgjentisht nevojiten masa të tjera të vendosura."

Vëmendjen në SHBA e tërhoqi që në maj një raport i Radios Ushtarake Izraelite. Radiostacioni ushtarak pohoi gjatë vizitës së Bushit në Izrael, me rastin e 60-vjetorit të Izraelit,se presidenti i SHBA dhe zëvendësi i tij Ceni besojnë se Izraeli do t'i kërkojë Uashingtonit të ndërmarrë një goditje ushtarake kundër Iranit.

Që atëherë, rreziku i një lufte kundër Iranit preokupon mediet e SHBA. Dian Rehm, moderatore e shquar e Radiostacionit Kombëtar NPR formulon qartë pyetjen: "A besoni seriozisht, se administrata e Bushit do të sulmojë në ditët e fundit në pushtet së bashku me Izraelin Iranin?"

Apo bëhet fjalë për një luftë të kalkuluar psikologjike të qeverisë Bush? Askush nuk e di përgjigjen për këtë pyetje. E qartë është vetëm: mbrojtja kundërajrore iraniane është perfeksionuar muajt e fundit me ndihmën ruse. Sipas mendimit të ushtarakëve amerikanë, aviacioni luftarak izraelit nuk do të ishte në gjendje ta kapërcente këtë mbrojtje. Izraeli nuk ka një numër të mjaftueshëm avionësh cisterna, që t'u mundësonte avionëve të vet luftarakë sulmin kundër rreth 300 objekteve të shpërndara atomike në Iran. Një sulm izraelit do të qe i mundur vetëm me ndihmën masive të SHBA. Dhe me çmimin e një konfrontimi masiv me Rusinë dhe Kinën. Ambasadori amerikan në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore në Vjenë, Gregory Shulte thotë se vendi i tij është i gatshëm për negociata me Teheranin, me kusht që ai të mos punojë më për bombën.

Por aktualisht, Irani preferon të përballet me sanksione, se sa të ndalojë programin për përdorimin e energjisë atomike.